Koherenca e një ambasadori

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 9 vite më parë

Skënder Minxhozi
Koherenca e një ambasadori

Në një hark kohor prej tre muajsh, Xhon Uithers, ish-ambasadori karizmatik i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka bërë që të flitet sërish për të. Pas intervistës së janarit te “Zëri i Amerikës”, ai ka dhënë një tjetër intervistë, kësaj radhe për mediat shqiptare. Në fakt, ky rikthim i tij në skenë nuk është i vetmi, po të marrësh parasysh se edhe gjatë vitit 2011, kur ai e kishte lënë prej kohësh detyrën, kabllogramet e “Uikiliks” zbuluan imazhe të pamëshirshme të klasës tonë politike, të pikturuara nga diplomati i lartë amerikan. Uithers është rikthyer me një intervistë në shtypin shqiptar, e cila përbën me shumë gjasë, qëndrimin më të ashpër publik që ai ka mbajtur, qëkurse merret me Shqipërinë.

Pak orë pas botimit në Java, intervista e ambasadorit Uithers ka qenë objekt i një lumi të vërtetë reagimesh në të gjitha faqet e mëdha të televizioneve, medias së shkruar e në dhjetëra blogje shqipfolëse. Akuza e tij e thjeshtë, por tronditëse, për sundimin, e jo qeverisjen nga ana e kabinetit qeveritar aktual, përshkrimi “acid” i asaj çka ka lënë pas ngjarja tragjike e Gërdecit, shigjetat e helmuara kundër kulturës së dominimit të Sali Berishës dhe manekin-politikës së Lulzim Bashës, sarkazma për vendime gjyqësore si ai i Metës apo edhe i Gërdecit, apo tonet e grisë së thellë që hidhte mbi situatën në vend, të gjitha këto provokuan, siç pritej, reagimin e “popullit të internetit”.

Në një qasje të thjeshtuar, qëndrimet ndaj fshikullimit të ambasadorit ishin dy: një pjesë e opinionit publik, e cila bashkohej me atë që Uithers thoshte në intervistën e tij dhe një pjesë tjetër, e cila i kujtonte atij se kritikat ndaj Berishës, Bashës apo edhe Ramës e pjesës tjetër të klasës politike, duhej t’i kishte formuluar kur ishte në detyrë.

Ky qëndrim i dytë, i kuptueshëm nga ana etike, na çon në një temë delikate, e cila prek jo vetëm trashëgiminë që ka lënë pas Xhon Uithers, por shumë më gjerë se kaq, të gjithë qëndrimin perëndimor ndaj vendit tonë.

Në dy dekada, në këtë vend ka kaluar një plejadë diplomatësh të huaj, një pjesë e të cilëve nuk merren më fare me Shqipërinë, që janë larguar nga shërbimi diplomatik apo që edhe kanë ndërruar jetë. Kujtohen në këtë vend përfaqësues të vendeve të huaja (kryesisht ato perëndimore), të cilët kanë luajtur role thelbësore në zhvillimet shqiptare, konform aksiomës se në një moment të caktuar, ky vend ka pasur rregullisht nevojë për arbitrazh të huaj.

Ambasadori Uithers mund të jetë ndër diplomatët më të ndershëm dhe të drejtpërdrejtë, si në momentin kur përfaqësonte me stemë dhe vulë shtetin më të fuqishëm të planetit, ashtu edhe sot, kur nga pozita e një personi të tërhequr nga diplomacia aktive, vijon të thotë hapur dhe me pastërtinë më të madhe atë që mendon, për një vend që në skakierën amerikane vlen shumë më pak se një qytet i madhësisë së mesme, diku në Perëndimin e thellë.

Duke lënë mënjanë dosjen e bërë aksidentalisht publike të “Uikiliks” (e cila përmban kritika therëse për të gjitha palët në lojën politike shqiptare), Xhon Uithers ka luajtur në periudhën gusht 2007 - nëntor 2010, një rol primar në të gjitha zhvillimet politike në vend. Natyrshëm që asokohe, por edhe sot, ka jo pak njerëz që kanë mbetur me një shije të hidhur nga mënyra sesi ai ka lundruar përmes situatave dhe interesave të momentit. Kjo është gjëja më e natyrshme që mund t’i ndodhë një personi zyrtar, që përfaqëson një shtet në një vend të tretë, dhe ku i duhet të sillet brenda një qerthulli të caktuar etike dhe qëndrimesh.

Por është mjaft e lehtë të kujtohet, pasi është ende e freskët si histori, se ishte Uithers ai që u përplas në mënyrë frontale me Kryeministrin shqiptar për emërimet në gjykata, që Kuvendi ia kthente mbrapsht rregullisht Presidentit. Ishte ky diplomat, së bashku me ambasadorë të tjerë, që kërkoi nga Parlamenti, që të evitojë një ligj antikushtetues lustracioni, ashtu siç qe po ai që mori në mbrojtje të hapur mediat, që etiketoi me fjalë të ashpra korrupsionin shtetëror dhe shfaqjet e ndryshme të tij. Ka qenë Xhon Uithers shënjestra e të paktën dy tentativave zyrtare të qeverisë shqiptare, për ta larguar nga Shqipëria. Një fakt ky që provon se kreu i përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë mund të qe gjithçka, por jo një njeri i preferuar e kokulur përballë “qeverisë që sundon”.

Kur Uithers thotë sot se kjo qeveri shkon kundër të gjitha parimeve themelore të ndërtimit të demokracisë, në fakt ai hedh në letër një koncept që e ka të konsoliduar në mendjen e tij, pas një ecejakje të gjatë që ka kryer në të gjitha cepat e bulevardit qendror të Tiranës, por edhe në skutat më të largëta të këtij vendi, duke u bërë dëshmitar i një deformimi përherë e më të lexueshëm të idealit demokratik, që po ndodh në Shqipëri në vitet e fundit. Konkluzionet e intervistës së Uithers janë sentenca e hidhur profesionale e jetësore e një njeriu që pa dhe dëgjoi shumë në vendin e shqiponjave. Aq sa arriti me lehtësi në përfundimin se e keqja e madhe e tij vjen jo nga njerëzit e thjeshtë, por nga oligarkia politike e financiare që i ka kapur ata për fyti, e që duhet ndryshuar medoemos. Uithers nuk ka “dhimbje në kujtesë”. Ai i ka në rregull llogaritë e tij me të djeshmen dhe me të sotmen. E dëshmoi edhe në intervistën e fundit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama