Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mes Withers dhe Arvizu ka ndryshuar vetëm opozita

Shkruar nga: Arjan Vasjari  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Vasjari
Mes Withers dhe Arvizu ka ndryshuar vetëm opozita

Fakti që, ish ambasadori Withers perceptohej si “i opozitës” dhe ambasadori Arvizu si “i mazhorancës”, bën pjesë në logjikën sterile të politikës shqiptare se, përfaqësuesit e Amerikës, shpesh, flasin në vetën e parë, numri njëjës. Me siguri që ish ambasadori Withers e ka kuptuar këtë, por nuk impresionohej kur mazhoranca aktuale përpiqej të zbulonte link-un politik mes tij dhe opozitës. Fabula me ambasadorin Arvizu është e njëjta, po aq qesharake dhe e turpshme, me ndryshimin e vetëm se, kësaj here, ambasadorin “armik” po përpiqet ta zbulojë opozita. Kjo fantazon që diç po lëviz për keq këto kohë dhe se, mes Withers-it dhe Arvizu-së gjërat kanë ndryshuar. Mirëpo, realisht nuk ka ndryshuar asgjë. Mes dy ambasadorëve ka ndryshuar vetëm opozita.

Le t’i marrim me radhë gjërat. Ish ambasadori Withers ishte një mbështetës publik i institucionit të Prokurorisë së Shtetit. Pa asnjë lloj kortezie diplomatike, ai nuk hezitonte t’i dilte publikisht në mbrojtje organit të akuzës nga sulmet e mazhorancës. Ideja e tij mbi shtetin ishte shumë më e rëndësishme se formalizmat e mykura të diplomacisë. Ambasadori Arvizu po bën saktësisht të njëjtën gjë. Ekuidistant mes palëve politike, ai e distiloi që në takimin e parë idenë e paprekshmërisë së prokurorisë, duke u rreshtuar pa asnjë kompleks në krah të saj.

“Korrupsioni është një gangrenë që po gërryen Shqipërinë”, - thoshte zoti Withers. Zoti Arvizu me siguri e ka studiuar paraardhësin e tij sepse ngjashmëria në stilema kundër këtij kanceri është befasuese: “...korrupsioni është një problem tepër, tepër serioz që ka një efekt gërryes mbi shoqërinë...”. Opozita është shqetësuar përse zoti Arvizu ka thënë se fenomeni është problem “i shoqërisë shqiptare”. Ish ambasadori Withers ka shpenzuar ekrane, faqe gazetash dhe foltore për të diagnostikuar sëmundjet e “ryshfetit”, edukatën orientale të shoqërisë shqiptare, për të dhënë dhe marrë nën dorë. “Nuk po bëhet sa duhet në luftën kundër korrupsionit”, denonconte zoti Withers, më 5 maj të 2010. “Shqetësimi im është se asnjëra palë nuk po bën sa duhet në luftën kundër korrupsionit” - thotë ambasadori Arvizu, më 4 shkurt të 2011.

Zoti Arvizu propozon një ditë refleksioni në javë, ku politikanët të shmangin konferencat e shtypit, të heshtin dhe të dëgjojnë opinionet e atyre që i kanë votuar. “Ka ardhur koha që liderat shqiptarë të dëgjojnë popullin” - këshillonte zoti Withers, në ditën e gjashtë të grevës së urisë së opozitës. Zoti Arvizu deklaron se zgjedhjet duhen bërë në vitin 2013, duke nënkuptuar legjitimitetin e pushtetit aktual, njësoj si zoti Withers që, më 11 dhjetor 2010 do të deklaronte nga një ekran “ne pranuam zgjedhjet e certifikuara nga ODHIR dhe nuk besoj se ka gjë për t’u shtuar rreth kësaj çështje”.

Janë identik, politikisht identik zoti Arvizu dhe paraardhësi i tij, zoti Withers. Është opozita ajo që ka ndryshuar. E sjellshme, logjike, dinjitoze, pacifiste në kohën e zotit Withers. Arrogante, irracionale, vulgare, skuadriste në kohën e zotit Arvizu.

Dje mbronte zotin Withers, nga prepotenca provinciale e shtypit të mazhorancës, kur kjo e sulmonte pas deklaratave për rrëzimin politik të kandidaturës së Vangjel Kostës. Sot rekruton skalione mercenarësh, për të fyer ambasadorin Arvizu, thjesht përse ai i kujton se ndryshimet në qeverisje kalojnë përmes mekanizmave kushtetues dhe jo përmes lumpenëve të eksituar. Të dy ambasadorët i frymëzon filozofia amerikane e omnipotencës së institucioneve.

Është normale që opozita të mos ushqejë ndonjë simpati ndaj ambasadorit Arvizu. Ashtu siç ishte krejt normale, që e ushqente për zotin Withers. Ajo që nuk është normale ka të bëjë me zhdoganimin e idesë se, ambasadori Arvizu po lëviz politikisht ndryshe nga zoti Withers. Eshtë simptoma tipike e atij që, ngaqë nuk kupton se po lëviz treni, thotë se po lëvizin pemët. Dhe kjo është e rëndë për një opozitë.   

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama