Përballë Berishës

Shkruar nga: Sokol Balla  
Botuar më: 11 vite më parë

Sokol Balla
Përballë Berishës

Nëse dikush që nuk jetoi janarin 2011 (pranverën e Tiranës elektorale dhe verën e nxehtë e të thatë të Sashenkës), do të vinte sot në Shqipëri, e shihte zbukurimet luksoze të Tiranës, sheshin “Skënderbej” si holli i aeroportit të Rinasit, votat konsensuale në Kuvend, Ramën në Twitter dhe Voice of Albania, do mendonte se ky vend qeka “ven për s’mari”. Por për momentin i vetmi që e sheh Shqipërinë kështu, është kreu i OSBE-së, si dhe sigurisht Fatos Nano, në vizitën e tij të radhës në “Shqipërinë mike”. Bile mos u çudisni kur zoti Volfart të përshëndesë aktin, nëse Kryeministri më 21 janar të 2012-s të kryejë edhe një vizitë të negociuar në shtëpinë e viktimave të 21 janarit, ku të shprehë keqardhjen për incidentin fatkeq, e për vrasjen nga plumba “që nuk erdhën nga armët e Gardës”.

Por edhe vetë Kryeministri, i interesuari kryesor që të mos ketë shqetësime nëpër këmbë, e di fort mirë se punët nuk po ecin edhe aq mirë, dhe se ka fatin e madh se e luan lojën dinakërisht, sa gjendet thuajse gjithmonë pa asnjë pengesë përballë.

Pengesa e fundit, Edi Rama, i ka dhënë takim më 2013. I qetë dhe i mbyllur në Kullën Rozë, ai po drejton aksionin e ndarjes së pushtetit, që është i sigurt që do ta marrë në zgjedhjet e ardhshme, tani që edhe ndërkombëtarët e kanë “falur” mosbindjen e tij të janarit, pasi e ndëshkuan me heshtje kujën e tij dhe të gjithë opinionit publik, për dhunën zbathur të pushtetit në garën spektakolare për Bashkinë e Tiranës. Edhe ai, mendon se gjërat nuk shkojnë mirë në këtë vend sigurisht. Por po pret, që të bëhen më keq. Duke u shmangur e vënë përballë Berishës një pasqyrë, me shpresën se Doktori do ta thyejë atë. Por ata që e njohin Doktorin, e dinë se përpara një pasqyre, ai rruan mjekrën dhe asgjë tjetër.
 
Por ja që edhe kësaj radhe, nuk është e thënë që Berisha të hyjë në një vit të qetë. Posaçërisht e enjtja duhet të ketë qenë një ditë e trishtë për të, që i është shtuar edhe mërzisë së tij protokollare, gjatë funeralit të Vaclav Havelit. Arsyeja e trishtimit të tij quhet Bamir Topi.

Presidenti i Republikës në një deklaratë koncize, emocionale, të ashpër dhe të prerë, i mbylli rrugën lojës që kreu i PD-së kishte nisur që kur la të kuptohej se Bujar Leskaj mund të votohej si kreu i ri i Kontrollit të Shtetit. Loja ishte në dukje e thjeshtë, pasi të tilla kishin qenë ndaj saj edhe vetë deklaratat e Topit. “Doktori nuk ka më luftë me Bamirin”, thoshin sythat e tij nëpër Tiranë. Bamiri, që kishte thyer heshtjen në “Top Story”, e kishte rimarrë atë, e kishte ngjitur me vinovil dhe po e përdorte shqetësueshëm prapë. Derisa Berisha, pasi lexoi filxhanin te llaxorja e vet dy të enjte më herët, lëshoi fjalinë e thatë. Se Bamirin nuk e kandidojmë. Bamiri u përgjigj se ishte kthyer në mesfushë, çka te PD-ja u përkthye se Bamiri u zbyth edhe kësaj radhe. U tërhoq në heshtjen e tij, ashtu siç kishte bërë kur shpërtheu më 2007 ndaj “falangave puniste në PD”, për të marrë pas pak ditësh Presidencën. Si më 2008, kur shpërtheu për ndryshimet kushtetuese, por që në heshtje e për 4 minuta i firmosi pak ditë më pas. Si më 2011, kur heshti për dhjetë muaj për fyerjen në 3D, si puçist, horr dhe i paaftë. Deri ditën kur u shfaq sërish, elokuent, qesëndisës dhe kërcënues në “Top Story”, duke ndryshuar, me deklaratën e tij për rikthimin në politikë, koordinatat e politikës shqiptare.

Të enjten Bamir Topi foli për herë të fundit para gazetarëve si president. Por në fakt, mesa duket, ishte edhe fjalimi i tij i fundit si kreu i shtetit. Duke i hequr kështu mundësinë Berishës për t’i tundur atij karotën e një mandati të dytë, si një shans in extremis për të shmangur krizën e madhe politike, institucionale, kushtetuese të korrikut 2012. Krizë që deri dje Kryeministri e merrte lehtë, pikërisht se Bamir Topi i ofronte atij zgjidhjen e lehtë, mundësinë më të madhe për 84 votat, ashtu si në vitin 2007. Por tani kjo mundësi nuk ekziston.
 
Tani ekziston vetëm Bamir Topi. Si dhe pikëpyetjet për të: A ka ai thelb? Nuk di, por sigurisht ka qytetarinë e Ramës, inatin e Berishës dhe zotëron lojën e prapaskenës po aq mirë Meta. Duke mos qenë qytetar i formatit ekzuberant Nano, as politikan dialektor si Topalli, e me raporte shumë të mira edhe me Lul Bashën. A ka ai mbështetës? Unë besoj se ikja nga kreu i shtetit dhe zbritja në politikë sigurisht do t’ia ulin atij popullaritetin që e ka pasur gjithmonë “përtej të majtës dhe të djathtës”. Unë gjithashtu nuk e gjej dot sesa vota ai sot do të marrë nga e djathta, pasi mbetet një rebus misterioz, deri dje i mbyllur në kasafortën e Selisë Blu. Por një gjë e them me siguri. Se Bamir Topi do të marrë vota edhe nga e majta. Thjesht dhe vetëm për një arsye. Ai ka të gjitha shanset dhe mundësitë, sepse ai nuk zbret thjesht në politikë. Kështu si janë punët sot, ai po zë një vend bosh. Në skenën publike, politike. Në qytet, kryeqytet dhe po, po, edhe në bulevard. Aty ku e shanë dhe e nëpërkëmbën. Ai po zbret aty, për të zënë një vend të lënë bosh. Përballë Berishës. Ai vend ka sjellë gjithmonë vota. Ndoshta jo gjithmonë mjaft për të fituar një garë me Berishën. Por lënia e vendit bosh përballë Doktorit, ka sjellë sigurisht humbjen, talljen dhe harresën. Për këtë pyesni kë të doni. Nga Genc Pollo, e deri te Nano.

Ramën nuk e pyesni dot. Ai flet vetëm në Twitter.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama