Pu, pu, pu… pusetat!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Pu, pu, pu… pusetat!

Dikur, para nja dhjetë vitesh, një diplomateje franceze, së cilës i jepja mësime të gjuhës shqipe, tek po kalonte në një mbrëmje pa drita në njërën prej rrugëve kryesore të Tiranës, i shkau këmba e ra në një pusetë, së cilës i kishin vjedhur kapakun, dhe dëmtoi rëndë këmbën; u kurua në njërin prej spitaleve kryeqytetas, por, me gjithë përkushtimin e mjekëve shqiptarë, u detyrua të kthehej në Francë për t’u operuar, ndryshe lamtumirë këmbë! Kjo ngjarje m’u kujtua para disa ditësh tek vëreja, ngjitur me pallatin ku banoj vetëm shtatë minuta nga sheshi “Skënderbej”, disa puseta pa kapak. Brenda pashë plehra të hedhura me siguri nga fqinjët e mi (e kush mund të ishte tjetër? Me siguri jo eskimezët e Groenlandës së bardhë, as banorët e Afrikës së zezë). Po le të mos dalim jashtë teme.

Tema e këtij shkrimi është pikërisht zhdukja ose, më saktë, vjedhja sistematike e kapakëve metalikë të pusetave. Dikur, para se zoti Basha të zgjidhej kryetar Bashkie, qarkullonin zëra sikur individë të paskrupuj nga Bashkia merreshin vesh me vjedhësit duke i nxitur të vidhnin kapakët e pusetave në mënyrë që të përshpejtohej shpallja e një tenderi për kapakë pusetash me synim përfitimesh të paligjshme. Po sot si qëndron puna? Kaq e pazonja të jetë vallë Policia Bashkiake ose thjesht policia, saqë nuk i kap dot në flagrancë vjedhësit? Do të mjaftonin për këtë disa kontrolle të befasishme në ato pak shkritore që ende funksionojnë në Tirana për t’i mbërthyer vjedhësit nga prapanica e për t’ua dorëzuar, bashkë me drejtorët apo pronarët e shkritoreve, organeve kompetente të drejtësisë sonë të pagabueshme. Sepse, ma ha mendja, kapakët e pusetave buzë trotuareve vidhen për t’u shkrirë si skrap.

Apo, mos vallë vidhen për ndonjë arsye tjetër që unë nuk mund ta përfytyroj dot? Miku im i vjetër, Vangjel Lezeti, të cilit i kanë lezet lajthitjet e lezetshme të imagjinatës së paparashikueshme, më tha një ditë, tek bisedonim për këtë temë, se nuk është e pamundur që përvetësuesi i kapakëve në fjalë të jetë ndonjë pasunar koleksionist origjinal e çmendurak, që duhet ta ketë mbushur vilën e tij disakatëshe me frytin e vjedhjeve të tij të denja për maniakët më të rrallë që mban toka shqiptare. Mund të jetë, me gjasë, edhe ndonjë sfidant rekordesh guiness. Mund të jetë, me po aq gjasë, edhe ndonjë mbrojtës i botës së nëndheshme shtazore: gjynah krijesat e shkreta të pusetave, të cilave u mungon ajri i pastër i Tiranës, më i pastërti në botë, atje poshtë ku jetojnë si mos më keq, ku as drita e diellit nuk depërton!

Thuhet, gjithmonë sipas mikut tim Vangjel Lezeti, se kafshëzat e mjera, me të cilat janë bashkuar lloj-lloj insektesh, kanë vendosur të nisin një përfaqësi të tyre te zoti Basha që t’i luten atij të mos vendosë kapakë metalikë te pusetat, madje të shpallë botërisht se do të shpërblehen gjithë ata persona që do t’i përvetësojnë kapakët ende të pavjedhur të pusetave të kryeqytetit tonë për t’u dhënë më shumë dritë e ajër banorëve të tij të nëndheshëm; në fund të fundit, përse të mos i propozohet edhe zotit Kryeministër, edhe zonjës kryetare të Kuvendit që personat e konsideruar padrejtësisht deri më sot si vjedhës kapakësh pusetash, të dekorohen me medalje si shpëtimtarë të nënshtresave të nëndheshme më të varfra të Tiranës, madje edhe të të gjitha qyteteve e qytezave të  Shqipërisë? Përse, vallë, më kot është miratuar në Kuvend ligji kundër çdo lloj diskriminimi jo vetëm social, por edhe zoocial?

Gjithsesi, kam kohë pa komunikuar elektronikisht me diplomaten franceze që përmenda në krye të këtij shkrimi. Në njërën prej këtyre ditëve, do t’i shkruaj për ta pyetur si e ka këmbën dhe, në e pastë shëndoshë e mirë, do ta ftoj të vijë thjesht për turizëm në Tiranën time të dashur, ku me siguri, deri në verë, nuk do të ketë mbetur më asnjë kapak pusetash, në mënyrë që unë t’ia vazhdoj mësimin e gjuhës shqipe duke i dhënë për detyrë të më recitojë përmendësh disa fjali që t’ia zgjidhin gjuhën si, për shembull, “kupa me kapak, kupa pa kapak”. Por, pasi të ketë parë se gjithë pusetat janë pa kapak, ajo me siguri do të më recitojë: “Pu, pu, pu… pusetat me kapak, pu, pu, pu… pusetat pa kapak”!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama