Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politika si mision

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Politika si mision

Po të kemi parasysh se sa bujare është treguar natyra me ne, po të kemi parasysh se sa shumë avantazhe kemi në raport edhe me vendet e tjera të rajonit tonë, nuk duhet të dorëzohemi përballë krizës së rëndë që për rreth tre vjet mban peng të ardhmen tonë europiane dhe rrezikon ta bëjë më të vështirë jetën tonë të përditshme. Rënia e besimit të publikut ndaj politikës në tërësi, rritja e abuzimit dhe korrupsionit në qeverisjen e vendit, dëmtimi i demokracisë së partive politike, janë kosto shtesë dhe jo të lehta për çdo shqiptar.  Një virus vetëshkatërrues dëmton rëndë të ardhmen tonë. Ve-tëm ndërgjegjësimi i publikut për pasojat e rënda të krizës, vetëm pjesëmarrja aktive e publikut  në sfidat e vendit të tij ngjall shpresën dhe na nxjerrin nga kjo krizë e tejzgjatur.
Fuqia magjike e shpresës është shumë më e madhe se pushteti i parasë. Leva magjike e Arkimedit për të lëvizur këtë krizë që na ka zënë vendin është ndërgjegjësimi i opinionit publik. Akoma deri sot rruga më e drejtpërdrejtë, më e qartë dhe ndoshta më efektive përballë sfidave tona, është modernizimi i politikës shqiptare, i cili fillon me modernizimin e partive politike. Partitë politike mbeten akoma mundësia me e mirë për të kontribuuar në modernizimin e vendit, mundësia më e mirë për t‘u kthyer mirënjohjen të gjithë atyre që na besojnë dhe shpresojnë.
Nuk ka fisnikëri më të madhe se sa të kesh një mundësi reale për t’u përballur me sfidat e vendit tënd dhe t‘i fitosh ato në detyrim të mijëra njerëzve që përballen çdo ditë me vështirësitë më të rënda të jetës.
Përballen me papunësinë, me varfërinë, sëmundjet, me strehimin, me pamundësinë për shkollimin e fëmijëve të tyre, përballen me kostot e larta në shëndetësi.
Nuk ka fisnikëri më të madhe që çdo fëmije t‘i rritësh shpresën për të ardhmen e tij, që çdo nëne t‘i lehtësosh dhimbjet e varfërisë ndaj fëmijëve të saj, që çdo të sëmuri t‘ia lehtësosh dhimbjen e sëmundjes dhe çdo pensionisti t‘i lehtësosh vështirësitë e pleqërisë së tij.
Politika është mision fisnik, partitë politike nuk duhen konsideruar një palë shkallë për të lehtësuar çdo ambicie personale, duke i vendosur ato në mënyrë të pamëshirshme mbi shpatullat e mijëra njerëzve që varfëria ua ka ulur shpinën, por nuk u ka transformuar shpirtin njerëzor.
Është tragjike n.q.s. tenton të hipësh sa më lart duke mos respektuar çdo vlerë humane, sidomos kur kënaqësia e ambicie-ve individuale lëndon shpirtin e njerëzve të zhgënjyer, të cilët fatkeqësisht për disa nga politikanët janë më shumë statistika elektorale, sesa qenie njerëzore.
Një pjesë e politikanëve tanë mendojnë se ky popull meriton të drejtohet me dorë të fortë, ndaj në qeveri dhe parti veprojnë me të njëjtën filozofi – institucione të dobëta, pushtete të përqendruara, kontroll të jetës të gjithsecilit. Në politikë pranohet aksioma se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute.
Modernizimi i politikës dhe partive politike janë të mira publike, për të cilat ia vlen të luftohet me shumë angazhim dhe përkushtim qytetar. Pushtetet absolute kufizohen me një model të ri të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve në qeveri dhe partitë politike. Demokracia pjesëmarrëse, rritja e të angazhuarve për të ndalur keqqeverisjen e vendit të tyre është më e fortë se çdo pushtet individual. Referendumi i fundit në Itali, protestat paqësore të disa qindra mijëra të rinjve në Spanjë, janë shembuj konkretë të efikasitetit të pjesëmarrjes aktive të publikut në sfidat e vështira të vendeve të tyre.
Pushtetet absolute, korrupsioni, kapja e partive dhe e shtetit, janë të këqija publike për të cilat paguajnë rëndë të gjithë shqiptarët. Politikës shqiptare i mungon modeli i një force politike moderne. Garat politike me sisteme proporcionale të mbyllura gjithnjë e më shumë po konsiderohen mundësi të arta për të rritur pushtetin e kryetareve, dhe jo për të rritur mirëqeverisjen e shqiptareve. Shqiptarët nuk duhet të jenë të detyruar të zgjedhin të keqen më të vogël, por të ardhmen më të mirë për familjet e tyre.
Rritja e demokracisë, kufizimi i pushteteve absolute, kufizimi kohor i pushteteve të palimituara në kohë në drejtim të partive politike dhe qeverisjes së vendit nga niveli bazë deri në qendër, kufizimi i pushteteve të përqendruara qeverisëse dhe partiake në nivel vendor dhe qendror, eliminimi i sistemit të emërimeve personale në postet partiake dhe qeverisëse dhe nxitja e sistemit të meritokracisë, mirënjohja për çdo kontribut, masivizimi i sinergjive pozitive që krijon harmonizimi i brezave dhe grupeve sociale janë disa nga elementet thelbësore në të cilat duhet të imponohet modernizmi i politikës dhe të ndërtohet modeli i ri i partive politike.
Besimi dhe mbështetja publike duhet fituar, dhe ajo fitohet realisht kur partitë politike janë institucionale, kur hapja e tyre bëhet mbi parime të qarta motivimi dhe promovimi, kur aleancat synojnë përmirësimin real të qeverisjes së vendit, dhe jo tregtimin e posteve të institucioneve kushtetuese dhe administratës publike në pazaret politike të radhës.
Modernizimi i çdo force politike nuk duhet të jetë një sfidë individuale, por një përgjegjësi e përbashkët e sa më shumë faktorëve progresistë dhe të angazhuar për të ndryshuar të ardhmen, duke shpëtuar nga mentalitet dhe krizat e së shkuarës.
Kontradikta e madhe midis mundësive të shkëlqyera të vendit tonë dhe krizës së tejzgjatur politike, imponon një zgjidhje. Formulë magjike nuk ka, por nënshtrimi apo dështimi përballë krizave nuk është opsion, aq më pak për të rinjtë tanë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama