Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Opinioni publik dhe rasti “Kule”

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Opinioni publik dhe rasti “Kule”

Prej disa kohësh, disa media, përfshirë dhe “Panoramën”, po merren me disa veprimtari të rektorit të Universitetit publik të Tiranës, zotit Dhori Kule, që nëse nuk përgënjeshtrohen bindshëm prej tij, janë me të vërtetë keqbërje të jashtëzakonshme. Secila prej çështjeve të ngritura prej këtij grupi mediash, ose të paktën shumica prej tyre, i kanë të gjitha elementet e skandalit.

Dje kishim dy: riblerja prej tij e makinës së Rektoratit me një çmim tri herë më të lirë, dhe ndërhyrja e Kryeministrit në pezullimin e transferimit të 28 pedagogëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Pa përgënjeshtrim bindës prej të interesuarit, historia e makinës është vërtet e turpshme. Është shumë shqetësuese dhe shkalla e lartë e ndërhyrjes politike në një universitet, i cili duhet të jetë autonom në vendimmarrjen e vet, por që lidhjet e drejtuesve akademikë me Ekzekutivin duket se e kanë shndërruar në shtojcë të qeverisë, gjegjësisht partisë në pushtet.

Në lidhje me këto sulme ka një qasje të parë, zhvlerësuese të tyre, që meriton vëmendje. Sipas saj, sulmet, artikujt investigues etj., janë të motivuara nga interesat e botuesit për marrjen me qira të konviktit të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja. Rektori, nga ana e vet, e ka kërkuar këtë konvikt për Universitetin publik, dhe prej këtej ka lindur konflikti. Ky gjykim, kjo qasje është shumë thjeshtëzuese për të injoruar me një të rënë të lapsit vërtetësinë e akuzave. Së pari, në kërkesën e subjektit privat, universitetit “Luarasi”, nuk ka asgjë të paligjshme. Vërtetimi i ndonjë favorizimi të mundshëm të këtij subjekti nga ana e autoritetit që ka organizuar tenderin për dhënien me qira, nuk ka lidhje fare me vërtetësinë e akuzave ndaj titullarit të Universitetit publik, zotit Kule. Në gjykimin tim, në emër të shërbimit të barabartë, të gjithë operatorët arsimorë duhet të vendosen në pozita të njëjta në aksesin e tyre ndaj aseteve publike. Nëse veprohet kështu, privatët do të detyroheshin të ofronin çmime më të lira për studentët e universiteteve jopublike etj.

Të vazhdosh favorizimin e Universitetit publik në kushtet kur gjendja e tij përkeqësohet, nënkupton, veç të tjerash, mbajtjen e tij nën tutelën e qeverisë, të partisë në pushtet. Por kjo është një çështje tjetër, që del jashtë objektit të shkrimit. Së dyti, si ndodh rëndom në politikë, pra në gjithë shoqërinë shqiptare palët tentojnë t’i zhvlerësojnë akuzat e kundërshtarit duke u mbështetur mbi qëllimet e akuzuesit apo motivet e tij. A kanë rëndësi motivet, sa të na çojnë në injorimin total të akuzave të vërteta, siç po ndodh gjerësisht? Pse aktualisht në opinionin publik kemi vetëm dy qasje ekstreme që përplasen me njëra-tjetrën? Nga njëra anë mediat që akuzojnë rektorin dhe, nga ana tjetër, disa media që vetëm mbrojnë rektorin, pa u marrë fare me akuzat dhe duke replikuar me palën tjetër se ajo ka interes çështjen e konviktit. A mos vallë ka dhe në qëndrimin e mediave mbrojtëse interesa solidare me rektorin apo me atë grup politiko-mediatik që qëndron pas tij?

Analiza e interesave nuk është objekt i këtij shkrimi. Në parashtresën e mësipërme u tentua thjesht të shmanget përshtypja se prej autorit të shkrimit nuk kuptohet konteksti i interesave. Por, pasi u shpjegua konteksti i interesave, ka vend shpjegimi i qasjes filozofike të kësaj analize. Në gjykimin e ngjarjeve politike dhe shoqërore, veprimtarive të ndryshme të protagonistëve të tyre, analiza e qëllimeve, e motiveve që i shtyjnë ata është e vështirë, ndaj opinionbërësit do të duhet të përqendrohen te pasojat e këtyre veprimtarive.  Më saktë, pasojat në interesin publik. A kanë pasojë të rëndë për interesin publik secila prej veprimtarive të rektorit, që nëse nuk përgënjeshtrohen, janë keqbërje arrogante dhe banale që kapërcejnë abuzimin e thjeshtë me detyrën? Më duket se ky duhet të ishte boshti kryesor i angazhimit të mediave të tjera, të opinionbërësve, e pse jo, dhe të politikës, më saktë, të opozitës.

Epo bash kjo mungon në reagimin e mediave të tjera rreth këtyre shkrimeve. Kjo qasje injoruese mbi pasojat e veprimtarive të dyshimta të zyrtarëve apo funksionarëve publikë dhe përqendrimi te motivet zhvlerëson çdo lloj akuze në këtë vend. Ajo mbulon me harresë dhe akuzat më të rënda në përputhje me një strategji të të akuzuarve, për të sfumuar gradualisht akuzat ndaj tyre. Dhe kjo indiferencë të kujton një pohim dramatik të ambasadorit holandez në një intervistë të fundit të tij në lidhje me të ashtuquajturën vetëvrasje të Kosta Trebickës, për të cilën ambasadori Dol saktësisht tha: “Nuk pati hetim të besueshëm, dhe ajo u harrua shpejt. Me të nuk u morën fare dy vjet, aq sa besoja unë”. Ky është objekti i shkrimit: Pse? Pse injorohen kaq shpejt akuza të mëdha, të cilat pastaj harrohen?

Po mundohem të hedh disa hipoteza, të cilat kërkojnë përpunim të thellë dhe mbase janë lëndë e parë për një debat tjetër.

A ekziston në shoqërinë tonë sfera publike, në kuptimin e një rrjeti, e një qarku diskutimesh ku mund të marrin pjesë të gjithë dhe ku trajtohet interesi publik, apo ka vetëm ca hapësira ku trajtohen vetëm interesat private, të cilat ndeshen egërsisht me njëri-tjetrin? Në Shqipëri ka fillesa të etablimit të kësaj sfere apo tentativa të funksionimit të saj, por nuk ka një sferë të tillë. Akuza si këto të “Panoramës” apo të mediave të tjera, mbeten pronë e këtij grupi dhe injorohen, nuk bëhen pjesë e një rrjeti diskutimesh si ai që përshkruam. Të gjithë flasin për interesat private të të gjithëve; të gjithë flasin ç’je ti, ç’jam unë?, por askush nuk merret seriozisht me interesin publik. Të merresh seriozisht me interesin publik, nënkupton vijimësi në mbrojtjen e tij, koherencë në qëndrime, qëndrueshmëri në gjykime, kompetencë në argumentim mbi bazën e arsyes dhe të ligjit.

Që të ekzistojë një sferë e tillë, do të duhet të ekzistojë opinioni publik. A ekziston në Shqipëri një opinion publik i shëndetshëm në kuptimin e gjykimit apo e një mënyre të menduari kolektiv të shumicës së qytetarëve, apo si sistem gjykimesh mbi gjënë publike?

Rasti i artikujve kundër rektorit Kule, mungesa e reagimit ndaj tyre është dëshmi se ky gjykim kolektiv, i shumicës së qytetarëve apo ky sistem gjykimesh mbi gjënë publike nuk ekziston. Interesi publik nuk shihet qartë, ose injorohet. Ose të paktën ata që duhet ta farkëtojnë, mbrojnë, propagandojnë interesin publik, mediat, opiniobërësit, janë ndarë në taborë që  përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat private. Interesi publik është thjesht dhe vetëm një gjethe fiku për interesat respektive të palëve. Nuk ekziston ai rrjet komunikimi, ai qark i mbyllur komunikativ, ku qëndrimet e palëve komunikojnë me njëra-tjetrën dhe nuk janë njeri gozhdës, tjetri patkoit. Dhe ka dy pikëpyetje: A ka ekzistuar ndonjëherë kjo sferë publike, apo ajo ka degjeneruar? Më duket se nuk ka ekzistuar ndonjëherë që, për pasojë, dhe të degjeneronte…. Por kjo është një temë shumë e gjerë, që s’mund të shterohet me një artikull të vetëm dhe për më shumë nga një autor.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama