Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur Kushtetutën e shkel autori i Kushtetutës

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Kur Kushtetutën e shkel autori i Kushtetutës

Shqipëria konsumoi këto ditët e fundit një shkelje të re të Kushtetutës së vendit. Shumica në pushtet, formalisht nëpërmjet ministrit të saj të Mbrojtjes, shkeli atë nen të dokumentit të saj themeltar, që ia jep kreut të shtetit tagrin për të emëruar komandantët e forcave përbërëse të Ushtrisë me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, autori formal i shkeljes deri më sot, ishte mbrojtur nëpërmjet shefit të Shtabit, se “ne nuk respektuam Kushtetutën, sepse ne respektuam një ligj mbi autoritetet e komandimit”. Por pse ne jemi kaq kategorikë në pohimin e një përfundimi të tillë? Sepse në arritjen e tij nuk na ndihmuan vetëm dy ish-presidentët, të cilët e konsideruan njëzëri si shkelje, por dhe vetë sjellja e Ministrisë së Mbrojtjes dje, e cila e revokoi vendimin e mëparshëm për emërimin e komandantit të Flotës pa e pyetur Presidentin. Për të kuptuar se cili është cilësori më i mirë për përplasjen e fundit midis ministrit të Mbrojtjes, (lexo Kryeministrit) dhe Presidencës, mjafton të lexosh shkresën e djeshme me të cilin Ministria i drejtohej Presidencës, e cila u bë publike prej vetë dikasterit të Mbrojtjes. Në letër lajmi kryesor është se emërimi i kreut të Flotës Detare është revokuar. D.m.th. është tërhequr. Por dhe nga fjalitë e tjera mund të kuptohet shumëçka.

Së pari, letra është një lutje e edukuar për të mos bllokuar më tej rikthimin e zotit Kreshpani në krye të Flotës, sepse zoti Imami, në përpjekje për t’u dukur i vendosur, tha në një emision televiziv se zoti Kreshpani do ta drejtojë Flotën dhe pas revokimit. Sipas letrës, që në fakt është naive në formulim, shkelja e Kushtetutës ndodhi pasi Presidenti nuk kishte pranuar më parë të emëronte kolonelë në krye të Flotës Ajrore dhe për këtë shkak, ministri i Mbrojtjes mendoi se rruga më e mirë për të emëruar një kolonel në krye të Forcave Detare do të ishte ajo e faktit të kryer. Megjithatë, thotë letra, ne e revokuam; ne do t’i gradojmë kolonelët gjeneralë dhe pastaj do ta ribëjmë propozimin. Ndërkohë, në mënyrë jo shumë trimërore, faji i atribuohet personelit administrativ, i cili duhet të ketë përgatitur propozimin e gabuar.

E formuluar kështu, – dhe arritëm në vëzhgimin e dytë, gjithë letra është në fakt një ndjesë e turpshme e Ministrisë së Mbrojtjes për Presidencën. Kjo ndjesë kaq e shpejtë u krye ose për shkak të imponimit jopublik të autoriteteve më të larta të NATO-s, apo të ndonjë grupi vendesh anëtare, ose për shkak të përmasave të skandalit, ose për të dyja.

Së treti, duket se u synua shmangia e përgjegjësisë së ministrit, që do të konfirmohej nga një vendim gjyqësor. Revokimi kaq i shpejtë i emërimit antikushtetues të komandantit të Flotës u bë sepse prova e forcës e Ekzekutivit me Presidentin dështoi qartësisht. Aq e qartë ishte shkelja, sa Ministria, nëpërmjet revokimit, arriti të shmangte dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Një akt i revokuar nuk mund të shkojë më në Gjykatë. U pa qartësisht se kërkesa e Presidentit për sqarime ishte në të vërtetë një mënyrë e urtë për të mbledhur prova, për ta dërguar çështjen në Gjykatë.

Konteksti i vendimit

Duket e vështirë që të mendohet se ky është një akt personal i ministrit të Mbrojtjes, Imami. Përtej absurditetit në vendosjen e firmës prej autorit të Kushtetutës në një akt kaq qartësisht antikushtetues, duket e vështirë të imagjinohet se Kryeministri është dorëjashtë. Me gjithë përpjekjet e letrës së analizuar që ta hedhë fajin në nivele të ulëta, akti në fjalë, për shkak të rëndësisë së emërimit mbart përgjegjësinë e kreut të Ekzekutivit. Nëse ai s’është fajtor i drejtpërdrejtë, me frymën e tij të injorimit të kreut të shtetit, Kryeministri ka imponuar për të gjithë dikasteret këtë frymë injorimi ndaj kreut të shtetit. Ajo shfaqet me mospjesëmarrjen e ministrave në vizitat apo takimet e Presidentit, apo dhe në akte të tjera të konsumuara jopublikisht, pa folur për sulmet e egra të Kryeministrit në vetë të parë, apo dhe të ndonjë ofiqari tjetër ndaj Presidentit.

Ngjarja e fundit nuk mund t’i atribuohet ndonjë kokëfortësie të Presidentit, siç është bërë zakonisht me rastet kur sipas procedurës ka qenë Presidenti që ka dhënë kandidaturat e tij në krye të institucioneve të Gjyqësorit etj. Kësaj radhe kemi të bëjmë me vendime injoruese të Ekzekutivit që s’duan jo vetëm të këshillohen, por as dhe ta konsiderojnë minimalisht Presidentin. Një President deri në ditët e fundit është kryetar i shtetit, ndaj, injorimi i tij është injorim i shtetit. Mund të jetë e vërtetë, siç thotë letra, se në rastin e emërimit të një koloneli në krye të Flotës Ajrore, Presidenti nuk është përgjigjur, por kjo s’do të thotë se Presidenti ka injoruar Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo do të thotë se Presidenti s’ka dashur të bëhet palë në shkeljen kushtetuese të iniciuar nga Ekzekutivi.

Ngjarja në fjalë, si shprehje e kulturës së përplasjes, së injorimit, të dhunimit, të fyerjes ndaj Presidentit të Republikës, nuk është pasojë e ndonjë cilësie të veçantë të emrit të personit që e mban këtë detyrë. Edhe me Presidentin Moisiu kjo shumicë kishte të njëjtët probleme. Shumë ambasadorë në vende të rëndësishme të botës, anëtarë të Gjykatës së Lartë, të asaj Kushtetuese, apo dhe ndonjë emërim tjetër ka mbetur pezull, për muaj dhe vite, për shkak të kësaj kulture, e cila e ka emrin e Kryeministrit. Shqipëria ka cenuar marrëdhëniet strategjike me shtete të rëndësishme të botës, ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve kryesore të saj, thjesht dhe vetëm pse shumica në pushtet nuk don të bashkëpunojë me Presidentin të cilin e ka zgjedhur vetë.

Ngjarja e fundit në marrëdhëniet President- ministër i Mbrojtjes nuk është një çështje thjesht praktikash, siç mundohet të na bindë Ministria e Mbrojtjes. Ajo është shkelja kushtetuese e radhës e një qeverie që në historinë e vet, në dy mandate ka mbi 15 shkelje kushtetuese. Ato janë të lidhura me institucionet që merren me pronën, me emërime, me marrëveshje për kufirin etj. Kjo praktikë shkeljesh kushtetuese është unike në historinë e institucioneve në gjithë Europën Juglindore. Kur je përsëritës në një vepër si kjo, mbase mendon se askush s’do ta marrë për të madhe, duke kaluar me indiferencë. Mbase dhe mungesa e një ndëshkimi për njerëzit e Ekzekutivit që e shkelin Kushtetutën është inkurajuese për shkeljet. Sepse kur Presidenti e shkel Kushtetutën, dhe shkelja konstatohet, ai shkarkohet nga detyra. Po ç’bëhet kur atë e shkel një ministër, apo Kryeministri?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama