Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tri mënyra për ta parë historinë

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Tri mënyra për ta parë historinë

Meqë 100-vjetori i Pavarësisë sa vjen e po afrohet, është e kuptueshme që historia të jetë një nga kryefjalët e ditës. Sapo del pak “kohë e lirë” nga reforma zgjedhore, nga 12 kushtet e BE-së, apo nga të tjera procese të “sportit” tonë më popullor, politikës, atëherë merremi me historinë. Deri këtu jemi në rregull, madje bëjmë mirë, sepse nëse merremi si duhet me të, atëherë do të na largohet ca turbullira që na ka shtrënguar keq në këtë periudhë vape. Puna është se si merremi ne me historinë dhe a kemi të drejtë të sillemi me të kështu si po sillemi. Me sa duket ne kemi tri mënyra për ta parë historinë.

Mënyra e parë, e cila mund të quhet edhe “Kryeministrore”, pra zyrtare, është që t’ia fusësh… kot, thjesht kot, me besimin e pabazë se po bën detyrën ndaj paraardhësve dhe shqiptarëve të sotëm. Që Kryeministri ynë flet për të gjitha, kudo e gjithherë, kjo tashmë dihet. Vetëm para do kohësh ai pohoi me gojën e tij se varietetet e rrushit shqiptar tashmë u njihkan anë e kënd botës!!! Deri këtu edhe mund të pranohet. Tek e fundit këto fjalë u lëshuan në një panair vere dhe pak reklamë nuk i bën askujt keq, por ndryshon puna me deklaratat e tij të fundit mbi historinë. Në një mbledhje për 100-vjetorin, apo më saktë që duhej të ishte për 100-vjetorin, Kryeministri lëshoi disa çudira. E para nuk u kuptua edhe aq mirë se ç’punë kishte Brigada e Parë e themeluar në Vithkuq, apo misionet angleze, me Shpalljen e Pavarësisë. Pastaj ai zgjidhi edhe një tjetër diskutim me të cilin historianët tanë e të huaj vrasin mendjen.

Për shumë historianë, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka pasur një karakter të ndërlikuar, sepse ishte njëherazi edhe luftë çlirimtare, edhe luftë për pushtet. Sipas krahëve që kanë përkrahur, historianët tanë janë ndarë në dy grupe, njëri grup, i cili vazhdon t’i qëndrojë pak a shumë besnik historiografisë së kohës së komunizmit, thotë se LANÇL ishte një “luftë e lavdishme çlirimtare”. Një grup tjetër mbështet tezën se lufta ishte një luftë për pushtet e komunistëve që u maskua me idealet çlirimtare. Një grup tjetër, disi më i ekuilibruar, thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një luftë çlirimtare që kishte element të fortë të luftës civile. Berisha i ra shkurt: Lufta ishte çlirimtare, vetëm çlirimtare. Pastaj shtoi edhe një “mister” tjetër. Shkrimi, apo si i thonë sot “rishkrimi” i historisë na u komandoka në mënyrë të fshehtë nga Nexhmije Hoxha. Berisha nuk e dinte se teza që sapo kishte thënë ishte pikërisht tezë e mbrojtur fuqimisht për 50 vjet me radhë nga vetë zonja Hoxha. Kryeministri tregoi edhe një gjë tjetër në këtë mbledhje mbi historinë.

Tregoi se nuk ka pasur kohë të lexojë botimet e historianëve në këta 20 vjetët e fundit, kohë gjatë së cilës janë botuar me qindra vëllime nga Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, Muharrem Dëzhgiu, Marenglen Verli, Ferit Duka, nga… lista e emrave në këtë rast bëhet tepër e gjatë për një shkrim gazete. Gjatë së njëjtës periudhë janë botuar me mijëra vëllime me kujtime. Mithat Frashëri, Mehdi Frashëri e ndonjë tjetër për të cilin shqetësohet Kryeministri, kanë kohë që njihen nga lexuesi shqiptar nëpërmjet kujtimeve të tyre. Me një fjalë historianët apo dashamirësit e historisë nuk kanë pritur që për 100-vjetor qeveria të lëshojë urdhrin: tani po, tani uluni, shkruani si duhet! Ka ndodhur kështu, sepse të njohurit e historisë është kërkesë e brendshme, organike, jetike e çdo vendi dhe kombi.Potë mos ishte kështu historia as që do të ekzistonte. Ajo nuk bëhet vetëm kur ka përvjetorë. Ajo shkruhet përditë nga pak. Pastaj, e fundit. Po me Qemal Stafën e shkretë ç’pati xhanëm? Që nga 5 maji i 1941-shit ai nuk i ka rënë në qafë kurrkujt. Sa keq! Kryeministri, i njohur për energjinë e tij proverbiale, atë ditë humbi shansin për të pushuar disa orë të paktën. Në vend të kësaj u mor me gjëra që nuk i përkasin dhe, me ç’duket, nuk i njeh mirë.

Ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë historinë. Edhe kjo është mjaft e përhapur. Këtë mund ta quajmë “mënyra e lavdishme për të parë veten”. Ka shumë njerëz që mendojnë apo punojnë me mentalitetin, sipas së cilit ne jemi kombi jo më i vjetër në Ballkan, po se po, por edhe në krejt Europën, se ne jemi pasardhësit e vetë pellazgëve, se luftërat tona për liri duhet të na i ketë zili krejt globi, se të gjitha fatkeqësitë na kanë ardhur nga të huajt, sidomos nga fqinjët, se fjala jonë e dhënë dhe mikpritja jonë nuk e kanë shokun asgjëkund në botë, se njerëzit tanë të shquar kanë qenë diçka më shumë se shenjtorët… Ky grup, po aq interesant sa edhe shpjegimi “kryeministror” i historisë, 100-vjetorin e quan thjesht si një festë të madhe, të hareshme, si një natë ku do të mblidhemi të gjithë e do të kërcejmë, të hamë e të pimë deri sa të na dalë shpirti nga gëzimi, me një fjalë si një dasmë ku janë të ftuar të gjithë. I gjithë ky grup sigurisht do të përlotet pak në mëngjes kur të kujtojë të rënët, porse ama kur të vijë darka di ai se ç’do të bëjë!

Grupi më i vogël, e andaj dhe më i trishtë e më i heshtur i tërë kësaj pune janë vetë ata, njerëzit të cilët merren me historinë. Janë ata të cilët historinë e shikojnë si shkencë të njerëzve në kohë, pra thjesht si shkencë me ligjet e saj të rrepta, as si propagandë qeveritare dhe as si ngazëllim patriotik i zhytur në pasione. Janë pikërisht këta që, me të mbërritur liria, u ulën të shkruanin gjërat të cilat më parë nuk kishin pasur mundësi t’i thoshin. Nuk pritën të merrnin urdhra apo leje nga kreu i vendit, ulën kokën dhe punuan me modesti, ndershmëri e durim për të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i caktuar gjithsecilit meritat dhe mëkatet. Sikurse e thamë edhe më parë, ky grup është në minorancë, ndaj nuk po zgjatemi më me të. Vetëm sa për të kujtuar Kryeministrin, meqë historia qenka kaq e rëndësishme për ne si komb, për këtë të paktën jemi dakord me Berishën, përse të mos e shtojmë këtë grupin e historianëve shkencëtarë dhe jo atë të historianëve propagandistë të ngazëllyer? Qeveria në këtë pikë ka shumë gjëra në dorë.Apodo të na duhet të presim edhe 100 vjet të tjera e të shohim se cili nga grupet do të jetë i pari: ata që ia ngopin kot, propagandistët e ngazëllyer, që fshihen pas patriotizmit, apo shkencëtarët kokulur? Na dhëntë Perëndia jetë të gjatë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama