Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rrezikojmë të kemi një president pakice

Shkruar nga: Arjan Vasjari  
Botuar më: 12 vite më parë

Arjan Vasjari
Rrezikojmë të kemi një president pakice

Titulli ka nevojë për një shpjegim të menjëhershëm: nuk e kam fjalën për rrezikun e një presidenti nga opozita. Përkundrazi: shëndetit demokratik të Shqipërisë do t’i shkonte përshtat një president i tillë. “Pakica” në këtë rast, ka të bëjë me një lloj aglomerati partitokratik i cili, më shumë se për peshën e vet politike, është i pavetëdijshëm për modifikimin gjenetik që mund t’i shkaktojë anatomisë së sistemit.

Dje, për shembull, u konsumua “delikti” i radhës në dëmtimin e kësaj gjenome. Vangjel Dule, përfaqësues i një partie që në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë ka vetëm 1.4%, në një sfidë të qartë ndaj dy forcave që mbartin ekuilibrin tonë politik, pothuajse urdhëroi se “…partitë duhet të institucionalizojnë mbështetjen për Fatos Nanon…”. Tri ditë më parë, me një stil pak a shumë të ngjashëm, të njëjtën gjë bëri edhe Shpëtim Idrizi. LSI e zotit Meta, nuk ka shkuar deri këtu, por nuk është asfare e vështirë të interpretosh ambiguitetin e saj. Brenda të njëjtit delir vërtiten edhe disa parti të tjera periferike.

Mirëpo, asnjëra nga këto nuk ka faj. Ato janë brenda lirisë së tyre të përdorin një të drejtë demokratike dhe për këtë nuk ka pse t’i marrin dorën askujt. Për këtë arsye, targeti i kundërshtimit të arsyeshëm duhet të jetë pretendenti për detyrën e kryetarit të shtetit, Fatos Nano. Sikur u morëm shumë me strategjinë e tij dhe për një çast na shpëtoi taktika. E cila, nuk është e denjë për dikë që tenton t’i qaset detyrës më të lartë të Republikës. Sepse nuk është as e urtë dhe as politike. Është vetëm e pandershme. Fatos Nano nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojë vetes të jetë president pakice. Fatos Nano nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojë vetes që të jetë president pa mbështetjen e Sali Berishës ose Edi Ramës. As Ilir Meta, as Shpëtim Idrizi, as Vangjel Dule dhe as gjithë dishepujt e tjerë së bashku nuk kanë legjitimitet politik për të prodhuar një president republike. Ata mund të kenë numra që të kushtëzojnë Sali Berishën apo Edi Ramën për të zgjedhur kreun e shtetit, por nuk kanë stofin elektoral për t’i imponuar popullit shqiptar një president që nuk zgjidhet nga shumica e dhomës së përfaqësuesve të tij. Kandidati Fatos Nano po bën pikërisht këtë. Pothuajse i pamundur në misionin e tij për të marrë mbështetjen e këtyre të dyve, i është drejtuar përmes një diversioni të kulluar partive të pakicës popullore. Të cilat nuk kanë ndonjë përgjegjësi politike, nuk kanë se kujt t’i japin llogari. Për pasojë, e kanë shumë të thjeshtë të thonë “po”. Një “po” që është krejt e pavlerë brenda procedurës aritmetike parlamentare, por që kthehet në një thesar për të shantazhuar mazhorancën dhe opozitën e këtij vendi. Nderi dhe korrektesa e sipërmarrjes politike e donte që Fatos Nano, më së pari të merrte mbështetjen e qartë publike të Partisë Socialiste ose Partisë Demokratike dhe më pas të kërkonte ta zgjeronte bazën e legjitimitetit të tij me partitë e tjera. Kjo ishte dhe mbetet e vetmja rrugë morale nga ku mund të kalohet për në Presidencë.

Padyshim që ka edhe shtigje të tjera, të cilat mund ta ulin Fatos Nanon tek ëndrra e tij. Madje janë saktësisht këto shtigje që ai po shkel. Nuk është habi që Ilir Meta, apo Shpëtim Idrizi, apo Vangjel Dule t’i imponojnë Sali Berishës dhe Edi Ramës një president që këta të dy nuk e duan. Kjo është një sagë që ka filluar të rrëfehet përditë e më paturp brenda shoqërisë. Mirëpo kjo do të ishte sinjali më i tmerrshëm i dekadencës së demokracisë sonë. Sepse, mbase do t’i kishim dhënë një zgjidhje çështjes së Presidentit, por do të kishim delegjitimuar sakaq binomin mazhorancë-opozitë. Do të kishim poshtëruar vullnetin e shoqërisë që ka mandatuar me shumicë absolute për ta përfaqësuar Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Është shumë e qartë se Fatos Nano ka vendosur të jetë produkt i një mekanizmi të tillë që denatyron themelin e sistemit. Ai ka vendosur t’i imponohet me arrogancë popullit shqiptar si një president pakice. Megjithatë, ka kush mund ta ndalë. Janë ata që kanë detyrimin për ta ndalur. Janë kacafytur me njëri-tjetrin, janë plagosur me njëri-tjetrin, janë vrarë me njëri-tjetrin. Por asnjëherë nuk kanë mundur të delegjitimojnë njëri-tjetrin. Dhe kur nuk kanë arritur të delegjitimohen mes tyre, afërmendsh që nuk mund të lejojnë të delegjitimohen nga dikush tjetër. Qoftë ky pakicë apo, aq më pak, një president pakice.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama