Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Perlat dhe plehrat

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Perlat dhe plehrat

Me ngrohjen e përgjithshme të planetit Tokë, vapa që nuk po i ndahet edhe Shqipërisë ka pa dyshim të këqijat e veta, por edhe ndonjë të mirë, madje jo të vogël: për shembull, vazhdon turizmi veror, çka siguron, sidoqoftë, të ardhura jo vetëm për arkën e shtetit,  por edhe për atë të kolektiviteteve vendore, pa harruar kuletën e individëve, biznesmenë apo thjesht të punësuar në strukturat e ndryshme të operatorëve turistikë.

Dihet që turizmi është një atout, pra, një kartë e rëndësishme në dorën e ekonomisë shqiptare dhe, me të drejtë, organet qeverisëse qendrore dhe ato vendore e vënë theksin te ky fakt, aq më tepër që nëna Natyra (të cilën disa e quajnë Perëndi e të tjerë Rastësi) është treguar fort bujare me Shqipërinë dhe shqiptarët: dy dete, secili me veçantitë e tij, freskojnë brigjet tona ranore e shkëmbore, tri liqene dhe shumë lumenj e gjallërojnë peizazhin tonë të larmishëm me fusha, kodra e male, larmi e cila pasqyrohet edhe në veshjet, folklorin, traditat e zakonet tona. Rrjedhimisht e logjikisht, vendi ynë i ka të gjitha mundësitë, madje, të gjitha privilegjet për t’u bërë, në nivel ndërkombëtar, vendi turistik par excellence me perla natyrore që nuk kanë e nuk mund të kenë të sharë!

Mirëpo (mjerisht se nga mbin gjithmonë një “mirëpo”), jo të gjitha shkojnë si në gjalpë apo si në vaj, madje as si në margarinë, dhe kjo jo për faj të Natyrës, të Perëndisë apo të Rastësisë. Për faj të kujt atëherë? Duke rrezikuar me vetëdije të tërheq mbi vete rrufetë e shumëkujt, mendoj (ah, sa do të doja të gabohesha!) se faji në fjalë (që, si gjithë fajet, është bërë një qyrk i rëndë e i trashë, që askush nuk pranon ta veshë, sidomos në mes të vapës) i bie faktorit subjektiv, pra, njeriut. Jo njeriut në përgjithësi, por dy kategorive njerëzore:

Së pari, faji ose, më saktë, përgjegjësia, u takon strukturave qeveritare dhe atyre vendore (pak rëndësi ka kahja politike e tyre), të cilat pandehin se mjafton të kesh perla që automatikisht turistët të mahniten dhe, pavarësisht gjendjes së peshtafit, pra, të mjedisit, që i nxjerrin në pah këto perla, të dashurohen pas tyre dhe të vijnë shpesh për t’i admiruar. Konkretisht, unë di perla krejt të veçanta për turizëm ekologjiko-kulturor, si disa zona në Vermosh e Valbonë, si kepi i Rodonit, kanionet e Shkallës së Tujanit dhe ato të Osumit, kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto-Palermo, Kantina e verërave Çobo tek Ura Vajgurore, disa plazhe të “egra” të liqenit të Prespës, diku midis Liqenasit e Zaroshkës, dhe ujëvarat e Sotirës në rrethin e Gramshit, por të cilat, ndonëse janë ndërtuar e rindërtuar rrugë, nuk po i tërheqin sa dhe si duhet turistët në fjalë për arsye krejt subjektive, që varen ose nga dëshira ende e paplotësuar, ose thjesht nga mungesa e dëshirës së autoriteteve kompetente për t’i nxjerrë në pah këto perla potencialisht turistike të vendit tonë. Kështu, për shembull, le të marrim rastin e perlës së quajtur “Apoloni”: ngjitur me muzeun e kësaj perle, po vithiset rrezikshëm trualli dhe drejtoria e parkut të Apolonisë i ka hequr objektet e vyera antike nga vendi i tyre për t’i strehuar ku të mundet. Pyes veten dhe të tjerët: si ka mundësi që të organizohen tek ne ndeshje ndërkombëtare me skuadra të huaja të famshme, spektakle të bujshme si Miss Albania, Miss Bota, Miss Globi dhe Miss Universi, të cilat kushtojnë shuma maramendëse, dhe nuk paska mundësi, me fonde shumë më modeste, të përforcohet trualli ngjitur me muzeun e Apolonisë për të ruajtur integritetin e këtij të fundit?

Së dyti, faji ose, më saktë, përgjegjësia, i takon një tip individi të përditshëm shqiptar, atij që mund dhe duhet ta quajmë “homo albanicus”, i cili, nganjëherë, të krijon përshtypjen sikur bën çmos që forca tërheqëse e perlave në fjalë të zbehet. Si ka mundësi, për shembull, që, për disa kilometra rrugë me gropa, turistit t’i venitet dëshira për të shkuar te Kantina e verërave Çobo tek Ura Vajgurore? Si ka mundësi që, për rreth 500-600 metra rrugë me gropa e me plehra të hedhura vende-vende, turisti të mendohet mirë para se të shkojë te kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto-Palermo?

Mos vallë duhet të ndërtojmë teleferikë kudo nëpër Shqipëri (Ndoshta për të soditur nga lart plehrat që rrethojnë perlat)? Gjithsesi, ajo që më duket skandaloze është mendësia jonë prej “homo albanicus”-i, po e theksoj, sipas së cilës natyra rreth e përqark këtyre perlave na qenka thjesht një kazan gjigant plehrash, madje, më saktë akoma, një jo nevojtore, wc apo “tualet” siç themi rëndom tani, por një HALE tejet joshëse dhe mikpritëse deri në neveri për plehrat tona, plastike ndër të tjera, që po e mbysin në çdo hap peizazhin shqiptar, që po i zhvlefësojnë pak a shumë perlat tona, pa llogaritur furrat e gëlqeres, guroret dhe lavatriçet e lumenjve që, përkatësisht, e kanë asfiksuar, kancerizuar e gangrenizuar peizazhin në fjalë.

Sigurisht, organet qeverisëse qendrore mbajnë përgjegjësinë e tyre në këtë mësymje kombëtare të plehrave kundër perlave, por, asnjë qeveri në Shqipëri apo kudo gjetiu në botë nuk do të ishte e zonja t’i mbronte perlat e vendit të saj nëse strukturat qeverisëse vendore, shoqëria civile, qytetarët e thjeshtë nuk kanë as edukatën, as dëshirën e as motivimin më të vogël për të bashkëpunuar me atë në mënyrë që perlat të shërbejnë jo vetëm për të tërhequr sa më shumë turistë, por, sidomos, kryesisht e veçanërisht, edhe për të edukuar brezat e rinj me dashurinë për mjedisin, historinë dhe kulturën e vendit, që janë pjesë e trashëgimisë botërore.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama