Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

CD

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
CD

Nuk e kam fjalën për dy shkronjat e targave të atyre makinave të cilat i përkasin trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, jo, por për ato pllakëzat e holla metalike në të cilat regjistrojmë këngë,  fotografi, filma etj., që i shkarkojmë, me pagesë ose piratisht, nga interneti. Me siguri që lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm është duke menduar se do të merrem këtu me shqiptimin e këtyre dy shkronjave – sidi, duke u nisur nga anglishtja, çidi, duke u nisur nga italishtja, sede duke u nisur nga frëngjishtja apo cëdë për t’i qëndruar besnik alfabetit shqip. Mjerisht, ai do të zhgënjehet, sepse sot do të merrem me diçka më dramatike se kjo. Po shpjegohem:

Para pak kohësh, tek po pija një kafe me disa kolegë e kolege, njëra prej tyre më mësoi se e ëma i kishte pësuar muajin e kaluar një iskemi të rëndë cerebrale dhe se e kishin çuar me urgjencë në spitalin e Tiranës, ku i kishin bërë edhe një skaner, sigurisht. Më pas, gjendja e saj shëndetësore ishte përmirësuar, kjo më gëzoi, por ajo që më la pa gojë ishte fakti tragjikisht komik ose komikisht tragjik që specialisti i skanerit i kishte kërkuar koleges sime (mbaje veten i dashur lexues, tregohu burrë, mos u plandos përtokë duke qeshur e qarë njëkohësisht, të lutem, të përgjërohem në gjunjë, madje edhe barkas!) të shkonte – në mes të natës – të blinte diku një, një, një… CD! Po, po, një CD që t’i hedhë atje të dhënat e skanerit për të sëmurën! O mjerim mjerisht mjeran i shërbimit shëndetësor lavdiplotë në Shqipëri! O tragjikomedi e shërbimit tonë mjekësor shembullor në kryeqytet! (A e përfytyron dot, o lexuesi im i përlotur nga të qarët e të qeshurit njëherësh, se ç’mund të ndodhë nëpër rrethe e më keq akoma nëpër fshatra kur sëmuret njeriu?) E pabesueshme, ndonëse krejt e vërtetë!

Gjithsesi, kolegia ime kishte shkuar në shtëpi dhe, për fat, e kishte gjetur një CD të virgjër, e kishte sjellë në spital dhe kjo CD e kishte humbur ndershmërisht virgjërinë e saj duke ia zbardhur faqen personelit mjekësor! Ia kishte zbardhur faqen personelit mjekësor dhe e kishte nxjerrë nga balta e varfërisë së skajshme drejtorinë e Qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ia kishte zbardhur madje edhe Ministrisë së Shëndetësisë!

Sidoqoftë, prej vitesh është botërisht e njohur që shqiptarët, kur shtrohen në spitalet publike, janë të detyruar t’i blejnë vetë ilaçet, pecetat e lagura, fashat etj., etj., por që të arrinte puna deri atje sa shteti ynë, qeveria jonë, Ministria jonë e Shëndetësisë ta detyrojnë qytetarin e shkretë, edhe pse të siguruar, të blejë me paratë e tij një CD që kushton me pakicë 30 deri në 50 lekë dhe, me shumicë, nja 10 lekë, kjo është e patolerueshme dhe, po e përsëris, tragjikisht qesharake ose qesharakisht tragjike!

Gjithsesi, tani që e ngrita faqe botës këtë problem, shpresoj se, me gjithë varfërinë e madhe të strukturave tona spitalore, dikush me pozitë e kompetenca të padiskutueshme humanitare do të ftillohet dhe do të hapë rreth e qark spitaleve tona publike të pajisura me skaner disa pika shitjeje CD-sh, të cilat do të rrinë hapur 24 orë rresht për t’u shërbyer në çast pacientëve të skanuar, madje, i sugjeroj Ministrisë sonë të Shëndetësisë që të merret vesh me Sigurimet Shëndetësore për rimbursimin e CD-ve pacientëve të skanuar, veçse me kusht që këto CD të jenë blerë në pikat e shitjes që sapo përmenda.

Nga ana tjetër, i sugjeroj gjithashtu Ministrisë në fjalë të propozojë, në mbledhjen e ardhshme të kabinetit qeveritar, ngritjen e një linje prodhimi CD-sh made in Albania, me synim eksportin e këtyre në drejtim të vendeve tejet të varfra të Afrikës (si, p.sh., Somalia, Sudani i Jugut etj., etj.) dhe të Azisë (si, p.sh., Afganistani, Bangladeshi etj., etj.), ku, në çdo spital të pajisur me skaner, ka radhë të gjata njerëzish që presin me muaj, në mos me vite, të blejnë CD-të e pagjetshme për të hedhur në to të dhënat e skanerit për të afërmit e tyre, pavarësisht se shumë prej këtyre të fundit mund të kenë muaj, në mos vite, që kanë vdekur!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama