Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tregjet dhe mungesa e konkurrencës

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
Tregjet dhe mungesa e konkurrencës

Kërkohet një raport më i drejtë midis lirisë së tregut, zhvillimit të biznesit dhe përfitimeve të konsumatorëve publikë dhe privatë. Objekti i autoriteteve të anti-monopol është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke përcaktuar rregullat e sjelljes së ndërmarrjeve, si dhe institucionet përgjegjëse.

Ky mision është i vështirë të realizohet aty ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, ku shkalla e korrupsionit është e lartë, ku kapja e shtetit është e lehtë. Marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuar, monopolet apo oligopolet, dëmtojnë funksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit si edhe konsumatorët publikë dhe privatë. Ndaj, konsumatorët shqiptarë dhe një pjesë jo e vogël e kompanive ndihen të pambrojtur nga deformimet e konkurrencës. Për ta qartësuar rastin e konsumatorëve publikë, konkurrenca shfaqet edhe në çmimet artificialisht të rritura të mallrave dhe shërbimeve që u shiten agjencive buxhetore, apo në rastin konkret në koston e lartë të borxhit publik që qeveria vazhdon paguan edhe pse Banka Qendrore e ka ulur disa herë normën e interesit të parasë. Shqetësimet për sfidat e tregjeve dhe të konkurrencës në vendin tonë janë më të qarta nëse studiojmë disa tregues të aftësive tona konkurruese bazuar në raportin e forumit botëror të ekonomisë.

http:// www3.weforum.org/docs/GCR2011-12/CountryProfiles/Albania.pdf

Më konkretisht, në efikasitetin e tregjeve të mallrave, në treguesin e intensitetit të konkurrencës lokale, jemi në vendin e 122 nga 142 vende të studiuara, në efikasitetin e politikave anti-monopol në vendin e 87. Në zhvillimin e tregut financiar, në disponibilitetin e shërbimeve financiare jemi në vendin e 108, në financimin e ekonomisë nëpërmjet tregut lokal të kapitaleve jemi në vendin e 140. Në mundësinë për të marrë kredi gjendemi në vendin e 121. Ky indeks vërteton se kredia vazhdon të jetë e vështirë dhe me kosto të rëndë për biznesin.

Në vlerësimin lidhur me sofistikimin e biznesit, ne jemi në vendin e 122 për shkallën e furnizimit të tregut nga prodhuesit lokalë dhe në vendin e 108 për nga cilësia e mallrave të prodhuara nga tregu lokal. Deficiti i bilancit tregtar dhe llogarisë korrente vazhdon të jetë i lartë dhe kërcënues. Diskutimet për funksionimin e tregjeve dhe konkurrencën e lirë nuk duhen trajtuar si qëndrime populiste antibiznes, por si sfida te vendit. Pa zhvillimin e biznesit, çdo strategji e rritjes së cilësisë së zhvillimeve ekonomike e sociale dhe çdo premtim për rritjen reale të ardhurave do të ishte jo e pamundur. Është e qartë edhe për vetë biznesin, se aty ku cenohet konkurrenca e lirë, aty ku tolerohen dhe mbështeten marrëveshje monopol, aty ku nxiten dhe krijohen pozita dominuese në tregje të veçanta apo në konkurrencën për fondet publike, aty dëmtohet një pjesë e biznesit që është në hapat e parë dhe në rritje.

Dëmtohen mundësitë për zhvillim e punësim. Dëmtohen konsumatorët për më shumë mundësi përzgjedhëse për mallrat dhe çmimet e tyre. Përfitimet e disa kompanive të “privilegjuara” nuk vijnë nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave/shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës dhe dobësia e institucioneve përgjegjëse për tregjet dhe konkurrencën. Autoriteti i Konkurrencës ka një rëndësi të veçantë për lirinë e tregjeve dhe shpërndarjen e efekteve të saj midis sa më shumë përfituesve.
Jo rastësisht, në historinë e Komisionit të Konkurrencës së BE-së kemi raste shumë të suksesshme, ku nuk janë autorizuar bashkime të kompanive të mëdha që do të dëmtonin biznesin dhe konsumatorin.

Kemi raste kur janë penalizuar deri me rreth 650 milionë USD kompani të mëdha ndërkombëtare, për shkak se pengonin uljen e kostove të aplikimit të teknologjive të tyre në tregjet europiane.

Në thelbin e politikave ekonomike, rregullatore dhe mbikëqyrëse, lipset të qëndrojë konsumatori, i cili duhet të përfitojë sa më shumë nga zhvillimi i tregjeve, përfitime të cilat duhet të jenë në trajtën e rritjes së cilësisë dhe uljes së çmimeve të mallrave/shërbimeve që ata blejnë. Kjo do të mbrojë konsumatorët dhe do t’u japë vlerë reale rritjes së pagave, pensioneve dhe të ardhurave të tjera. Këto përfitime bëhen të pamundura nëse do të absolutizohet magjia e duarve të padukshme në vetërregullimin e tregjeve. Ndaj edhe në vendet me të zhvilluara, në vendet me lirinë më të madhe ekonomike, janë ngritur dhe funksionojnë autoritete të veçanta rregullatore dhe mbikëqyrëse të tregjeve.

Ndërsa këto autoritete janë ngritur për sektorë të veçantë të ekonomisë së çdo vendi, Autoriteti i Konkurrencës, autoriteti i mbrojtjes së tregjeve nga deformimet, kufizimet apo pengimi i konkurrencës së lirë, vepron për të gjitha tregjet. Lidhur me industrinë financiare, vlerësohet se ajo ka rendësi të madhe për cilësinë e rritjes, prandaj tregu bankar, tregu i ndërmjetësve financiare që mobilizojnë kursimet e shqiptareve për një zhvillim më të mirë të vendit, duhet të rregullohen dhe mbikëqyren me shumë kujdes.

Kostot e fshehta dhe të rritura të transaksioneve bankare duhen reduktuar. Kontratat midis kredidhënësve dhe kredimarrësve duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta. Ngarkimi mbi kredimarrësin i çdo risku potencial dhe ngarkimi në kostot e kredisë i pjesës së kredive të këqija që nuk janë thjesht dështim i bizneseve shqiptare por edhe një cilësi jo e mirë e kredidhënësve, duhen reduktuar. Shqetësime ka edhe për tregun e sigurimeve, shkalla e mbulimit të dëmeve vazhdon të jetë e ulët. Kompanitë e sigurimeve herë pas here tentojnë të bëjnë marrëveshje të cilat rrisin kostot për biznesin dhe qytetaret. Nga ana tjetër, ky treg duhet të rritet dhe konsolidohet, sepse ka ndikime të drejtpërdrejta mbi ndarjen e risqeve.

Autoriteti i Konkurrencës duhet mbështetur me mirë dhe më fort duke filluar nga Parlamenti, qeveria dhe entet rregullatore e mbikëqyrëse të tregjeve specifike, siç është telekomunikacioni, energjia, uji, tregu financiar etj. Kontrolli parlamentar duhet rritur, Autoriteti i Konkurrencës duhet te informojë në mënyrë periodike Parlamentin, ndërsa për çështje kritike duhen organizuar nga komisionet parlamentare përkatëse seanca të hapura për publikun. Qeveria duhet ta respektojë këtë institucion, të kërkojë vlerësimin e tij paraprak për rastet që parashikon ligji. Autoriteti i Konkurrencës për rastet e mosmbajtjes parasysh të rekomandimit të tyre nga qeveria, duhet të informojë menjëherë Parlamentin, duke treguar se është një institucion që përgjigjet përpara Parlamentit të vendit të tij, dhe jo një shtojcë e qeverisë. Kredibiliteti i këtij institucioni do të rritet edhe nga rastet konkrete të suksesit në ballafaqime jo të lehta me kompani, të cilat shkelin konkurrencën e lirë, duke dëmtuar zhvillimin e biznesit dhe duke dëmtuar konsumatorët publikë e privatë.

Sfidat e mbrojtjes së konkurrencës nuk janë të lehta. Parlamenti duhet të rrisë kontrollin dhe mbështetjen e tij, që entet rregullatore mbikëqyrëse dhe Autoriteti i Konkurrencës të përmbushin qëllimin për të cilin janë krijuar me ligj dhe financohen nga taksapaguesit shqiptarë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama