Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nga djathi te Presidenti

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Nga djathi te Presidenti

Meqë një zhurmë e madhe zhangëlluese po bëhet këto ditë lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, se si m’u kujtua fabulisti frëng La Fontaine dhe, në veçanti, fabula e tij e mirënjohur “Korbi dhe Dhelpra”, e sjellë mjeshtërisht në shqipe nga Çajupi. Shkak që m’u kujtua pikërisht ai dhe po aq pikërisht fabula në fjalë, u bë vizita ime e parë në një qendër tregtare mbresëlënëse diku në periferinë më të afërt të Tiranë. Me të drejtë, lexuesi im i paanshëm, por gjithsesi biramel, mund të shtrojë pyetjen: “Ç’lidhje të ketë vallë midis fabulistit në fjalë, i cili jetoi dhe shkroi në shekullin XVII, dhe Shqipërisë së shekullit XXI?”. Me mirëkuptimin dhe lejen e tij bujare, do të përpiqem t’i jap një përgjigje që të jetë në lartësinë e kureshtjes së tij e të mos e zhgënjejë atë:

Në atë qendër tregtare, në kat të parë, në repartin e prodhimeve ushqimore, sytë më zunë, ndër të tjera, një mori djathërash të sjella edhe nga Franca. Bashkatdhetarët e mi të nderuar, përfshirë edhe presidentët e djeshëm, të sotëm e të ardhshëm të vendit tim, e dinë me siguri që në vendin e La Fontaine-it, të Victor Hugo-it e të Jean-Paul Sartre-it ka disa qindra lloje djathërash, njëri më i shijshëm se tjetri. Befas, tek skanoja me vështrimin e interesuar këto djathëra, vështrimin ma tërhoqi si me magnet një lloj djathi me emrin “Président”. Në çast, një shkëndijë më flakëroi në tru, e cila, aty për aty dhe krejt natyrshëm, më kujtoi aktualitetin politik shqiptar ku po mbizotërojnë fuqishëm ethet e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Republikës sonë parlamentare.

“Ç’koincidencë befasuese, ndonëse në trajtë të përmbysur!”, – thashë me vete. “Në Francën e sotme ka disa qindra lloje djathërash, midis të cilave edhe djathi ‘Président’, kurse në Shqipërinë e sotme ka disa lloj kandidatësh, të deklaruar ose jo, për President Republike”. Kur kam qenë student në Francë, e kam shijuar jo rrallëherë djathin “Président”, made in France, duke e shoqëruar edhe me verë të kuqe (Bordeaux, Bourgogne ose Beaujolais, pak rëndësi ka), kurse tani, së shpejti, do të më duhet të shijoj edhe politikanin President, made in Albania, duke e shoqëruar me (me çfarë në fakt?)… me lloj-lloj propozimesh e kundërpropozimesh, manovrimesh e kundërmanovrimesh, kompromisesh e kundërkompromisesh në dritë të diellit, në mugëtirë prapaskenash e në errësirë takimesh të fshehta, të gjitha këto në vorbën e në vorbullën e një simfonie mediatike pseudowagneriane.

Pastaj, nga djathi francez me emrin “Président”, një shoqërim idesh më shpuri te fabula “Korbi dhe Dhelpra”; Siç e di fare mirë lexuesi im i kulturuar, Korbi majë një peme mbante në sqep një copë djathë; Dhelpra, në rrëzë të pemës, e lajkatoi aq shumë Korbin, saqë ky, nga kënaqësia, krrokati dhe, rrjedhimisht, copa e djathit i ra nga sqepi për të përfunduar drejt e në gojën e Dinakes.

Në këtë pikë, fantazia ime e shthurur nuk mungoi të bënte punën e saj: Me siguri, djathi që mbante në gojë Korbi ishte i llojit “Président”; Korbi, me siguri, donte që kafshët e pyllit ta zgjidhnin President të Republikës gati-gati Demokratike të Pyllit (tip xhungle parlamentare), prandaj edhe nuk e lëshonte djathin “Président”; me siguri, Dhelpra, falë diplomacisë së saj dinakërisht të efektshme, e përvetësoi këtë djathë me qëllim që të bëhej vetë Presidente, por ka të ngjarë që, me dhunë apo me manovrime e kompromise, premtime apo kërcënime, Luani (Mbret a më saktë Kryeministër) do t’ia ketë marrë asaj djathin në fjalë për t’ia dhënë dikujt nga shpura e tij në mënyrë që Presidenti i porsazgjedhur i Republikës gati-gati Demokratike të Pyllit (tip xhungle parlamentare) t’i shkonte pas berihasë; me siguri, mediat e pyllit dhe, sidomos, tellallët profesionistë të sojit gomaroido-majmunesk, e kanë pasqyruar zallamahinë zgjedhore nën tingujt e korit analopinionist të maestros Gjin Kalla për t’u kallur gjithë shtetasve ethet e afshet e një politike marramendëse e menddhënëse në gjirin përthithës të Republikës gati-gati Demokratike të Pyllit (tip xhungle parlamentare).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama