Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duam të dëgjojmë “shqipen” e Presidentit

Shkruar nga: Arjan Vasjari  
Botuar më: 13 vite më parë

Arjan Vasjari
Duam të dëgjojmë “shqipen” e Presidentit

Një Zot e di sa ka duruar Bamir Topi për t’i kthyer një përgjigje Jozefina Topallit. Me siguri tmerrësisht shumë, pasi nuk ka sesi shpjegohet ndryshe impostura e tij agresive kundër saj në Shkodër. Sikur agresive të kishte qenë zonja Topalli, askujt nuk do t’i kishte shkuar ndërmend të merrej me të. Kjo mbase edhe për faktin se, kryetarja e Parlamentit është normalisht agresive. Me kryetarin e shtetit po merren të gjithë, sepse ai është normalisht i përmbajtur. Mirëpo, pavarësisht spekulimit, që jemi të lirë të bëjmë me këto dy “normalitete” të ndryshme, duhet ta themi pa hezitim se kreu i shtetit ka gabuar në raport me deontologjinë e instancës kushtetuese që drejton. Presidentit i lejohet të prodhojë polemikë për çështje madhore të Republikës dhe jo për defektet e aparatit fonorespirator të zonjës Topalli. Ajo që ndodhi në Shkodër është një shkarje nga stili i tij institucional. Stil që, me thënë të drejtën, deri pardje ka shoqëruar në mënyrë elegante bashkëjetesën politike dhe humane mes Bamir Topit dhe Presidentit të Republikës. Në këtë kuptim nuk mund të përligjen si alibi as sulmet, as fyerjet dhe as persekucionet që i është dashur të përballojë (me ose pa të drejtë). Ka gabuar dhe pikë! Por vetëm kaq, ama. Nuk ka bërë ndonjë akt që turpëron shtetin, nuk ekziston asnjë shkak i arsyeshëm për ta gjykuar, qoftë edhe moralisht, sjelljen e tij dhe, më kryesorja, aksidenti i Shkodrës nuk ka gjasë të prodhojë pasoja për të ardhmen e z.Topi.

 Të gjitha këto, mesa duket, Presidenti nuk i ka kuptuar. I kompleksuar nga një ndjenjë faji që, për çdo mendje normale nuk ekziston, brenda njëzetekatër orëve angazhoi dy herë zyrën e tij të shtypit e deri zëdhënësen, përmes një shkrimi në gazetë, për të sqaruar publikun mbi çështjet banale të gegnishtes së kryetares Topalli dhe dashurinë e tij të thellë për traditën shkodrane. A thua se është gabim të kritikosh zyrtaren numër dy të shtetit që përdor trajta nëndialektore kur ushtron funksionet e saj, ndërkohë që përdorimi i gjuhës zyrtare është detyrim institucional! Zoti President nuk u mor për asnjë çast, qoftë me dialektin geg në vetvete, qoftë me gegnishten korrekte të qytetares Jozefinë, por me faktin se, kryetarja e Parlamentit, Topalli nuk bën dallim mes përdorimit publik dhe atij privat të gegnishtes së saj. Zonja Topalli është e lirë të shkruajë vjersha në gegnisht, por, jo të drejtojë seancat parlamentare. Duke thënë këtë, nuk ke zbrazur në fakt, asnjë anatemë kundër Fishtës apo Migjenit dhe perlave të tyre të krijuara në gegnisht. Aq më pak kundër veriorëve. Dhe me kaq, mbyllet fabula me dialektin geg. Por, nuk mbyllet ajo e gabimit të Presidentit, i cili qëndron në këmbë si gabim, pavarësisht. Sepse, vërtet kreu i shtetit nuk gaboi që kritikoi spikeren e parlamentit për problemet e saj fiziologjike të ligjërimit, por këtë nuk e bëri duke u nisur nga ndonjë arsye e estetikës së komunikimit, por nga arsye të qarta politike. Dhe pikërisht ky është gabimi i tij. Sepse, përdori problemin më minor të kryetares Topalli për ta goditur atë politikisht. Kjo është mediokre. Po qe se Presidenti ka vendosur më në fund të reagojë ndaj sulmeve që i derdhen përditë, këtë nuk duhet ta bëjë duke shfrytëzuar problemet e “kozmetikës politike” të zonjës Topalli apo kundërshtarëve të tij. Do të ishte njësoj sikur këta të fundit ta sulmonin Presidentin për modelin e flokëve. Zoti Topi, po ka kurajë politike, le të merret me kirurgjinë e thellë të problemeve, që sipas tij, ekzistojnë. Me pak fjalë, nuk mund të vazhdojë ta bëjë në profil luftën e tij. Na ka lodhur një President kaq kordial!

Polemika me zonjën Topalli është vetëm një provë shtesë për shizmën e pariparueshme të tij me shumicën. Ai do të vijojë të jetë i paragjykuar në çdo akt, pavarësisht përpjekjes për t’u sjellë si superpartes (edhe në qoftë i tillë). Në këtë rrethanë, kur ka vetëm mundësinë ta konsumojë mandatin dhe jo ta ushtrojë atë, do të ishte më mirë edhe për shoqërinë, por edhe për atë vetë që të sillej si palë. E cila, jo domosdoshmërisht duhet të jetë në një gjatësi vale me opozitën. Shoqërisë, një pozicionim i tillë do t’i jepte shansin për të kuptuar ante tempus, në ia vlen realisht projekti politik që vërtitet në mendjen e  Bamir Topit. Kurse vetë këtij, të qenit palë do t’i shërbente si një test i kapacitetit politik për të përballur ballazi konfliktin me kundërshtarët e tij, gjë që këto vite (për shkak edhe të funksionit) nuk e ka bërë. Ose, edhe nëse ka pasur tentacionin ta bëjë, nuk ka shkuar më larg se kritika ndaj gegnishtes së kryetares Topalli. Tani ka ardhur koha që të dëgjojmë “shqipen” e tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama