Një zyrë më shumë, për më pak territor

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 8 vite më parë

Albin Kurti
Një zyrë më shumë, për më pak territor

Të drejtat e pakicave kombëtare në Kosovë janë të kodifikuara me Planin e Ahtisarit. Mirëpo, ky plan nuk ishte menduar për këto të drejta. Ai paraqiste kompromisin me Serbinë në negociatat e Vjenës 2006-2007 për statusin e Kosovës dhe ofertën për Serbinë, në mënyrë që edhe ajo të jetë e kënaqur në fund të atij procesi.  Kjo është arsyeja pse Plani i Ahtisarit nuk ka të bëjë aq me serbët, sasa me Serbinë: ai parasheh privilegje të papara për serbët në përpjekje e sipër që të ngopen apetitet e Serbisë për Kosovën.

Serbisë i ka interesuar gjithmonë veçse territori i Kosovës dhe për këtë gjë ajo i instrumentalizonte serbët. Për pasojë, serbët në Kosovë kanë të drejta të territorializuara. Plani i Ahtisarit thotë që duhet të krijohen 5+1 komuna me shumicë serbe në Kosovë si njësi të reja administrative dhe territoriale. Një këso komune, Plani i Ahtisarit e parasheh edhe në veriun e Mitrovicës. Neni 13, në Aneksin 3 – Decentralizimi, e përshkruan dhe e shpjegon këtë gjë në pesë pika. Plani i Ahtisarit e ndan komunën e Mitrovicës në dy komuna të veçanta: në komunën e Mitrovicës Veriore dhe në komunën e Mitrovicës Jugore.

Spastrimi etnik i kryer mbi shqiptarët pas përfundimit të luftës nuk u adresua fare dhe situata kriminale e qytetit të ndarë atje propozohej të legalizohej. Në veri të Mitrovicës shqiptarët kishin qenë shumicë deri atëherë kur strukturat ilegale shtetërore të Serbisë i vranë 11 shqiptarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ndërsa i dëbuan 11 364 të tjerë përgjatë atij muaji.

Nisma e qeverisë për zyrën e cila i përngjan aq shumë një komune të Mitrovicës veriore, është e padrejtë parimisht, e dëmshme aktualisht dhe e rrezikshme për të ardhmen. Madje ajo edhe quhet Zyra Administrative për Mitrovicën Veriore. Mirëpo, ajo nuk mund të jetë vetëm administrative – ajo patjetër që do të jetë edhe njësi territoriale. Një gjë të tillë do ta përcaktojë formulimi “Mitrovica veriore”, pra fakti se çfarë sipërfaqe administrativisht nënkupton ky emërtim.

Zyra e këtillë Administrative do të jetë Zyrë me territor të definuar mbi të cilin do të ushtrojë pushtet të caktuar. Ky pushtet thuhet se do të merret nga dy burime. Edhe komuna e Mitrovicës, edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do t’i delegojnë pushtet kësaj zyre duke e vendosur atë në një nivel sui generis. Praktikisht e politikisht, territori i “Mitrovicës veriore” është territor që edhe legalisht i zvogëlohet Kosovës.
Pas vrasjes së Enver Zymberit e Selver Haradinajt nga strukturat armiqësore dhe kriminale të Serbisë, të sajosh komunë të ndarë në veri të Mitrovicës paraqet shpërblim dhe dhuratë për Serbinë. Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për bashkimin e Mitrovicës dhe jo për legalizimin e ndarjes së saj që u bë nga strukturat e Serbisë dhe vazhdon të mirëmbahet prej tyre.
Për më tepër se kaq, kur zërat ndërkombëtarë për negociata të reja për veriun e Kosovës po shtohen, ta fillosh një projekt të këtillë që e forcon ndarjen e qytetit të Mitrovicës do të thotë ta inkurajosh Serbinë në apetitet e saj hegjemoniste ndaj Kosovës.

Zyra Administrative për Mitrovicën Veriore është gjithsesi e paligjshme, jodemokratike dhe jokushtetuese. Në këtë zyrë pa bazë ligjore do të instalohen njerëz që nuk janë votuar e zgjedhur. Arsyetimi kryesor qeveritar është që kjo zyrë do t’i integrojë serbët duke i punësuar shumë prej tyre aty dhe duke e rritur numrin e serbëve që i pranojnë institucionet e Kosovës.

Kështu pra duket lajthitja e radhës e qeverisë së Kosovës. Sepse për vite me radhë shumë serbë që punonin në Policinë e Kosovës në veri të vendit u zbulua që kishin punuar edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë; sepse për tetë vjet me radhë institucionet e Kosovës investuan në Oliver Ivanoviçin dhe dihet se si ai u tregua mirënjohës për këtë – u bë sekretar në të ashtuquajturën Ministri të Serbisë për Kosovës.

Integrimi institucional dhe formal i serbëve në shtetin e Kosovës, edhe kur nuk është i rrejshëm, është i paqëndrueshëm. Integrimi është i vërtetë dhe i qëndrueshëm atëherë kur strukturat e Serbisë në veri, para së gjithash ato të sigurisë, pamundësohen dhe, në anën tjetër, mundësohet zhvillimi ekonomik në qendër të së cilit vendoset prodhimi që punëson njerëzit pa dallime etnike. Integrimi i nevojshëm nuk është vetëm integrim institucional në shtet, por edhe integrim socio-ekonomik në shoqëri.
Synimi i vërtetë i kësaj zyre në Mitrovicë nuk është integrimi i serbëve në Kosovë, por përfundimi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ky përfundim do të jetë veçse formal meqenëse KFOR-i, UNMIK-u dhe EULEX-i do të mbesin me të njëjtën përmbajtje e mbi të njëjtat principe në Kosovë: me imunitet prej ligjit e me fuqi ekzekutive duke mos na njohur si shtet. Për ironi, do të mbyllet vetëm zyra e instancës së vetme ndërkombëtare që na e njihte pavarësinë, Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, ndonëse PCN-ja është thelbi i demokracisë së përmbysur në Kosovë.

Pra, po hapet një zyrë në Mitrovicë për të mbyllur një tjetër në Prishtinë. Rezultati nuk është zero. Rezultati është minus territori i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama