Qytetari i mirë Borat paguan pijet

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 8 vite më parë

Albin Kurti
Qytetari i mirë Borat paguan pijet

Gilles Deleuze ka bërë një seri interesante të intervistave kah fundi i jetës së tij. Ato njihen si Abecedaire  dhe përbëhen prej episodeve të përsiatjeve filozofike të atypëratyshme të Deleuze-së. Për secilën shkronjë është zgjedhur nga një fjalë dhe mandej ajo është fabrikuar në koncept filozofik brenda pak minutave. Ky dokumentar francez zgjat gjithsej tetë orë, pra aq sa orari normal i punës. Kështu, te episodi A kemi filozofimin për kafshën (animal), te episodi D kemi dëshirën (désir), te M sëmundjen (maladie), te ai R rezistencën (résistance), e deri te episodi Z, ku kemi trajtimin e fjalës zigzag.

Te shkronja B, Gilles Deleuze flet për pijen (boisson). Ai thotë që pija e alkoolistit konsiston te sasia, pra te vëllimi i asaj që ai pi. Natyrisht që secili alkoolist ka pijen e tij të preferuar, mirëpo përbrenda asaj kornize ai shquan sasinë. Deleuze thotë që kjo gjë i bën qesharakë ata që varen nga droga ose alkooli, ndërkohë që thonë se “unë jam nën kontroll, mund ta ndaloj pijen kurdo që dua”. Sepse, thjesht, ata nuk e dinë se çfarë po thonë.

Kur alkoolisti pi, ai dëshiron të arrijë te gota e fundit. Të pirit do të thotë të bësh gjithçka për të arritur te gota e fundit. Alkoolisti është dikush që kurrë nuk ndalet së piri, që kurrë nuk e mbërrin gotën e tij të fundit pas së cilës do të mund të thoshte se nuk pi më. Pra alkoolisti zgjohet në mëngjes dhe fillon të pijë drejt gotës së tij të fundit. Nuk është e rëndësishme gota e tij e parë, e dytë apo e tretë. Gota e fundit është e rëndësishme, sepse ajo paraqet destinimin e synuar që i imponon gotat paraprake njërën pas tjetrës. Alkoolisti vlerëson (d.m.th. alkoolisti, megjithatë, vlerëson) se sa mund të mbajë pije pa kolapsuar. Ai e vlerëson pijen e fundit dhe gotat e tjera renditen drejt kësaj gotës së fundit që është në pritje.

Mirëpo, çka do të thotë kjo “gota e fundit”? Cili është kuptimi i “gotës së fundit”? Gota e fundit do të thotë që nuk mund të ketë gotë tjetër sot pas gotës së fundit, nuk mund të ketë edhe një gotë më shumë në atë ditë të veçantë. Gota e fundit është gota e fundit SOT, e cila do të mundësonte fillimin e sërishëm të pijes NESËR. Po qe se alkoolisti do ta arrinte njëmend gotën e fundit, atëherë ajo do ta tejkalonte pushtetin e tij. Në atë rast, alkoolisti do të kolapsonte duke përfunduar në spital, duke e ndryshuar sjelljen e të pirit – në përgjithësi, duke kaluar në një aranzhman krejtësisht tjetër. Gota e fundit e paarritur mundëson që alkoolisti ta ketë pushtetin. Kjo është arsyeja pse kur alkoolisti thotë “gota e fundit”, në të vërtetë bëhet fjalë për gotën e parafundit. Po, pra, alkoolisti është në kërkim të gotës së parafundit. Jo në kërkim të gotës së fundit – sepse gota e fundit do të ishte fundi – por në kërkim të gotës së parafundit. Gota e parafundit është gota e fundit para rifillimit të pijes në ditën e ardhshme. Kësisoj, alkoolistët që thonë se nesër do ta lënë pijen, në fakt, thonë që po e lënë pijen sonte për ta filluar atë përsëri nesër. Të pish do të thotë të mos ndalesh së piri.

Dihet që problemi konsiston te nevoja për të pirë e alkoolistit: vetëm kur pi alkoolisti bëhet normal, vetëm kur pi ai ndodhet në majë. Alkoolisti pi drejt kolapsit të tij pikërisht që të mos kolapsojë. Ai nuk është normal pikërisht që të mund të mbetet normal. Ndoshta në fillim alkoolisti ka pirë që të mos punojë, mirëpo më vonë ai s’mund të punojë gjë pa pirë.

Me këto bisedimet e vazhdueshme me Serbinë, në të cilat kemi koncesione po aq të vazhdueshme ndaj saj, qeveria e Kosovës më ngjan mu si një klub alkoolistësh të varur nga pija. Qeveritarët kosovarë, të udhëhequr nga Kryeministri aktual e të cilët po negociojnë me Serbinë, janë pikërisht si alkoolistët. Pija e tyre është koncesioni. Edhe një gotë më shumë do të thotë edhe një gotë më shumë e pijes së tyre të preferuar. Edhe një gotë më shumë do të thotë edhe një koncesion më shumë ndaj Serbisë. Kemi premtime për fundin e koncesioneve pa arritur ta shohim asnjëherë koncesionin e fundit. Ata bëjnë koncesione drejt koncesionit të fundit, të cilin s’e arrijnë dot. Koncesioni i fundit është veçse koncesion i fundit në raudin e fundit të bisedimeve para raundit të ardhshëm, që nis me koncesione të tjera.

Këta dialogues prej alkoolistësh janë të varur nga pija e tyre. Nëse nuk pinë, nuk janë asgjë; nëse pinë, janë gjithçka. Jetojnë për të pirë, por edhe pinë për të jetuar. Pa koncesionet ndaj Serbisë, nuk mund të mbeten në pushtet. Duke lëshuar pe ndaj Serbisë, mbesin të përdorshëm për Brukselin.

Kush do ta paguajë faturën e kësaj pijeje të tyre? Cilët janë ata që do të merren me llogarinë e gjatë në mëngjes, në secilin mëngjes? Qytetarët e Kosovës, natyrisht. Qytetarët si taksapagues për buxhetin që vidhet. Qytetarët si votues të zgjedhjeve që manipulohen. Qytetarët si burim i sovranitetit në territorin që rrudhet. Qytetarët si nënshtetas të shtetit që po dështon.

Mirëpo, së fundi, po thonë se këta qytetarë janë dy llojesh: antiamerikanët dhe antieuropianët në njërën anë, dhe të tjerët që s’janë të tillë, në anën tjetër. Antiamerikanët dhe antieuropianët nuk janë ata që nuk e duan Amerikën dhe Europën. Jo. Ti mund ta duash Amerikën dhe Europën, por varet se si i do ato, varet nga lloji i dashurisë që ke për to. Antiamerikanët dhe antieuropianët janë të gjithë ata që nuk e duan Amerikën dhe Europën ashtu siç e do Borati i famshëm Amerikën kur thotë “I love U.S. of A!” (aktruar nga Sacha Baron Cohen në filmin “Borati: Mësimet kulturore të Amerikës për dobinë e popullit të lavdishëm të Kazakistanit” të vitit 2006). Pra, nuk mjafton ta duash Amerikën për t’u quajtur pro-amerikan.

Duhet të kesh kujdes që Amerikën ta duash vetëm si Borati, në mënyrë që të mos akuzohesh si antiamerikan. Nuk është çështja vetëm që ta duash Amerikën. Amerikën duhet ta duash vetëm në një tip të posaçëm të dashurisë. Amerikën duhet ta duash si një idiot i këndshëm, si një injorant argëtues. Qytetari i mirë i Kosovës është vetëm Borati. Qytetari që nuk e do Amerikën, siç e do atë Borati, është qytetar antiamerikan. Sepse, mu ky qytetari i Kosovës, mu ky qytetari i mirë i Kosovës, duhet të paguajë faturat e negociatorëve prej alkoolistësh, pa bërë zë përveç atëherë kur qeshet me zë.

Në shtetet pa fusnotë mund ta duash Boratin, mund ta urresh Boratin, mund të qëndrosh indiferent ndaj tij. Në shtetin e vetëm në botë që ka fusnotë, je i detyruar të bëhesh Borati. Realiteti i vetëm këtu poshtë i durueshëm prej atyre lart është një simulacra: prej nesh kërkohet të jetohet përbrenda aktrimit të aktrimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama