Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Qeni dhe majmuni

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Qeni dhe majmuni

Të dielën e kaluar, ju, lexuesit e mi njëkohësisht besnikë e kritikë, mund t’i keni hedhur një sy kësaj rubrike për të lexuar shkrimin tim të radhës me titull “Qaforja”. Nëse jo, nuk keni humbur kushedi se çfarë, por, gjithsesi, ja cili ishte thelbi i tij: Meqë në Amerikë është shpikur një lloj qaforeje elektronike, e cila e pengon qenin të lehtë duke ia ngacmuar atij fytin, çka e detyron atë të kafshojë gjuhën, unë hidhja idenë se “morisë së pafundme të analistëve, opinionistëve, sociologëve, politologëve, mendimtarëve, moralistëve apo filozofëve e plot të tjerëve që nuk reshtin së foluri (pa përjashtuar, ndonjëherë, edhe vetveten, nuk e mohoj kurrsesi), do t’u bënte shumë mirë sikur të pranonin që, gjatë emisioneve televizive ku marrin pjesë, gazetari t’u varte në qafë një “qafore amerikane” dhe ta aktivizonte atë me telekomandë sa herë që analisti, opinionisti, sociologu, politologu, mendimtari, moralisti apo filozofi i rastit të fliste apo, më saktë, të lehte duke dhunuar paturpësisht të drejtën e të ftuarve të tjerë për ta marrë edhe ata fjalën”.

Sigurisht, sidomos në Internet, ka lexues që reagojnë, negativisht apo pozitivisht, ndaj rubrikës sime të së dielës, por kësaj here u befasova këndshëm kur dikush nga vetë raca analopiniosociopolitofilozofike, më dërgoi sms-në e mëposhtme, me humor të hollë e vetëqesënditës: “Kush do t’jua dëgjojë këshillën për vetëfrenim, do të shpëtojë nga devolucioni darvinian i kthimit mbrapsht në qen. Vlen edhe për mua që përpiqem të mos zbres më poshtë se majmuni”. Vetëkuptohet që unë nuk do ta zbuloj identitetin e autorit të smssë në fjalë, aq më tepër që ai është jo vetëm mjaft i njohur në mediat tona elektronike e të shkruara, por edhe i vlerësuar për maturinë dhe objektivitetin e analizave të tij. Me (por edhe pa) lejen e tij – duke i kërkuar paraprakisht ndjesë për guximin tim gati të paturpshëm (A do të shpikin më në fund amerikanët ndonjë tip qaforeje tjetër elektronike edhe për ata që, si puna ime, lehin edhe me shkrim?) –, po e lë veten të tundohem nga ballafaqimi i klithmës së qenit me atë të majmunit: Kur qeni klith, themi që ai leh, kjo dihet, po për majmunin që klith çfarë thuhet? Këtë nuk e dimë, sepse tek ne, në pyjet tona të përgjysmuara pa pikë mëshire nuk ka majmunë. Por ç’thuhet tjetër për majmunin?

Me sa kam dëgjuar qysh në vogëli, majmuni shkërben, pra, përqesh, imiton tjetrin; thuhet gjithashtu që ai ngërdheshet, pra shtrembëron fytyrën, ndër të tjera, për të përqeshur dikë. Si përfundim, përshtypja ime është se, ndërsa qeni kryesisht leh e, me raste, kafshon, majmuni vetëm sa vë në veprim mimikën për të shprehur emocionet e veta, pra, për të reaguar në mënyrë komike e paqësore ndaj ngacmimeve në drejtim të tij. Le të kthehemi tani tek analistët, opinionistët, sociologët, politologët, mendimtarët, moralistët apo filozofët tanë të nderuar e prej vitesh të pranishëm të paktën disa herë në javë në ekranet tona të televizorit. A i ka vëzhguar ndonjëherë gjatë lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm gjestet dhe mimikën e tyre ndërkohë që flasin, bërtasin, çirren apo ulërijnë duke kafshuar (në mënyrë të figurshme, natyrisht) sa herë të ngjashmit e tyre nuk janë të të njëjtit mendim? Nëse po, a nuk ka ai ndjesinë që ata janë të krahasueshëm shumë më tepër me qenin sesa me majmunin? Kjo është pikërisht ndjesia që kam edhe unë, madje jo rrallëherë, sa herë ndjek debate televizive, prandaj e kuptoj fort mirë shqetësimin e autorit të sms-së së lartpërmendur për të mos zbritur më poshtë se majmuni, ndonëse është i denjë të rrijë atje ku është, sepse edhe thjesht në mimikë e lëvizje gjymtyrësh, ai është tejet i kursyer.

Së fundi, do t’i lutem lexuesit tim të rregullt të hapë “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) së pari te fjala “majmun”, ku do të vërejë se shpjegimi i kësaj fjale zë vetëm tre-katër rreshta, dhe së dyti te fjala “qen”, ku do të habitet nga numri i konsiderueshëm i togfjalëshave apo shprehjeve, gati tridhjetë, të ndërtuara me këtë fjalë e me kumbim përbuzës, që përdorim ne, shqiptarët; ja disa syresh: kush fle me qenin, ngrihet me pleshta; e vrave qenin, hidhe në përrua; ç’i duhen qenit brekët; është për t’ua hedhur qenve; kujto qenin, bëj gati shkopin, qentë le të lehin, karvani shkon përpara; si qen i lëshuar nga zinxhiri; qen i tërbuar; qen i rrahur; qen rrugësh; qen zorrësh; jetë qeni; shkoi si qeni në vresht; shkoi për dhjamë qeni etj., etj. Kësaj liste, që mund të ishte edhe më e gjatë, mund t’i shtohet edhe togfjalëshi “qen cirku” nëse konsiderojmë që ka emisione televizive me debate ku disa nga pjesëmarrësit të kujtojnë herë pas here konet e sheqerosura që, tek i dëgjon, të krijojnë një si ndjesi të çuditshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama