Neron apo Jul Cezar?!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 9 vite më parë

Skënder Minxhozi
Neron apo Jul Cezar?!

Një e shtunë e ftohtë në Romë, në dyert e Presidencës italiane, ku turma të irrituara hidhnin monedha dhe fyerje gjithfarësh, ka qenë fundi me shumë gjasë i karrierës së shkëlqyer ngjitëse të njeriut që dominoi fuqinë e gjashtë ekonomike të botës në këta dy dhjetëvjeçarë. Silvio Berluskoni u largua nga takimi me Presidentin Napoletano, të cilit i paraqiti dorëheqjen, përmes një daljeje anësore, si për të dëshmuar se tashmë për të s’ka vend në vitrinën e politikës italiane. Shumëkujt, kjo ikje pa lavdi e nën eskortën e truprojave, i kujtoi largimin e ish-kryeministrit Kraksi (një mik i tij i ngushtë) në vitin 1993, kur qindra protestues e goditën me monedha në dalje nga hotel “Rafael” në Romë. Çka shënoi fundin politik të ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste Italiane.

Rënia e Berluskonit vjen pas një hapi të ngjashëm, por në rrethana e për arsye të tjera, që u ndërmor në Greqi, ku Papandreu i lëshoi vendin një teknicieni. Po ashtu siç ndodhi edhe në Itali, ku Mario Monti, një ekonomist i shquar, përgatitet të marrë frenat e anijes së çakorduar italiane. Kriza e ashpër ekonomike e financiare ka qenë vetëm prologu, goditja finale, për një karrierë si ajo e manjatit të mediave, i cili prej kohësh vuante dukshëm konsumin e viteve në krye të timonit të politikës, por edhe akuza të rënda që shkonin nga favorizime për firmat e biznesit të tij, klientelizëm partiak, mungesë takti e incidente të përsëritura që shkaktonin skandale diplomatike, e deri te historitë me sfond seksual me të mitura.

Dorëheqja e Berluskonit shënon fundin e një ere politike në Itali. Të asaj epoke ku shteti u vu nën trysninë dhe interesat e një grupi të ngushtë biznesi, kur zgjedhësit u shndërruan në spektatorë dhe kur qeverisja u shkëput në një masë të konsiderueshme nga situata konkrete që kalonte dhe kalon Italia e sotme plot kriza.

Një Neron apo një Jul Cezar, pyeste veten shtypi britanik para disa ditësh. Kjo dilemë, sot që Berluskoni nuk është më Kryeministër, duket se do ta shoqërojë edhe për shumë politikën italiane. Nuk duhet harruar që Kavalieri është ende kreu politik i panelit që ka (ose më mirë kishte) shumicën në Parlament. Kësisoj, ai do të vijojë të jetë një prezencë hijerëndë në politikën e Apenineve, të paktën edhe në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë largimi nga ekzekutivi shihet gjerësisht si një rënie nga e cila Berluskoni s’do ta marrë më veten. Deklaratat pozitive të liderëve botërorë, reagimi çlirues nga qendrat financiare, na thonë se largimi i tij shihet tashmë si një parakusht për ringritjen e Italisë nga kriza ku qëndron e zhytur.

Në botën e vogël shqiptare, ky spostim i bujshëm pushteti që po ndodh në dy vendet më të afërta fqinje, s’mund të mos ngjallte kërshëri dhe debate. Të përgatitur për t’i gjetur menjëherë një kontekst “shqiptar” çdo ngjarjeje e zhvillimi global, ne s’mund të mos hidhnim shpejt e shpejt paralele mes asaj që ndodh këto orë në Romë e Athinë dhe asaj që (s)ndodh në Tiranë.

Fillimisht duhet thënë se të ndërtosh një paralele mes ikjes së Berluskonit sot dhe asaj të qeverisë shqiptare e kreut të saj, në momentin që do të ndodhë, është diçka sa e thjeshtë, njëherësh aq edhe spekulative. Nëpër blogjet e internetit, gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një rrebesh të vërtetë komentesh, të ngritura pikërisht mbi këtë paralelizëm. Nga njëra anë karriera e ngjashme në rrafshin kohor (17 vjet për Berluskonin e mbi 20 vjet për Berishën), fakti që të dy e kanë dominuar me çdo mjet e mënyrë shtetin dhe pushtetin, personalizimi i politikës përmes klientelizmit, dredhive, propagandës së fryrë e prenotimit të mediave, konsumi i madh i imazhit publik, i vendos këta dy burra në një rrafsh deri diku të përbashkët. Për më tepër, ata i bashkon edhe fakti që kanë pas shpine një formacion politik që i ngjan një firme private, ku nuk dëgjohet asnjë tingull veç zërit të tyre kumbues dhe ku s’guxon të mbijë asnjë fije bari e ndryshme nga “varieteti” i tyre. Berisha dhe Berluskoni, dy të “alkoolizuar” nga pushteti, kanë influencuar si pakkush në dy dekada jetët e banorëve të dy brigjeve të Adriatikut, duke lënë një shenjë të thellë mbi trupin e dy vendeve, që në vetvete janë shumë të ndryshëm e specifikë.

E, megjithatë, nga ana tjetër, Berluskonit të sotëm (por edhe të djeshëm), mund t’i gjejmë një pafundësi ndryshimesh nga homologu i tij i vogël dhe servil i bregut përballë. Me gjithë anatemimin kolektiv që i bën sot Italia këtij “playboy” të politikës, siç e quante “Nju Jork Tajms” pardje, Berluskoni nuk arriti të prekë minimume historike të respektimit të të drejtave, si ato që shohim sot e gjithë ditën në Shqipëri.

Berluskoni nuk u dënua kurrë në 17 vjet nga një gjykatë, për dhjetëra akuzat që i ngritën, por ama ai nuk shkoi deri aty sa t’i kthente gjykatat në shoqata gjuetie kundër oponentëve të tij. Përkundrazi, lista e akuzave dhe e proceseve gjyqësore ku ai ishte i pandehur, kaloi shifrën 100, pa llogaritur seancat dëgjimore dhe miliona eurot e shpenzuara për avokatët. Qeverisja e Berluskonit, sado që u përpoq, nuk e preku dispozitivin e drejtësisë italiane. Një ndryshim ky si nata me ditën me vendin tonë. Ku nata, padyshim që jemi ne.

Për arsye objektive që lidhen me ndryshimet cilësore që ka sot mes Shqipërisë, si vend i dalë së fundi nga diktatura dhe Italisë, një vend i zhvilluar e demokratik, ajo që ndodhi me Berluskonin është e pakonceptueshme që të ndodhë në Tiranë. Këtu, megjithëse skandalet qeveritare vrasin njerëz, megjithëse ministrat prekin e ndryshojnë vendimet e Parlamentit ditën për diell, megjithëse politikanët më të lartë akuzohen konkretisht për afera që mbajnë erë të keqe që së largu, asgjë nuk ndodh. Jo që nuk ikën Kryeministri, por as ata që rrinë anash tij. Antiligji është ulur këmbëkryq dhe opinioni publik hesht.

Në Itali, sado që kriza dhe degjenerimi i pushtetit kaluan çdo masë, sërish nuk u përjetua një situatë si kjo e jona, e cila ngjan me titullin e filmit të famshëm “Koncert në vitin ’36”. Prandaj duhet ta vëmë shpirtin në paqe e ta ndjekim fatin e Silvio Berluskonit si një gossip politik të zakonshëm, pa ndonjë shpresë të madhe se ky breg i Adriatikut do të jetë në gjendje të prodhojë ndonjë proces reflektimi e vetëkorrigjimi të klasës politike drejtuese, sadopak të ngjashëm me atë që po shohim sot në Italinë fqinje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama