Sheshi në qendër

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Sheshi në qendër

U mbushën gjashtë muaj që nga zgjedhjet vendore të 8 majit dhe ja, më në fund, pas dy vjetësh rrëmuje, rrokopuje e rrungaje, hapësira në qendër të kryeqytetit nga përshesh made in Rama u kthye në shesh made in Basha. Këmbësorë, biçiklistë e automobilistë po marrin frymë më lirisht. Skënderbeu gjithashtu, që nuk guxonte më të bënte – por pa e parë askush – një xhiro as me kalë e as më këmbë, aq aventurë e rrezikshme i dukej kjo mes gropave ku mund të rrëzoheshin të dy, kali dhe i zoti. Edhe biçikleta ime modeste është e kënaqur, pa folur për ato pjesë të trupit tim që vuanin sa herë që më binte udha nga ish-përsheshi. Vërej me kënaqësi se është shtuar numri i pemëve dhe i metrave katrorë me gjelbërim, si edhe i vendqëndrimeve të këmbësorëve. Me shumë gjasë, pavarësisht se kjo pamje mikluese për syrin dhe mendjen mund të jetë e përkohshme, sheshi “Skënderbej” më në fund ka kuptim.

Gjithsesi, bie në sy një dukuri disi e pazakontë për një shesh në qendër të kryeqytetit: numri jo i vogël i atyre që shesin (me licencë apo pa licencë?) çikërrima të tipit celularë, ushqyes, kufje e të tjerë aksesorë telefonie të lëvizshme. Përfytyroni, për një çast, sikur edhe në “Place de la Concorde” të Parisit, në “Peccadilly Circus” apo “Trafalgar Square” të Londrës, “Piazza Venezia” të Romës, “Plaza Mayor” të Madridit apo në “Sheshin e Kuq” të Moskës të gëlonin grupe njerëzish me nga një tezgë të vogël apo kuti kartoni përpara apo thjesht me një copë gazete të shtruar në trotuar e të shisnin pak a shumë të njëjtat çikërrima si te sheshi “Skënderbej” i Tiranës. Ç’do të mendonin vendasit, turistë apo thjesht kalimtarë? Po të huajt? Imazhi i një kryeqyteti të denjë për emrin e tij varet edhe nga hollësira të tilla, të cilat, rrjedhimisht, nuk duhen anashkaluar.

Uroj, shpresoj dhe besoj se Bashkia do t’i hedhë një sy më të vëmendshëm këtij shqetësimi që po ngre sot, ndryshe, po e la këtë dukuri të zërë rrënjë, të “vetëligjërohet” falë rutinës dhe inercisë mesdhetare që ende na karakterizojnë ne, shqiptarët, dhe po qe se ne, kalimtarëve të përditshëm, na mësohet syri, atëherë zgjidhja do të jetë më e vështirë. Më e vështirë sepse, ndërsa sot çikërrimtarët qëndrojnë në këmbë, nesër do të ulen me mallin e tyre përpara në stolat që janë konceptuar e vendosur për kalimtarët, sidomos për të moshuarit; nëse sot ata rrinë atje disa orë në ditë, nesër mund të rrinë më gjatë e do të duan të hanë apo të pinë diçka, por mbeturinat nuk do t’i hedhin gjithmonë në vendet e caktuara; nëse sot, tek presin t’u vinë blerësit, kuvendojnë me njëri-tjetrin, nesër do të shtrohen këmbëkryq e do të luajnë me letra, domino ose shah dhe, ndërsa luajnë, do ta pinë ndonjë birrë apo kafe, por, pse jo, edhe ndonjë gotë raki me ndonjë meze të improvizuar; po ndodhi kështu, aty pranë do të vijë ndonjë shitës ambulant qoftesh e sallami të pjekur; në fund të fundit, përse të mos zërë vend pranë tyre edhe ndonjë kioskë apo mejhane e lëvizshme? Së fundi, por jo më së paku, po nevojat vetjake ku do t’i kryejnë?

Problemi mund të koklavitet më tej ditën kur, me gjasë, mund të plasë ndonjë sherr për punë “konkurrence” midis çikërrimtarëve: njëri mund të shajë, tjetri mund të godasë dhe, nga gjaknxehtësia, pasojat mund të jenë edhe më të rënda.

Sigurisht, unë nuk dua të luaj rolin e Kasandrës, as të atij që francezët e quajnë “prophète de malheur” (parashikues fatkeqësish), por mendoj, madje jam i bindur, se i takon Bashkisë t’u dalë përpara dukurive të pakëndshme, sepse të qeverisësh, edhe në nivel vendor, do të thotë, së pari, të vëzhgosh, së dyti, të parashikosh dhe, së treti, të mbash përgjegjësi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama