Gjuha diplomatike në Tiranë

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 9 vite më parë

Skënder Minxhozi
Gjuha diplomatike në Tiranë

Një ndër barometrat më të sigurt e njëherësh më të klikuar, për të kuptuar sesi shkojnë punët shqiptare ndër vite, kanë qenë dhe janë qëndrimet e ndërkombëtarëve për çështje dhe situata nga më të ndryshmet. Nuk është keq të kujtohet se përtej antipatisë jo të rrallë që ka ngjallur në kohë kjo varësi endemike e vendit tonë nga humoret e të huajve, thuajse të gjitha krizat e mëdha dhe të vogla të dy dekadave të fundit, janë zgjidhur me ndërmjetës joshqiptarë.

Një barometër drejt të cilit u kthyen sytë, në këtë fillimviti, ishte edhe qëndrimi më i fundit i Presidencës daneze të Bashkimit Europian. Intervista e ambasadorit Jensen nuk i tradhtoi as pritshmërinë e atyre që prisnin një gjuhë të hapur dhe direkte, e as ndjesinë se trenat që kemi humbur drejt Europës nuk kanë qenë fatalitet rastësor, por fryt i imazhit të keq që vazhdojmë të kemi në Bruksel dhe rreth tij.

Rreth asaj interviste pati një jehonë të gjerë. Padyshim, për shkak të përmbajtjes së saj, e cila, duhet thënë se doli nga rreshti i artikulimit diplomatik standard. Shumëkush e ka konsideruar atë si gjuhën e një miku që të flet hapur. Sigurisht që është e tillë.

Por përtej elementit njerëzor, përtej simpative apo edhe antipative të mundshme që ajo mund të ketë krijuar në katet e ndryshme të pallatit të pushtetit, kjo intervistë vendosi me shumë gjasë një standard të ri komunikimi të komunitetit diplomatik në Tiranë, ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Mjafton një ndër shumë elementët e intervistës, ai për bojkotin dhe efektet e tij, për të kuptuar sesa e re dhe e pazakontë ishte qasja e ambasadorit Jensen ndaj një problemi të thellë si ai i pjesëmarrjes së opozitës në Kuvend dhe pasojave të saj në procesin e integrimit europian.

Gjithsesi do të duhet kohë për të parë nëse ajo do t’i ketë lëvizur nga vendi gjuhën dhe humoret e pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar. E sigurt, për momentin, është se ky prononcim i hapur dhe i ashpër ndaj fenomeneve negative që mbajnë lidhur të ardhmen e Shqipërisë, përfshihet, më gjerësisht, në një fluks deklarimesh e qëndrimesh, të cilat duken në lëvizje e fermentim të vazhdueshëm. Dhe tema e zgjedhjes së presidentit duket se po kthehet këto orë, në tryezën e eksperimentit, edhe për ndërkombëtarët. Deklarata e fundit e ambasadorit të OSBE-së, se duhet një kryetar shteti konsensual, përbën një spostim të dukshëm të qëndrimeve të deridjeshme, të cilat ishin të matura dhe të përgjithshme. Për më tepër, kur ky artikulim vjen nga një përfaqësues diplomatik që s’mund të akuzohet si “mik i Edi Ramës”, fakti duket edhe më i habitshëm. Përtej kalkulimeve të rastit, si ai që hidhte dje në shtyp një deputet i mazhorancës (zgjedhja e Berishës president afron daljen e tij të butë nga politika), duket qartë se ndërkombëtarët po fillon t’i trembë seriozisht këmbëngulja, pse jo arroganca, e koalicionit qeverisës, për të marrë “me Kushtetutë” kreun e shtetit. Çka shihet nga shumë anë si paradhoma e kapjes së shtetit nga fyti, prej një partie. Më saktë, prej një njeriu të vetëm.

Nga ana tjetër, deklarata e fundit e ambasadorit amerikan Arvizu, se do të pëlqente, në parim, të shihte opozitën fituese, tingëllon si diçka më shumë sesa një ushtrim didaktik demokracie pluraliste. Megjithëse e kumtuar në një kontekst që parimisht nuk lë vend për keqinterpretime, kjo frazë e zotit Arvizu vështirë se ka qenë muzikë në veshët e zotit Berisha, i cili nuk dëshiron ta dëgjojë as në mënyrë hipotetike, se një ditë Edi Rama mund të vijë në pushtet.

Diplomatët kryesorë në Tiranë po marrin, në këto ditë të para të janarit, një rol parësor dhe mjaft aktiv, duke prekur pa hezituar temat e nxehta, të cilat me siguri do të jenë nyjet e ardhshme të debatit politik në Shqipëri. Frika se mos zgjedhjet e 2013-s dhe zgjedhja e presidentit mund të hedhin në erë negociatat në vazhdim për reformat elektorale dhe parlamentare, duket se është një çmim me të cilin duhet bashkëjetuar. Sepse s’mund të biesh dakord njëkohësisht për zgjedhjet, e të mos merresh vesh për kreun e shtetit. Të huajt që monitorojnë situatën politike në vend, nuk po ngurrojnë t’i prekin të gjitha pikat delikate të procesit politik, duke u përpjekur të riparojnë gjatë ecjes, një vagon që rrezikon të dalë nga shinat.

Disa deklarata të shkëputura ndoshta nuk përbëjnë një fenomen. Me shumë gjasë është kështu. Porse është gjithaq e pamohueshme se ka një frikë në rritje të bashkësisë ndërkombëtare, se situata në Shqipëri mund të dalë sërish jashtë kontrollit, duke e grisur smaltin e hollë të normalitetit që u vendos pas shtatorit. Është mirë që diplomatët e lartë flasin. Sepse kur ata flasin, heshtin politikanët tanë. Dhe sa më shumë të heshtin këta të fundit, aq më pak gafa dhe tension do të prodhohet në ajër, për veshët e shqiptarëve të lodhur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama