Turizëm politik?

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Turizëm politik?

Në fjalorin e gjuhës shqipe (botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2006), kuptimi i fjalës “turizëm” shpjegohet si vijon: “udhëtimet e turistëve; veprimtaria për organizimin e zhvillimin e këtyre udhëtimeve”. Dikur, në kohës e qepës apo të sapunit monist, në Shqipërinë social(pun)iste kishte vetëm një lloj turizmi, ai i organizuar nga shteti me qëllim që të huajt, kryesisht, veçanërisht e sidomos simpatizantë të regjimit hoxhist apo anëtarë minimikropartish marksiste-leniniste, të admironin pa kushte arritjet dhe fitoret e socializmit specifik shqiptar.

Me shembjen e diktaturës komuniste dhe me rilindjen e demokracisë e të ekonomisë së tregut, lulëzuan e po vazhdojnë të lulëzojnë në vendin tonë lloj-lloj turizmash: ai i zakonshmi, pra, i atyre që shëtisin, për kënaqësinë e vet, në vende të bukura e, parapëlqimisht, të panjohura për ta; ai kulturor me synim zbulimin, para së gjithash, e vlerave kulturore (folklorike, etnografike, arkeologjike etj.) të vendit; ai i blertë për t’u këndellur në gjirin vende-vende akoma të virgjër të natyrës sonë; ai familjar për të jetuar si shqiptarët e për të kuptuar e shijuar më mirë vendin e vendësit me traditat, doket e zakonet e tyre, por, ndoshta, edhe disa lloje apo nënlloje të tjera turizmi. (Nuk e kam fare fjalën këtu për ndonjë turizëm seksual, si ai i Tailandës, për shembull.)

Gjithsesi, unë sot nuk kam ndër mend të shpalos një analizë të imtë të turizmave të lartpërmendur: siç del nga vetë titulli i këtij shkrimi, do të ndalem vetëm te turizmi i quajtur politik.

Që në krye të herës po nxitoj t’i saktësoj lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm se çfarë kuptoj unë me togfjalëshin “turizëm politik”. Si pikënisje do të marr faktin se qysh në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri, u vu re që disa parti të vogla, fare të vogla, filluan, duke u nisur nga motive pragmatiste të kryetarëve apo të nënkryetarëve të tyre, të kalojnë sa nga njëra parti e madhe në tjetrën parti po aq të madhe, duke bërë me to aleanca të bazuara në interesa në dukje idealiste, por, në thelb, materialiste. Kështu, disa minialeatë të Partisë Demokratike, sidomos pas ngjarjeve të ’97-s, rendën të hidheshin, pa asnjë skrupull apo kompleks, në prehrin e Partisë Socialiste, kurse, pas zgjedhjeve të 2005-s, me t’u rikthyer në pushtet Partia Demokratike, nxituan të ktheheshin në gjirin e saj; po kështu ndodhi edhe pas zgjedhjeve të 2009-s, kur Lëvizja Socialiste për Integrim bëri një pakt me Partinë Demokratike për të qeverisur bashkërisht vendin. Kjo lëvizje lavjerrësi, për mendimin tim modest, mund të konsiderohet fare mirë si një turizëm në peizazhin e lëvizshëm politik të tranzicionit shqiptar.

Përveç kësaj, mendoj që togfjalëshi “turizëm politik” merr edhe një kuptim tjetër në dritën e përkufizimit që na jep për fjalën “tourisme” (turizëm) fjalori “Le Petit Robert” (Paris, 2001, variant elektronik), përkufizim që po e përkthej në shqipe për ata nga lexuesit e mi që ende nuk e njohin gjuhën frënge: “veprim i dikujt që udhëton, për kënaqësinë e vet, në një vend të ndryshëm nga ai ku jeton zakonisht (qoftë kur bëhet fjalë për një zhvendosje të vogël, qoftë edhe kur qëllimi kryesor i udhëtimit është krejt tjetër)”.

Le të marrim një shembull fare konkret: Ta zëmë se një (krye)ministër, (nën)kryetar parlamenti, (nën)kryetar bashkie e kështu me radhë (të majtë apo të djathtë, pak rëndësi ka), shkojnë me shërbim, me paratë e shtetit (thënë ndryshe, me paratë e taksapaguesve), diku përtej kufijve të shenjtë të atdheut tonë të dashur kapitalist; ta zëmë gjithashtu se, pasi e kryejnë detyrën e tyre shtetërore më së miri, ata bëjnë turizëm qoftë vetëm ose me familjet e tyre, në vendin e huaj në fjalë, atëherë, me plot gojën, gjuhën qiellzën e dhëmbët, mund të pohojmë se kemi të bëjmë pikërisht me turizëm politik ose, nganjëherë, me turizëm qeveritar.

Oh, sigurisht, ndodh edhe që zyrtari apo partiaku i lartë të mos udhëtojë jashtë shtetit vetëm me paratë e taksapaguesve: ka raste – ende të rralla ma do arsyeja, por jo intuita – që aksh biznesmen i pasur i ofron (sigurisht për një ose disa arsye konkrete) aksh zyrtari apo partiaku të lartë, por me të ardhura tejet modeste, një udhëtim turistik në Dubai, Sharm-el-Sheik apo gjetiu. Me jo pak gjasë, edhe këtu mund të lindë pyetja e bezdisshme: Mos vallë kemi të bëjmë edhe këtu me turizëm politik?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama