Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Më fal, Algert!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Më fal, Algert!

Kur në datën 24 janar të këtij viti mësova nga shtypi i përditshëm se Algert K., njëri nga ish-studentët e mi më të edukuar, më të zgjuar, më punëtorë e më seriozë të këtyre viteve të fundit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të UT, ishte arrestuar sepse, bashkë me dikë tjetër, kishte goditur ish-pedagogun e tij N. V. (njëkohësisht ish-shef departamenti, ishdekan dhe ish-zëvendësrektor), u indinjova pa masë dhe, në mbledhjen e Departamentit të Frëngjishtes u solidarizova me kolegët e mi për të dënuar dhunën ndaj kolegut tim të dëmtuar. I zhgënjyer e i zemëruar nga veprimi i ish-studentit tim, mendova keq, shumë keq për të.

Gjithsesi, e ndoqa jehonën e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe, çuditërisht, vura re se disa gjëra ishin të errëta, madje binin në kundërshtim me njëratjetrën: kështu, më 24 janar u tha dhe u shkrua se incidenti kishte ndodhur në mbrëmje, në një lokal të Rrugës së Elbasanit, se Algert K. dhe një tjetër individ e kishin sharë e goditur që të dy kolegun tim ngaqë ky nuk kishte pranuar të korruptohej prej tyre me para. Pastaj, të nesërmen, u tha dhe u shkrua se incidenti kishte ndodhur paradite, në mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Pastaj doli një variant i tretë: Algert K. kishte qenë i pranishëm, por nuk e kishte goditur kolegun tim.

Gjithsesi, Prokuroria e rrethit të Tiranës hyri menjëherë në veprim duke marrë të gjitha provat e mundshme, përfshirë edhe filmimet e kamerave të mbikëqyrjes së mjediseve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe, deus ex machina (e pabesueshme, por e vërtetë!), në mes të muajit qershor, Algert K-së, i cili, gjatë hetimeve nuk kishte reshtur së pohuari se kurrë nuk e kishte fyer dhe as goditur ish-pedagogun e tij, i vjen njoftimi me shkrim nga Prokuroria e rrethit të Tiranës se ky organ kompetent i kishte pushuar hetimet ndaj tij. E thënë ndryshe, ish-studenti im Algert K. dilte i larë nga gjithë kjo ngjarje e shëmtuar, se pafajësia e tij vulosej kështu zyrtarisht. Unë disponoj një fotokopje të këtij njoftimi. E kam lexuar e rilexuar me vëmendje të madhe. Në faqet 1-2 të tij, çdokush mund të lexojë: “Në datën 23.01.2012 ka bërë kallëzim në Policinë Gjyqësore shtetasi N. V. me detyrë pedagog në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja Tiranë, për faktin se është goditur për shkak të detyrës nga shtetasi nën hetim Algert K. dhe i pandehuri G. H. (T)…”.

Mirëpo, nga ana tjetër, në faqen 4, shkruhet: “Siç konstatohet nga akti i ekspertimit, konflikti nga i cili është dëmtuar shtetasi N. V. ka nisur në momentin që ai shoqërohej vetëm nga i pandehuri G. T… Një fakt i tillë deklarohet edhe nga i dëmtuari N. V. gjatë marrjeve të deklarimeve si person që tregon rrethana të hetimit, i cili, në ndryshim nga procesverbali i kallëzimit të krimit, deklaron se është (këtu mungon fjala “goditur” – shënimi im, E. T.) vetëm nga i pandehuri G. T.”. Më tej, po në faqen 4, lexohet: “Në rastin konkret rezulton se personi nën hetim, Algert K., nuk ka kryer asnjë veprim të kundërligjshëm ndaj të dëmtuarit N. V….

Për sa më sipër rezulton se personi nën hetim, Algert K., nuk ka kryer veprën penale të goditjes për shkak të detyrës”. Rrjedhimisht, në faqen 5, prokurori R. T. shpall vendimin e tij për “pushimin e hetimeve në ngarkim të personit nën hetim Algert K. në çështjen penale nr. 402, viti 2012”. Sigurisht që mbetet një pikë e errët, të cilën njoftimi i Prokurorisë së rrethit të Tiranës e anashkalon: Si shpjegohet që në kallëzimin e tij fillestar, kolegu im N.V. pohoi se është goditur edhe nga Algert K., edhe nga i pandehuri tjetër, ndërsa më pas tha se është goditur vetëm nga ky i fundit? Gjithsesi, lexuesi i vëmendshëm, i drejtë e i paanshëm i këtij shkrimi, e kupton se sa fajtor jam ndier e ndihem unë ende tani kur kujtoj që, në mbledhjen e Departamentit të Frëngjishtes të përmendur në krye të këtij shkrimi, mendova aq keq për Algert K., njërin nga ish-studentët e mi më të edukuar, më të zgjuar, më punëtorë e më seriozë të këtyre viteve të fundit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të UT.

Prandaj, botërisht, i kërkoj falje Algertit dhe u sugjeroj kolegeve e kolegëve të mi të mos mendojnë më keq për Algertin, madje t’i kërkojnë atij falje për mendimin e gabuar që, ashtu si unë, patën për atë. Këtë ia kërkoj gjithë trupit pedagogjik të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, madje edhe rektorit Kule e ministrit Tafaj. Përfitoj nga ky rast për të vlerësuar punën objektive të Prokurorisë së rrethit të Tiranës dhe për t’i bërë thirrje opinionit publik shqiptar të ketë besim te Drejtësia shqiptare. Edhe një herë, pra: “Më fal, Algert!”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama