Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dreka e doktoratës

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Dreka e doktoratës

Është bërë tashmë traditë në arsimin tonë të lartë që, ditën kur mbron doktoratën, i sapodoktoruari/a shtron një drekë në një lokal, në mos të klasës, të paktën të klasës së dytë (kuzhinieri, kamerierët dhe pronari i të cilit nuk kanë mbetur kurrë në klasë), për nder të anëtarëve dhe të kryetarit të komisionit. Sigurisht, meqenëse askush nuk rrëzohet në doktoratë, madje, përkundrazi, merr në për-gjithësi vlerësimin “shumë mirë” e lart, pavarësisht se si u është përgjigjur pyetjeve të komisionit, dreka e doktoratës kalon shumë mirë: të gjithë porosisin mezet, gjellët, pijet, ëmbëlsirat e frutat më të mira; të gjithë bëjnë shaka me kripë e me karar, e urojnë të sapodoktoruarin/ën duke ngritur dolli dhe kështu, duan apo nuk duan ziliqarët, shkenca shqiptare ecën triumfalisht përpara.

Nga ana tjetër, meqë edhe masterin e mbrojnë thuajse të gjithë, madje me vlerësimin “mirë” e lart, pëshpëritet se ka filluar të praktikohet, sipas modelit tashmë të mirënjohur të “drekës së doktoratës”, edhe “mëngjesi i masterit”, por natyrisht bëhet fjalë për diçka më të lehtë, pa alkool ose thjesht me ndonjë gotë birrë apo verë. Ndoshta së shpejti do të mendohet të sajohet edhe ndonjë “zijafet” për marrjen e titullit “Profesor i asociuar” (Prof.as.) dhe, sidomos, kryesisht e veçanërisht, për marrjen e titullit “Profesor” (Prof.). Ç’të jetë, vallë? Darka e Prof.as-it? Superdarka e Prof-it? Sikur nuk mjafton, apo jo? Atëherë Banket apo Mbrëmje gala? Pse jo, në fund të fundit?

Mirëpo, po t’i hedhim tani një vështrim politikës sonë të nderuar apo, më saktë, politikanëve tanë po aq të nderuar, do të vëmë re që, me gjithë praninë midis tyre të jo pak personaliteteve me gradën “Doktor i shkencave” apo me titujt “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”, ata nuk kanë asnjë arsye për t’u mbledhur në mëngjese, dreka e darka për punë gradash e titujsh shkencorë sepse, thjesht fare, nuk mbrojnë grada e tituj të tillë ngaqë nuk bëjnë kërkime shkencore në universitetet tona. Atëherë, krejt natyrshëm, lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme mund t’i lindë pyetja: Me ç’raste mund të mblidhen ata? Jam i bindur se ai nuk do të vonojë ta zbulojë motivin për të cilin mund të mblidhen e të festojnë, të hanë, të pinë e të gëzojnë, të zbaviten e, pse jo, të vallëzojnë, politikanët tanë. Sigurisht që ata kanë raste të ngjashme me atë të të sapodoktoruarve këta shtrojnë të famshmen “drekë të doktoratës”.

Për shembull, kur dikush zgjidhet deputet, mund të hidhet ideja (për analogji me “drekën e doktoratës”) e institucionalizimit të “drekës së deputatës”; kur dikush emërohet ministër, mund të merret nisma e lavdërueshme për krijimin e traditës së “drekës së ministratës”; kur dikush emërohet prokuror, mund të bëhet pa ngurrim propozimi për një “drekë të prokuroratës”, e kështu me radhë të parashikohen e të praktikohen sa më shpejt e sa më mirë (veçse jo sa më lirë), për t’u kthyer në traditë, “dreka e prefektoratës”, “dreka e ambasadoratës”, “dreka e gjeneralatës”, “dreka e komisariatës” dhe plot e përplot të tjera.

Gjithsesi, këtu mund të lindë pyetja se cilët do të jenë ata që do të ftohen në këto “dreka”? Pa diskutim që, në këto raste, ndryshe nga ç’ndodh në universitetet tona, nuk bëhet fjalë të ftohen anëtarë komisionesh për të vetmen arsye se nuk ekzistojnë komisione në kuptimin universitar të fjalës, kështu që, rrjedhimisht, duhet organizuar një takim, mbledhje, seminar, simpozium, tryezë e rrumbullakët (jo menjëherë ngrënieje, ta pret mendja) për ta zgjidhur konkretisht këtë problem me konsensus, me shumicë të thjeshtë ose me shumicë të  kualifikuar votash; është normale që të ftuarit të jenë personalitete me rëndësi të veçantë nga jeta politike e vendit, por, pse jo, edhe nga instancat, organizmat apo forumet e mirënjohura ndërkombëtare (OKB, FAO, UNESKO, OBT, OBSH, NATO etj., etj.).

A e shihni, pra, se sa gjëra kanë politikanët e nderuar të krejt spektrit të politikës shqiptare për të mësuar nga titullarët e gradës “Doktor i shkencave” dhe nga ata të titujve “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”? Sidoqoftë, i vetmi shqetësim që më bren është: Çfarë u mbetet të mësojnë këtyre të fundit, pra, doktorëve të shkencave, profesorëve të asociuar dhe profesorëve, nga politikanët tanë të nderuar?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama