Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rruga e dytë e Fatos Nanos

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Rruga e dytë e Fatos Nanos

Në harkun e një jave, qëkurse bëri publike autokandidaturën e tij në studion e Sokol Ballës, Fatos Nano e mori mesazhin. Cinik, të drejtpërdrejtë dhe mesa duket, të paapelueshëm. Pas asaj daljeje televizive, ku shpalosi dëshirën e tij presidenciale, ish-kryeministri takoi të nesërmen kreun e LSI, Ilir Meta, në fundjavë ambasadorin amerikan Arvizu, të martën Sali Berishën dhe të enjten, Edi Ramën. Pra, mori kontaktin e premtuar me të gjithë personazhet që, gjatë kësaj vere, do të vendosin se cili do të jetë bujtësi i ardhshëm i Pallatit të Brigadave.

Edhe nëse do ta shtrydhte të gjithë rezultatin e këtyre takimeve në një enë të vetme, zor se do të mbushej me të një gotë e vogël uji. Megjithëse Ilir Meta njohu kontributin e tij politik, megjithëse Arvizu tha se pëlqente qëndrimin e Nanos ndaj 21 janarit, megjithëse Sali Berisha pranoi të dëgjojë ambicien e tij të përsëritur për postin e kreut të shtetit dhe megjithëse Rama me Ruçin ndenjën dy orë në takim me të (diçka e paprecedentë që nga viti 2007), Fatos Nano nuk mund të thotë se ka tashmë në xhep përkrahjen qoftë edhe të njërit prej figurave të mësipërme publike. Diku me takt, diku me mirësjellje e diku hapur, atij i sqaruan se gara presidenciale e këtij viti është shumë e komplikuar për të qenë e arritshme nga një personalitet që kërkon të arrijë majën, duke valëvitur neutralitetin e tij të sforcuar.

E duke folur për neutralitetin, a nuk duket pikërisht ky element, që Nano po e përdor si kartën e tij të forcës, pika e vërtetë e dobët që ai ka shfaqur qëkurse është larguar nga politika aktive në vitin 2005?! Pra, duke u përpjekur të jetë i mirë me të gjithë, a nuk po ia arrin, në fakt, të bëhet i keq me të gjithë?

Fatos Nano duket se po bën një gabim të madh taktik. Ai po e trajton fushatën presidenciale të këtij viti, si një vazhdim të fushatës së vitit 2007. Asokohe ai qe një zgjidhje e preferuar për Berishën, i cili llogariste të destabilizonte opozitën, duke futur Nanon në Presidencë. Sot, katër vjet më pas, gjithçka ka ndryshuar, përveç ambicies së zotit Nano. Berisha është ftohur, Meta luan letrat që i kanë mbetur në një bursë të paqartë politike, Rama duket edhe më skeptik, me gjithë nevojën teorike që mund të kishte për një pakt “mossulmimi” gjatë fushatës elektorale.

Kështu pra, në harkun e një jave, vetë Nano duket se s’ka me se të merret më, në funksion të projektit të tij politik. I ka harxhuar fishekët që kishte në xhep, të paktën në dukje. Tashmë i mbetet të shohë se ç’mund të bëjë me mbledhjen e njëzet firmave për kandidim, një sfidë po aq hileqare sa edhe ajo e 71 votave për zgjedhjen. Në 2007-n, ai nuk e pati të vështirë të gjejë mbështetje brenda PS dhe disa partive të tjera të vogla, për të firmosur fletën e kandidimit. Kësaj radhe, edhe ky element i garës duket më i vështirë se katër vjet më parë.

Ngjan pra një rrugë në ngjitje dhe pa asnjë garanci suksesi, ajo që ka ndërmarrë kryetari historik i së majtës, i obsesuar pas një posti që i largohet si një kimerë e mitologjisë greke, sa më shumë që ai e dëshiron.

Aq e vërtetë duket kjo, sa që, qysh në këtë moment ngrihet pyetja e thjeshtë: Çfarë do të bëjë Nano, nëse nuk fiton edhe kësaj radhe? Dikush mund të përgjigjet po aq thjesht, se ai do të vijojë të bëjë atë që ka bërë gjithë këto vite. Pra, të qëndrojë jashtë politikës. E megjithatë, në një moshë shumë më të re se ish-kundërshtari i tij që sot kryeson qeverinë, Fatos Nano mund të ketë, ose të paktën të aspirojë të ketë, sërish një rol aktiv në jetën tonë politike. Jo duke ëndërruar poltronin utopik të Presidentit të Republikës, as duke u folur shqiptarëve një herë në gjashtë muaj me gjuhën e thatë të Brukselit. Por ndoshta duke u përpjekur të investohet në projektin sa sugjestiv, aq edhe të pamundur, të ribashkimit të copave të thyera të mozaikut të majtë. Nëse e sheh nga jashtë këtë mikro-univers forcash politike, rrymash e emrash të përveçëm, që sot gjendet i fragmetuar sa nga sherret e brendshme, aq edhe nga joshja e Berishës, mëritë e vjetra apo përplasjet e reja, mund të arrish shumë kollaj në konkluzionin se i projektuar kështu, në amulli të plotë, ia bën akoma të lehtë jetën dhe fitoren panelit të djathtë. A mund të mendohet për një çast që mund të ishte pikërisht Fatos Nano, një politikan i tërhequr nga llogaritë konkrete dhe afatshkurtra të së majtës, personi që mund të tentonte të koagulonte edhe një herë nga e para këtë “galaktikë” të rrëmujshme, që po i drejtohet murit të zgjedhjeve pa një dizenjo të qartë?! A mund të përfytyrohet për një sekondë, që pikërisht Nano të mund të sfidonte Ramën, Metën, Meidanin, Ruçin, Gjinushin e Milon, për të tentuar një sinergji politike e elektorale që i mungon opozitës qysh nga dita kur ai vetë vendosi t’ia dorëzojë Berishës pushtetin, që ky i fundit, s’dihet a do të ketë vullnet ta dorëzojë ndonjëherë në mënyrë po aq korrekte?! Duke e bërë këtë, pa pretenduar kurora dhe përtej smirës apo lavdisë personale, por mbi të gjitha si një mision dhe si një rikthim dinjitoz në podiumin e politikës.

Këto janë pyetje të cilave, me shumë gjasë, ndoshta edhe vetë Nano do t’u përgjigjej menjëherë me një “jo” të prerë. Sepse ka shumë arsye për të besuar se Nano nuk është një misionar. Por, për sa futuriste dhe e pamundur, kjo është një iniciativë ku e ku më fisnike dhe e dobishme sesa përkundja në iluzionin presidencial, i cili shumë-shumë, në korrik, mund të rezultojë një hiç. Nëse ka vendosur t’i kalojë edhe shtatë vjetët e ardhshme si shtatë të shkuarat, atëherë askush s’ka çfarë i kërkon më Fatos Nanos. Është në të drejtën e tij të mos bëjë asgjë. Por nëse ka ende një grimë ambicieje dhe dëshire për të kontribuar, edhe pasi kreu i ri i shtetit të ketë bërë betimin në Kuvend, ai fare mirë mund të hedhë sytë e të shohë se fill pas një viti nga ajo ditë, në këtë vend mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama