Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nastradinët midis nesh

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Nastradinët midis nesh

Poeti, romancieri e dramaturgu frëng Jean-Louis Maunoury i ka kushtuar dhjetë vjet qëmtimit, renditjes dhe përkthimit të më shumë se 500 anekdotave me personazh kryesor Nasr Edin Hoxhën, i njohur gjithashtu me emrin mulla Nasrudin, që, në folklorin tonë, quhet Nastradin, fjalët e të cilit, nën petkun e tyre komik, mbeten përherë burim humori dhe, sidomos, mençurie jo vetëm praktike, por edhe filozofike. Një nga këto anekdota, ashtu siç e ka botuar autori i lartpërmendur, është kjo: Nastradini, ende i ri, sapo është bërë mulla dhe tashmë ai mund të japë mësim në medrese.

Një mëngjes, duke dashur të merrte një libër nga maja e bibliotekës, ai hipën mbi një pirg me kuranë. Njëri prej kolegëve të tij, i skandalizuar, i kthehet e i thotë: “Për Allah, Nastradin! Sa i pacipë po tregohesh! Nuk ke frikë se po i bën pis Shkrimet e Shenjta?” – “Nga kjo kisha frikë më parë – i përgjigjet Nastradini – por tani që jam mulla, Kurani duhet të ketë frikë prej meje”. Në vështrim të parë duket sikur Nastradini po kryen një blasfemi, po fyen Zotin apo fenë, por, në thelb, ai ngre filozofikisht problemin e raportit të pushtetit me ligjin: njeriu, me t’u veshur me një pushtet të çfarëdollojshëm, rrezikon ta shpërdorojë atë duke shkelur pikërisht ligjin, falë të cilit e gëzon atë pushtet.

Në historinë e botës përgjithësisht dhe në atë të Shqipërisë veçanërisht, jo të pakta janë rastet e shpërdorimit të pushtetit nëpërmjet shkeljes së ligjeve jo vetëm në kohëra diktaturash e diktatorësh, por edhe në kohëra demokracish pak a shumë të konsoliduara. Sidoqoftë, unë nuk kam ndër mend ta mërzis lexuesin tim të vëmendshëm e të paanshëm duke kaluar në revistë shembuj konkretë në këtë drejtim: atij do t’i mjaftonte të shkonte në një bibliotekë, të shfletonte libra dhe enciklopedi, të lundronte në internet për t’u informuar më së mirë lidhur me këtë temë.

Ajo që më intereson sot, njëzet e ca vjet pas shembjes së regjimit komunist tek ne, është klonimi i Nastradinit të anekdotës së mësipërme: në të gjitha hallkat e piramidës sonë shtetërore, por edhe partiake e civile, vërehet, ku më shumë e ku më pak, se është shtuar numri i Nastradinëve që, sa pa u veshur me pushtet, i tremben ligjit dhe e respektojnë ose, të paktën, duken sikur e respektojnë atë, por që, me t’u bërë të pushtetshëm, nuk pyesin fort për ligjin. Këtej rrjedhin, të paktën sipas mendimit tim, edhe dy përkufizime antiligjore të ligjit mjerisht ende tipike për shtetin dhe drejtësinë në Shqipëri: 1) “Ka ligj, ka edhe Maliq” dhe 2) “Ligji është llastik”.
Përkufizimi i parë mund të riformulohet, duke ruajtur të njëjtin kuptim, në “Ka ligj, ka edhe Nastradin”, meqenëse Nastradini është personazh botërisht i njohur, kurse Maliqi (ashtu si Zeqoja, e ëma e të cilit vazhdimisht kishte maninë të hipte majë thanave, dhe si Xhaferi, i cili vazhdimisht humbte simiten) nuk dihet me saktësi se ç’ishte, nga vinte e ku shkonte. Ky përkufizim ilustron më së miri faktin se tek ne ekzistojnë fatkeqësisht individë që, në emër të ligjit, qëndrojnë mbi ligjin, pra, e zbatojnë atë sipas qejfit, por gjithnjë në funksion të interesave të tyre apo të tarafit, klanit, rrethit apo grupit të cilit i përkasin.

Përkufizimi i dytë, pra, “Ligji është llastik”, do të thotë se ligjin mund ta përshtatësh sipas rastit, sipas individit kundrejt të cilit ai zbatohet, e thënë ndryshe dhe në mënyrë proverbiale, “ca të nënës e ca të njerkës” ose, siç po thuhet kohët e fundit, “dy pesha e dy masa”, me një fjalë “jo të gjithë janë të barabartë para ligjit”. Gjithashtu, “ligji është llastik” do të thotë që personi i veshur me pushtet mund të luajë me llastikun e ligjit duke e tërhequr sipas qejfit, madje, edhe nëse llastiku këputet, ai mund ta lidhë nyje e të vazhdojë lojën e tij si e sa t’i dojë qejfi, a thua se bëhet fjalë për llastik mbathjesh.

Sidoqoftë, Maliq apo Nastradin e pastë emrin, ai që e përdor ligjin si llastik, sidomos si llastik mbathjesh, duhet të tregohet shumë i kujdesshëm për disa arsye, por sidomos, kryesisht e veçanërisht për njërën: po t’i këputet llastiku për herë të parë, ai mund ta lidhë nyje, për herë të dytë a të tretë gjithashtu, por mund të vijë një moment që, nga tërheqjet, këputjet dhe nyjet e shumta, llastiku të lëshohet, të varet e, papritur e pa kujtuar, një ditë të bukur, Maliqit apo Nastradinit t’i bien mbathjet dhe atëherë… atëherë, unë, ti, i dashur lexues, ne të gjithë bashkë me të tjerë, përfshirë Zeqon me të ëmën e zbritur nga thana dhe Xhaferin me simiten e gjetur, t’ia plasim gazit sa të na shpërthejnë lot jo vetëm nga sytë, por edhe nga vrimat e tjera të trupit!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama