'Progresivisht' të dështuar

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 9 vite më parë

Arben Malaj
'Progresivisht' të dështuar

Sot, komisioneri Fyle, me vlerësimet dhe rekomandimet që bëri për çdo vend të Ballkanit Perëndimor në progresin e tyre drejt BE-së, certifikoi dështimin tonë të përsëritur. Pas këtij raporti, pas dështimit për të dytin vit rresht, ne rezultojmë “progresivisht” të dështuar. Raporti vjetor i BE-së për vendet aspiruese dhe kandidate është titulluar “Progres-Raport” ndoshta sepse gjithkush ka besuar se çdo ditë liderët politikë të vendeve të rajonit më të varfër të Europës do të angazhoheshin dhe përkushtoheshin vetëm për progres. Progres në standardet e demokracisë, progres në zhvillimin ekonomik e social, progres në të drejtat e minoriteteve, progres në lirinë e medias, progres në kohezionin social.

E vërteta për vendin tonë, sipas këtij raporti, rezulton krejt ndryshe, ne kemi progresuar drejt dështimeve tona të përsëritura, drejt dështimeve në reformat më të rëndësishme për çdo vend, siç janë: lufta kundër korrupsionit, reformat e Gjyqësorit për t‘i dhënë garanci funksionimit të shtetit ligjor, në ngritjen e një administrate publike profesionale e të aftë të përballet me sfidat e integrimit, në rritjen e lirisë së medias, pushtetit të katërt, që duhet të mbrojë funksionimin sa më demokratik të çdo vendi europian. Ne vazhdojmë progresivisht të dështojmë në lirinë themelore të zhvillimit ekonomik të çdo vendi, që është liria e pronës, ne jemi larg lirisë nga korrupsioni dhe ndihemi të penalizuar nga kapja e shtetit.

Progresivisht ne kemi dështuar të garantojmë standardet europiane të zgjedhjeve, të garantojmë kredibilitetin e fituesve të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, të garantojmë lirinë më jetike të çdo votuesi, votën e lirë.

Progresivisht ne kemi dështuar ta nxjerrim vendin nga ngërçi politik. Reformat janë ngadalësuar dhe deformuar, në një ambient të tensionuar politik nuk ka të fituar, por humbës që fitojnë për të mbijetuar, duke mos ndier asnjë përgjegjësi për mandatet politike në shërbim të prioriteteve të vendit, dhe jo në shërbim të përfitimeve të tyre individuale.

Progresivisht kemi dështuar që vendi ynë të ecë më shpejt dhe më mirë drejt prioritetit të tij historik, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Ngërçi politik, mosfunksionimi demokratik i Parlamentit, bojkoti i Parlamentit, dëmtimi i funksionimit demokratik të partive politike, kanë ndikimin e tyre në dështimin e vendit tonë.

Është hera e parë që partitë politike nuk arrijnë  angazhimin e përbashkët për një prioritet kombëtar, sot u qartësua se rrezikohemi të mbetemi sërish të fundit.
Vlerësimi pozitiv që morën vendet e tjera të rajonit duke hedhur hapa përpara integrimit të plotë në BE, hedh poshtë çdo justifikim për hezitim nga BE për zgjerimet e ardhshme të saj.

Europa e Bashkuar vërtetoi se do të vazhdojë t’i mbështesë vendet tona drejt integrimit, duke theksuar se integrimi mund të prodhojë më shumë zhvillim dhe stabilitet për çdo vend të rajonit dhe për rajonin në tërësi.

Opinioni publik i shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, është në shkallën më të lartë të mbështetjes së integrimit tonë në BE.

Të dy këta faktorë, dera e hapur e BE-së dhe mbështetja e madhe publike, e bëjnë më të qartë dhe të drejtpërdrejtë përgjegjësinë e politikanëve në këtë dështim.
Çdo fushatë akuzash dhe kundërakuzash për përgjegjësitë në këtë dështim të përsëritur, vetëm e bënë më të vështirë daljen nga ky ngrëç.

Mentalitetet radikale, keqpërdorimi i mandateve partiake për pushtet dhe egoizëm personal, pozicionet strikte jobashkëpunuese, rrezikojnë të vazhdojnë të dominojnë lidershipin tonë politike, duke e bërë më real riskun e dështimeve të përsëritura.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama