Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mrekullia e munguar

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Mrekullia e munguar

Rruga është e re, e drejtë. Ajo lidh Lushnjën me një sërë fshatrash, nga të cilët tre të fundit para bregut të detit janë Karavastaja, Bedati dhe Adriatiku. Në të dyja anët e rrugës, midis Bedatit dhe Adriatikut, shtrihen hapësira të varfra në bimësi sepse  toka është e njelmët.  Bedati, dikur i njohur edhe si vend internimi. Adriatiku, dikur zonë ushtarake, pra, vend i shkretë. Në kohëra të zymta, jo aq të largëta gjithsesi, të internuarit i sillnin këtu çdo ditë me kamionë për të bonifikuar hapësirat e njelmëta, pastaj, mbrëmjeve, i kthenin po me kamionë në vendbanimin e tyre…

Çmenduri e një regjimi totalitar.  Dikur të internuarit vuanin edhe nga vetmia e tyre e detyruar. Sot, adriatikasit gëzojnë lirinë e tyre të vetmuar: ata jetojnë në katër pallate parafabrikate e punojnë për një jetë më të mirë. Por, rruga e re, deti i vjetër, rëra e virgjër, pastërtia natyrore pa plehra (për sa kohë ende?)  nuk mjaftojnë për ta kthyer në perlë këtë vend të ëndërrt, por që vazhdon të jetë një mrekulli mjerisht e munguar.

Një mrekulli mjerisht e munguar, sepse shkaku kryesor është mungesa e ujit. Sigurisht, tubacionet janë instaluar, pompa e fuqishme e ujit gjithashtu, por ndërsa tubacionet i administron pushteti vendor, pra, komuna, mirëmbajtja e pompave është kompetencë e Drejtorisë së Ujësjellësit, me sa thonë adriatikasit, dhe rastis – për arsye sa objektive aq edhe subjektive – që pompat të digjen dhe adriatikasit të mbeten pa ujë për muaj të tërë; atëherë ata detyrohen ta blenë ujin në Lushnjë jo vetëm me bidonë për ta pirë, por edhe me bote për t’u larë, për të pastruar shtëpitë etj., etj.; secili prej tyre ka instaluar një pompë sa për ta ngjitur ujin nga fuçia personale poshtë te shkallët deri lart te kazanët në tarracë, ndërkohë që Shqipëria, të paktën sipas Kryeministrit (dhe unë jam në një mendje me atë), është një Norvegji e vogël për nga pasuritë e saj ujore.

Njëri nga adriatikasit kultivon madje edhe disa perime në një copëz tokë, por, kur nuk bie shi, mundi i shkon kot, ndërsa jo shumë larg, në qytetet përreth, ka shtëpi të pajisura me pishina! Adriatikasit nuk kërkojnë pishina, se e kanë detin fare pranë, por thjesht ujë. Thjesht ujë për të jetuar pakëz më denjësisht, për të punuar me një stres më pak, për t’i dhënë pakëz kuptim më shumë jetës së tyre.

“Pranë detit, pranë mbretit”, thotë një fjalë e urtë. Adriatikasit e mi janë pranë detit, por, me sa duket, larg mbretit. Atëherë, mendoj unë, meqenëse ata nuk mund të shkojnë te mbreti (Si mund të shkojnë tek ai kur nuk kanë ujë për t’u larë?), i takon mbretit, që ka ujë, të shkojë tek ata. Për të parë mrekullinë e tyre mjerisht të munguar. Për t’i takuar ata të paktën një herë. Për të dëgjuar hallet e tyre.

Për t’u premtuar jo ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht ujë. Ujë. Substancë e lëngshme me formulë kimike H2O. Pa erë, pa ngjyrë e pa shije, por që i jep erë, ngjyrë e shije jetës.  Për të shijuar, pavarësisht mungesës së ujit, levrekun, qefullin e ndonjë lloj tjetër peshku që ata e mbarështojnë natyrshëm e me pasion. Për të shijuar edhe diçka të rrallë: gaforren e detit, prania e së cilës, prej katër-pesë vjetësh, në ujërat e tyre është një dhuratë nga Natyra apo nga Zoti, quajeni si të doni. Këto i shijova edhe unë pardje, prandaj këmbëngul që mbreti t’u shkojë për vizitë adriatikasve, të paktën një herë.

Kur them “mbreti” e kam fjalën për zotin President të Republikës, për zonjën Ksryetare të Kuvendit dhe për zotin Kryeministër, i cili me siguri, pas bisedës me adriatikasit, ka për ta thyer rekordin e tij të qëndrimit në det, sepse Adriatiku, si det, atje është krejt i pandotur, plazhi gjithashtu: një mrekulli. Kurse Adriatiku, si fshat, është edhe ai një mrekulli, por një mrekulli mjerisht e munguar!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama