Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Arrestim për një foto elektorale

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Arrestim për një foto elektorale

Cilat do të jenë pasojat e aktit të fundit të xhandarmërisë serbe, e cila ka arrestuar dy pjesëtarë të Policisë kosovare? Për të kuptuar diçka më shumë apo arritur në përfundime të drejta, është e nevojshme të nisemi nga shqyrtimi i disa detajeve të këtij veprimi. Apo dhe reagimi i mëpasmë i autoriteteve serbe lidhur me arrestimin.

Në krye të herës duhet thënë se me shumë gjasa ky akt është i konceptuar si akt fuqie i autoriteteve serbe, i paprovokuar nga ndonjë veprim i qëllimshëm i policëve kosovarë. Nuk dihen shumë detaje rreth vendit ku policët janë kapur dhe për këtë po heton KFOR-i, garant dhe palë e Marrëveshjes së Kumanovës, siç dihej se do të ndodhte. Po pse ky akt duhet parë si akt fuqie i xhandarmërisë serbe, gjegjësisht i Serbisë? Sepse fotoja që ishte zgjedhur të emetohej për mediat, e valëvitur me krenari nga ministri i Brendshëm serb, Daçiç, me dy policët kosovarë të shtrirë, të dorëzuar, me armët anash, nën vëzhgimin trimërosh të tre xhandarëve serbë të armatosur, ngjante si një lloj poshtërimi i Policisë, i autoriteteve, i shtetit të Kosovës për konsum të brendshëm propagandistik. Serbia është në fushatë elektorale dhe një foto e tillë ngjan se trimëron nivelin e ulët të zgjedhësve serbë, ndoshta të frustruar prej disa veprimeve të Policisë së Kosovës, me arrestim policësh apo organizatorësh të zgjedhjeve serbe. Vetëm fotoja duhej: në atë pozicion, me atë simbolikë. Asgjë tjetër nuk do t’i shërbente Serbisë në luftën e saj me Kosovën prej këtij akti.

Janë disa detaje që e tradhtojnë aktin e kryer, si një akt burracak dhe të dëshpëruar.

Serbia, që ka marrë ftesën për statusin e kandidatit në BE, nuk guxoi të dërgonte shumë kamera në vendin e arrestimit, në përpjekje që akti të ngjante si spontan, dhe jo i planifikuar si reciprocitet policor ndaj një subjekti që Serbia s’don ta konsiderojë si shtet. Pra ajo kishte frikë ta shpallte si akt të planifikuar arrestimin e policëve.

Së dyti, e bindur për presionin ndërkombëtar që do të vijonte, autoritetet gjyqësore serbe, që në një rast të tillë arsyetojnë politikisht, fiksuan si masë paraburgimi 48-orëshin. Ky veprim, në thelb është akt frike, edhe pse mund të shitet si dëshmi e pavarësisë së sistemit gjyqësor serb, i cili nuk ka pasur provat e mjaftueshme për fajësinë e policëve kosovarë. Ndërkohë dhe lirimi i menjëhershëm i policëve është pasojë e presionit ndërkombëtar të jashtëzakonshëm, i cili, megjithatë, është zhvilluar jo në publik, për të mos dëmtuar shumë partinë serbe në pushtet.

Së treti, veprimi i zgjedhur si reagim dhe hipoteza që ka përdorur shteti serb për të justifikuar arrestimin ngjan i mjerë, pa fantazi dhe jo shumë i gjetur. Është komike hipoteza se policët kosovarë paskëshin hyrë qëllimisht në zonën e gjelbër, ku sipas Marrëveshjes së Kumanovës duhet të patrullojë vetëm policia serbe dhe KFOR-i, dhe ata ishin të pajisur me instrumente vëzhgimi për larg!! Dihet paraprakisht se policët e Kosovës, shteti i Kosovës nuk fiton asgjë; dhe se nuk ekziston asnjë interes kosovar që policët të hyjnë në këtë zonë jashtë juridiksionit të tyre. Kufiri i Kosovës sot është kufiri më i monitoruar ndërkombëtarisht dhe autoritetet e saj s’kanë asnjë nevojë dhe asnjë arsye pse të ekspozohen në veprime aventureske. Kufiri Kosovë-Serbi në të vërtetë është sot kufiri midis Perëndimit dhe Lindjes, ndaj kontrolli i tij nuk është atribut i autoriteteve të Kosovës.

Për të gjitha këto arsye, akti «trimëror» i autoriteteve serbe i cili u korrigjua shpejt, ngjan si akt i dobët, i cili më së shumti ka frymëzim elektoral. Ai ndërkohë evidenton disa momente të tjerë.

Marrëveshja e menaxhimit të integruar të kufirit midis dy vendeve e nënshkruar para disa javësh në Bruksel, me sa duket nuk funksionon. Nuk dihet përmbajtja e saj, por me shumë gjasa ajo do të duhej të zgjidhte dhe raste të tilla apo do duhej t’i shmangte ato.

Ndërkohë, megjithëse ngjan si akt i afirmimit të sovranitetit të Serbisë, arrestimi i policëve kosovarë, edhe me çfarë do ta pasojë, në të vërtetë është afirmim i sovranitetit të Kosovës në kufijtë e përcaktuar ndërkombëtarisht edhe me Marrëveshjen e Kumanovës. Pra Serbia, me ose pa të drejtë, nëpërmjet arrestimit, është duke thënë me fjalë të tjera, se policët kosovarë kishin shkelur kufirin dhe se ky kufi nisur nga ashpërsia e reagimit serb, nuk është kufi administrativ, por kufi shtetëror. Ndoshta është ky momenti legal që mund të ketë mëdyshur dhe autoritetet gjyqësore serbe në reagimin e tyre të përmbajtur. Nëse sipas Kushtetutës së Serbisë Kosova është pjesë e territorit serb, çfarë ligjesh kanë shkelur policët kosovarë, përveç faktit që ishin të armatosur? Ky është absurdi legal, i prodhuar nga reagimi burracak i xhandarmërisë serbe, udhëhequr me siguri vetëm nga ministri i Brendshëm, shefi i partisë së Millosheviçit, Ivica Daçic. Për të gjitha këto dobësi në ndërmarrjen e fundit propagandistike serbe, nuk është përfshirë niveli më i lartë i shtetit serb. Përveç përpjekjes për të mbajtur profil të ulët në këtë akt dhe konsiderimit të tij si akt thjesht policor, Tadiç ruhet të përfshijë emrin e vet në ndërmarrje të tilla, me vlerë kaq të vogël taktike.

Dhe një konsideratë të fundit. Kosova përkundrejt tij duhet të ruajë qetësinë dhe të mos dëgjojë sirenat e atyre faktorëve që kërkojnë reagim të fortë ndaj këtij akti serb që ata e quajnë poshtërim, njëlloj sikur duan ta shpallin dhe autoritetet serbe. SHBA-të në marrëdhënie ndërkombëtare janë gjendur në rrethana të ngjashme me ushtarët (Irak etj.) dhe diplomatët e vet (kujtoni Iranin), por përtej emocioneve, ka mbizotëruar realpolitika.

Ky akt i dëshpëruar i organeve policore serbe në të vërtetë vjen pas perceptimit realist që dominon qarqe të caktuara në Serbi, se edhe nëpërmjet negociatave Serbia nuk ka mundur ta ndalë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përkundrazi. Marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë një luftë e vazhdueshme me shumë beteja. Nëse do të ishte e vërtetë se Serbia e paskësh fituar betejën e fundit, atë të fusnotës së famshme, ajo s’do të kishte nevojë të inskenonte veprime të tilla kaq të trasha në betejën e radhës, e cila do të humbet sërish nga Serbia. Askush në Perëndim nuk mund t’i konsiderojë si të besueshme alibi të tilla qepur trashë, nga qarqe arkaike të institucioneve serbe, të cilat duke arsyetuar në këtë mënyrë në 20 vjetët e fundit, e humbën Kosovën përfundimisht.

Zbythja tërësore serbe, që do të pasojë dhe me lirimin eventual të shpejtë të policëve kosovarë, duket dhe me vendimin për të mos mbajtur zgjedhje lokale në Kosovë e duke ia besuar organizimin e atyre parlamentare dhe presidenciale OSBE-së. Këto zgjedhje nuk kanë asnjë domethënie territoriale apo të sovranitetit serb në Kosovë për dy arsye. Së pari, organizimi i këtyre lloj zgjedhjeve prej OSBE-së si lehtësuese dhe jo prej institucioneve paralele, është gjithashtu dëshmi e pafuqisë së Serbisë për t’i organizuar ato «në një pjesë të territorit të vet». Së dyti, sistemi elektoral serb është proporcional kombëtar, që do të thotë se vota e serbëve të Kosovës nuk ka domethënie territoriale. Ndryshe do të ishte nëse sistemi zgjedhor do të ishte maxhoritar, apo proporcional rajonal. Koha punon për Kosovën edhe tani, ndaj Kosova duhet të punojë për vete, pavarësisht incidenteve si këto. Ky arrestim, me gjithë pasojat e dhimbshme për të arrestuarit, ishte thjesht për një foto elektorale!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama