Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa kushtojnë politikisht 30.000 kg drogë?

Shkruar nga: Arjan Vasjari  
Botuar më: 10 vite më parë

Arjan Vasjari
Sa kushtojnë politikisht 30.000 kg drogë?

Duke i shtuar edhe rreth 800 kg e sekuestruar dje në Firence, sasia e drogës që Shqipëria ka eksportuar drejt vendeve të BE që nga janari i këtij viti, përllogaritet në mbi 30.000 kilogramë. Sigurisht që në terma absolutë, sasia është shumë herë më e madhe se kaq, por 30 tonë drogë për katër muaj janë, sidoqoftë, një habi statistikore për një vend me më pak se tre milionë njerëz dhe diçka më shumë se 28 mijë km katror. Por habia shndërrohet në tmerr kur mendon se ky vend ka, së paku teorikisht, një qeveri. Dhe tmerri i lë vendin turpit kur konstaton se 30.000 kilogramë drogë me patentë shqiptare rrugëve të Europës, nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme që dikush të mbajë përgjegjësi. 30.000 kilogramë drogë, me sa duket, janë brenda kufijve të së zakonshmes për zotin Kryeministër përderisa askush, askush dhe përsëri askush nuk është prekur për këtë shkak.

 

Mirëpo këtu nuk bëhet fjalë për të përkufizuar aritmetikisht kufirin konvencional mes të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes kur flitet për drogë. Këtu çështja është shumë serioze dhe mbi të gjitha, politike. Është politikisht shumë serioze. Nuk kam as më të voglin dyshim se zoti Kryeministër, megjithë konceptin e ndryshëm që mund të ketë për të jashtëzakonshmen në politikë, e përjeton në mënyrë serioze faktin se nga vendi i tij kanë vërshuar vetëm për katër muaj 30.000 kilogramë drogë drejt Europës. Në të kundërt, ai do të ishte një kryeministër i papërgjegjshëm. Ajo çfarë është e dyshimtë dhe e patolerueshme ka të bëjë me faktin se për zotin Kryeministër, kjo situatë e jashtëzakonshme nuk është përgjegjësi e askujt. Ose, shumë-shumë, është përgjegjësi e qeverisjes së shkuar. Me gjasë, është kjo logjika pilateske që e bën të mos ndihet përgjegjës për atë çfarë është, por sensi i detyrës së lartë shtetërore që shqiptarët i besuan më 23 qershor e detyron që, së paku, të ngarkojë me përgjegjësi ata që ka poshtë vetes. Ka shumë pyetje që çdo qytetar normal i bën vetes në këtë situatë skandaloze ku ka shumë përgjegjësi dhe asnjë përgjegjës. Për shembull: a ka përgjegjës për këtë që po ndodh? A ka përgjegjësi ministri i Brendshëm për kufijtë kaq porozë përmes të cilëve kanë kaluar në 120 ditë 30.000 kilogramë drogë, pra 250 kg në ditë? Cila është arsyeja politike (ose jo) që kryeministri nuk e shkarkon ministrin e Brendshëm pas këtij diskreditimi kombëtar që po na ndodh përditë në sytë e partnerëve? Ku është standardi i ri në përgjegjësitë e qeverisjes që zoti Kryeministër ka premtuar në 23 qershor? A i duhet besuar një kryeministri proklama “luftë kulturës skandaloze të pandëshkueshmërisë”, ndërkohë që e ka brenda në kabinetin e tij skandalin e pandëshkuar?

 

Por, përveçse kaq, sjellja e kryeministrit është edhe jointeligjente në raport me kundërshtarët e tij politikë. Konflikti me opozitën për trafikun e drogës mund të administrohej moralisht dhe politikisht krejt ndryshe nëse zoti Rama do të ishte më pak refraktar ndaj idesë për ta zëvendësuar ministrin përgjegjës. Jo për të dorëzuar kokën e ministrit në tepsi për një kapriço të opozitës, por sepse kishte dhe ka arsye të mjaftueshme për ta bërë. Mbi të gjitha, sepse ministri Tahiri është në majën e piramidës së përgjegjësive për çështjet e rendit publik dhe nga ana tjetër, performanca e tij është në mospërputhje të qartë me premtimet dhe programin qeverisës që zoti Rama u ofroi shqiptarëve dhjetë muaj më parë. Atëherë, deri ku duhet të shkojnë përmasat e dështimit të ministrit të një republike, në mënyrë që kryeministri të marrë në konsideratë shkarkimin e tij?

 

Kemi mbërritur në një pikë të tillë të debatit publik mbi skandalin e trafikut të drogës për mjaft arsye. Arsye që variojnë që nga përgjegjësitë e palëve ndaj fenomenit për të shkuar tek riciklimi i “fenomenit Shqipëri” si fenomen kriminal e deri tek kalkulimi se, sa është xhiroja ekonomike e këtij biznesi kriminal me 30.000 kg. Por për të gjitha arsyet e kemi sidoqoftë një përgjigje, e cila jo domosdoshmërisht është e vetmja dhe jo ekskluzivisht më e drejta. Kështu, fjala vjen, kultivimi i drogës është një përgjegjësi e ish-mazhorancës, kurse trafikimi i saj ngelet një përgjegjësi e vetme e autoritetit që sistemi e ka ngarkuar ta luftojë, pra e qeverisë. Ose, riciklimi i Shqipërisë si fenomen kriminal ndodh sepse gjendemi në situatën e përputhshmërisë perfekte mes faktit dhe paragjykimit. Ose, nga trafikimi i 30 tonelatave drogë mendohet se krimi dhe paligjshmëria kanë qarkulluar jo më pak se 1.5 miliard euro. Me pak fjalë, për këto 30.000 kg drogë që janë trafikuar kemi mjaft përgjigje. Përveç njërës: a duhet të ketë një çmim politik ky turp?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama