Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptarët nën sulm

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 12 vite më parë

Albin Kurti
Shqiptarët nën sulm

Çështja e bashkimit kombëtar ka qenë gjithmonë në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.  Kufijtë që i ndajnë shqiptarët nuk janë kufij të shqiptarëve. Ata kanë ateruar dhunshëm prej Konferencës së Londrës para më se një shekulli. Atëbotë, Sir Edward Grey, ministër i Punëve të Jashtme të Anglisë, pati deklaruar që “për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes së Europës”. Dihet që një vit më vonë shpërthen Lufta e Parë Botërore. Kaq sa i përket paqes në Europë.  Edhe viti 1945 nuk është më pak traumatik për shqiptarët sesa viti 1913.

Kuvendi i Prizrenit e shfuqizoi Konferencën e Bujanit të mbajtur në ditët e ndërrimit të motmoteve 1943-1944. Një muaj para kësaj, komunistët shqiptarë s’ishin ftuar të përfaqësojnë Kosovën në Jajce në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it. Aty u formua edhe Republika e Maqedonisë, kurse shqiptarët jo vetëm që s’u lejuan t’i bashkohen Shqipërisë, por nuk u krijua as një republikë a krahinë e veçantë për shqiptarët në RSFJ. (Mbledhja në Jajce ishte shkelje edhe e vendimit të Kongresit të Katërt të PKJ-së në nëntor të vitit 1928 në Dresden, ku parashihej pavarësia për Kosovën.) Kështu, më shumë shqiptarë iu lanë Serbisë meqë ajo ishte më e fuqishme; mesatarisht shqiptarë u lanë nën Maqedoninë sepse ajo ishte një republikë mesatare, ndërkaq, më pak shqiptarë iu lanë Malit të Zi, si republikë më e dobët që ishte. Mbase kjo mënyrë sot do të quhej menaxhim i krizës. 

Gati shtatë dekada më vonë, përmirësimi është i kufizuar te Kosova që u shpall e pavarur para më shumë se katër viteve, ndërkohë që shteti mbetet pa sovranitet, pa ushtri të veten, pa kufij të mbrojtur, pa integritet territorial, me sundim ndërkombëtar në formë protektorati dhe me struktura ilegale e armiqësore të Serbisë që veprojnë në Veri të vendit dhe jo vetëm atje. Për të qenë edhe më keq se kaq, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, qysh te Kapitulli I, te Dispozitat Themelore, në pikën 3 të nenit 1 ku shpjegohet Përkufizimi i Shtetit, thuhet që: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Vështirë të paramendohet ndonjë kufizim tjetër më i padrejtë për Kosovën sesa ky. Dhe, lehtë e pajtueshme se sa shumë do t’i shkonte për shtati ky nen pikërisht Serbisë.

Shumica absolute e partive politike dhe organizatave shoqërore anekënd kufijve që i ndajnë shqiptarët në Ballkan nuk e mbrojnë publikisht tezën e bashkimit kombëtar dhe nuk e kanë të përfshirë atë nëpër programet e tyre. E, megjithatë, janë aq të shumtë politikanët e zyrtarët në secilin subjekt të shqiptarëve që e duan bashkimin kombëtar dhe flasin për të (sidomos privatisht). Edhe sondazhet e ndryshme vendëse e ndërkombëtare vazhdimisht e nxjerrin një shumicë dërrmuese të shqiptarëve që janë për bashkim. S’ka dyshim që përveç faktit që jemi një komb me një gjuhë, histori, traditë e kulturë, edhe interesi ekonomik dhe ai i sigurisë bën që shqiptarët ta duan bashkimin kombëtar në një shtet. Bashkimi i burimeve natyrore dhe njerëzore, i tregut dhe institucioneve, do t’i forconte shqiptarët në Ballkan gjë që patjetër se do të përkthehej në zhvillim e mirëqenie, në mbrojtje e siguri.

Përkundër gjithë kësaj, nuk ka ndryshim të politikave zyrtare të shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës, e të cilat do të duhej të jenë në funksion të faktorizimit të shqiptarëve. Maksimumi i tyre janë deklaratat publike, të cilat përveçse janë joadekuate në përmbajtje, toni i tyre tregon që janë bërë për të mos u marrë me këtë çështje e jo për t’u marrë me të. Madje, Prishtina dhe Tirana, edhe në rastin më të mirë, vetëm sa reagojnë: janë Serbia e Maqedonia, por edhe Mali i Zi e Greqia, ato që i shtypin shqiptarët duke i intensifikuar kohë pas kohe ekspeditat e ndryshme policore. Reagimet nga Prishtina e Tirana pothuajse asnjëherë nuk vijnë pas dhunës strukturore që zbatohet mbi shqiptarët por eventualisht atëherë kur kjo dhunë bëhet brutale, fizike dhe e dukshme.

Kohëve të fundit kemi një rritje të sulmeve mbi shqiptarët në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në Veri të Kosovës. Arrestimet dhe vrasjet janë bërë dukuri të zakonshme me të cilat po mësohemi dhe përherë e më shumë ngjajnë të orkestruara. Serbia dhe Maqedonia nuk do të ndalen në këto sulme për shkak të regjimeve në fuqi në Beograd e në Shkup, e të cilat janë reflektuar edhe në karakterin e shteteve përkatëse. Qëndrimi shovinist dhe racist ndaj shqiptarëve prodhon sulme ndaj shqiptarëve të cilat, më tutje, i mirëmbajnë këto regjime. Dobësia dhe pasiviteti ynë kontribuojnë në sulmet që i përjetojmë duke i inkurajuar ato. Njëkohësisht, sulmuesit nga Serbia dhe Maqedonia nisin të perceptohen si më të fuqishëm prej shqiptarëve, sesa që ata janë në të vërtetë dhe mandej kjo ndikon në vetë fuqizimin e atyre.

Ajo që për shqiptarët është gjithsesi pak, gjithmonë u duket shumë Serbisë e Maqedonisë. E kemi rastin e autonomisë së ’74-s në Kosovë, që u suprimua dhe të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, që nuk u zbatua. Thjesht, Serbia dhe Maqedonia nuk do të ndalen me sulmet ndaj shqiptarëve derisa të bëhet bashkimi kombëtar shqiptar dhe të arrihet një baraspeshë e re në Ballkan. Sa më herët që ta kuptojnë këtë gjë Tirana e Prishtina, aq më mirë dhe aq më kollaj do të jetë. Natyrën e shtetit të Serbisë dhe Maqedonisë nuk mund ta ndryshojnë Serbia e Maqedonia, e madje as BE-ja. Karakterin e mbrapshtë të këtyre shteteve mund dhe duhet ta ndryshojnë shqiptarët. Ama duke u kujdesur për veten e tyre, natyrisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama