Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përkufizime

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Përkufizime

Në librin e tij “E pafilozofuara”, Hysamedin Feraj, tek analizon disa aspekte të rëndësishme të të parëve tanë ilirë, nënvizon aftësinë e tyre për të njohur botën përreth, për t’u përshtatur e për të sunduar dhe jo për të krijuar, në veçanti, një filozofi të tyren, pra, për të lënë gjurmë në historinë e njerëzimit. Dëshirën e tyre për grada, tituj (në kuptimin ofiqe) dhe atribute sundimtarësh e kemi trashëguar, ndër shekuj, edhe ne, shqiptarët e sotëm. Gjëja më e bezdisshme, më e papranueshme, ndaj së cilës ne jemi krejt alergjikë, është të jemi vartësit e dikujt, çka, me një fjalë, do të thotë se jemi të prerë – thuajse gjenetikisht – për të qenë shefa, kapo, bosa etj., etj.

Këtë e dëshmon edhe fakti që shumë shqiptarë, pas vdekjes së Skënderbeut, shkëlqyen në ushtrinë otomane (pra, në ushtrinë e armikut të vet për aq kohë sa i bënë atij qëndresë nën udhëheqjen e prijësit të tyre legjendar); e dëshmon gjithashtu edhe ajo që i ndodhi Katerinës II, careshës së Rusisë, pas një beteje kundër tartarëve, që trupat e saj e fituan edhe falë kontributit të mercenarëve shqiptarë; kështu, kur ajo urdhëroi t’i sillnin komandantin e tyre në mënyrë që t’i paguante luftëtarët e tij, lindi një problem: këta të fundit donin të paraqiteshin të gjithë para Madhërisë së Saj, sepse secili e quante veten komandant.

E tora disi gjatë këtë hyrje për të shpjeguar se prirja jonë stërgjyshore për të komanduar pasqyrohet edhe në rrafshin gjuhësor kur bëhet fjalë për përkufizimin e disa termave që i përkasin fjalorit të administratës shtetërore. Po shpjegohem.

Një ditë, kur po përktheja në frëngjishte një tekst shqip, në një fazë të parë, zbulova, tek shfletoja me kujdes edhe fjalorin Le Petit Robert të gjuhës frënge, edhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Tiranë, 2006), se fjala frënge “employé” dhe barasvlerësi i saj në shqipe, pra, “nëpunës”, kanë një ndryshim të lehtë kuptimor: në frëngjishte, kjo fjalë shpjegohet si vijon (përkthimi është i imi): “Rrogëtar që kryen një punë më shumë mendore sesa fizike (ndryshe, pra, nga një punëtor), por pa luajtur ndonjë rol organizues apo drejtues”, kurse në shqipe, ajo shpjegohet kështu, sipas fjalorit të lartpërmendur: “Ai që bën punë administrative ose drejtuese në një sipërmarrje, në një institucion etj.”. Siç del fare qartë nga ky krahasim, për francezin nëpunësi nuk kryen punë organizuese, as drejtuese, kurse për shqiptarin nëpunësi kryen edhe punë drejtuese.

Në një fazë të dytë zbulova se fjala frënge “fonctionnaire” përkufizohet disi ndryshe nga barasvlerësi i saj shqip “funksionar”; kështu, sipas fjalorit frëngjisht të lartpërmendur, një funksionar është një “person që përmbush një funksion publik; një person që kryen, në cilësinë e titullarit, një detyrë të përhershme në strukturat e administratës publike (veçanërisht shtetërore)” (përkthimi është i imi); kurse sipas fjalorit shqip të lartpërmendur, një funksionar është thjesht një “nëpunës me funksion të lartë”.

Në një fazë të tretë e të fundit zbulova se edhe togfjalëshi frëngjisht “homme d’Etat” ndryshon disi nga barasvlerësi i tij shqip “burrë shteti”, sepse, gjithmonë sipas fjalorëve të lartpërmendur, në frëngjishte ai shpjegohet si vijon: “Person që ka një detyrë, një rol në shtet, në qeveri”, ndërsa në shqipe ai përkufizohet thjesht si “burrë i shquar a me detyrë të lartë”.

Nga e tëra kjo rezulton – të paktën sipas meje – se në shqipe, pra, në Shqipëri, që të tre këta zotërinj, pra, edhe nëpunësi, edhe funksionari, edhe burri i shtetit janë, sigurisht, në shkallë të ndryshme, organizatorë e drejtues, pra, komandojnë, dy të parët në nivele të ngjashme, i treti në një nivel më të lartë, kurse në frëngjishte, pra, në Francë, i pari, nuk komandon, i dyti komandon sidomos në administratën publike, veçanërisht shtetërore, por jo aq sa i treti, i cili përkufizohet si pjesëmarrës deri në nivel të lartë shtetëror, në qeveri.

Rrjedhimisht e për pasojë, thënia e Balzakut, sipas së cilës “Atje ku mbaron nëpunësi fillon funksionari, atje ku mbaron funksionari fillon burri i shtetit”, i përshtatet më së miri Francës e francezëve dhe vetëm ditën kur ajo do t’i përshtatet nuk po them më së miri, por të paktën deri diku edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, ne do të jemi të denjë për t’u futur pa hatër në gjirin e Bashkimit Europian. Sepse të qeverisësh nuk do të thotë vetëm të parashikosh e të dish të komandosh, por edhe të krijosh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama