Pagesat për biznesin, jo vetëm me borxh të ri

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 7 vite më parë

Arben Malaj
Pagesat për biznesin, jo vetëm me borxh të ri

Pa pagimin e borxheve të prapambetura, është e pamundur  të kemi një rritje ekonomike më të lartë dhe stabilitet të financave publike. Si u krijuan këto borxhe dhe sa e rëndë është pesha e tyre, duhet të saktësohet pa vonesë. Qeverisja nëpërmjet ligjeve dhe zbatimi i detyruar i tyre është sfida kryesore që ka vendi. Financat publike kanë një ligj organik për parimet, objektivat, fazat dhe personat përgjegjës, që nga kuadri makroekonomik, buxheti afatmesëm, deri te ndjekja hap pas hapi e ligjit vjetor të buxhetit të çdo viti.  (http://www.minfin.gov.al/minfin/pub/l_9936_nga_kuvendi_2_196_1.pdf)


Ligji 9936 i vitit 2008: “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” qartëson se: “Sistemi i thesarit kontrollon angazhimet, planifikon emetimin e borxhit afatshkurtër ose afatgjatë, për të siguruar cash për likuidimin e detyrimeve financiare të qeverisjes së përgjithshme. Ministri i Financave miraton udhëzime për nëpunësit autorizues për procedurat e regjistrimit të angazhimeve. Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme mbajnë të dhëna për angazhimet financiare dhe nuk lejojnë ndërmarrjen e angazhimeve të reja, përtej kufirit të fondeve buxhetore të shpërndara”.


Ligji kërkon që çdo angazhim ndaj kompanive private për investime që shtrihen në disa vite duhet të jetë me shkrim, dhe që të gjitha angazhimet të jenë të regjistruara në një regjistër të veçantë. Por nëse do të ishin zbatuar kërkesat e ligjit, atëherë sot të gjitha detyrimet e prapambetura, por të bazuara në angazhime të dokumentuara, do të ishin të qarta, do të ndihmonin të njihej në çdo kohë kjo shumë, do të sinjalizonin për përmasat e problemit, do të eliminonin debate të tejzgjatura dhe do të eliminonin edhe kostot për të gjetur se sa është borxhi i prapambetur.


Një nga problemet më të vështira të detyrimeve të prapambetura është jo vetëm njohja e saktë e tyre, por sidomos skema e financimit të këtij borxhi të fshehur dhe të prapambetur. A do të jetë ai një shtesë e re 100% e borxhit publik? A mundet që një pjesë e tij në përputhje edhe me frymën e ligjit organik të buxhetit  të bëhet pjesë e investimeve publike të vitit 2014?


Ligji organik i buxhetit qartëson se: “Pagesat e kryera gjatë vitit buxhetor, pavarësisht kohës së kryerjes së shpenzimeve publike, regjistrohen si pagesa të këtij viti”. Kjo lejon përfshirjen e një pjese të borxheve të prapambetura në investimet e vitit 2014 dhe redukton rritjen e menjëhershme dhe në nivele shumë të larta të borxhit publik”.


Pra një pjesë e pagesave të prapambetura mund të jenë pjesë e buxhetit të vitit 2014, çka do të thotë që pagesa e investimeve të kryera, por të pafinancuara, të mos bëhet 100 për qind me rritje të borxhit të ri, por të jenë pjesë brenda një kufiri të arsyeshëm e deficitit vjetor dhe i investimeve të vitit 2014.


Disa mund të argumentojnë se kjo skemë dëmton rritjen ekonomike, pasi në vitin 2014 do të ulen investimet reale në ekonomi. E kundërta mund të rezultojë e vërtetë, mund të kemi një rritje të shpenzimeve totale në ekonomi për shkak të rritjes së shpenzimeve e investimeve private.


Kjo sepse pagimi i detyrimeve të prapambetura si pjesë e investimeve të vitit 2014 pritet të lirojë likuiditete në ekonomi dhe të ulë kredite e këqija, çka do të thotë se sistemi bankar mund të kreditojë më shumë në ekonomi dhe në total ekonomia do të ketë më shumë, dhe jo më pak fonde të angazhuara për konsum dhe investim.


Efekti në rritjen e kërkesës së përgjithshme në ekonomi mban parasysh kërkesën totale, pra shpenzimet konsumatore dhe investuese të biznesit privat dhe shpenzimet buxhetore të qeverisë.
Një faktor tjetër që mund të ndikojë pozitivisht në ekonomi e buxhet është edhe kredibiliteti i qeverisë. Pagimi i borxheve, i shoqëruar edhe me përgjegjësinë e mbajtjes nën kontroll të rritjes së deficiteve dhe borxhit, mund të rritë kredibilitetin e qeverisë më shumë se sa një rritje e menjëhershme dhe shumë e madhe e deficitit dhe borxhit. Kredibiliteti i qeverive ushqen më mirë rritjen ekonomike, pasi mund të ndikojë në rritjen e investimeve private vendase dhe të huaja.


Në kohë krize rekomandohet që me më pak para të arrini më shumë rezultate pozitive. Investimet publike 2014 duhet të përqendrohen te përfundimi i investimeve të copëzuara, të cilat nisin dhe nuk mbarojnë. Qeveria mund t‘i fokusojë investimet publike në shkolla, qendra shëndetësore, spitale dhe rrugë, të cilat janë në ndërtim dhe zvarriten për disa vite. Investimet e papërfunduara vonojnë efektin pozitiv në ekonomi, dëmtojnë kredibilitetin e qeverisë dhe përkeqësojnë  treguesit për të cilët janë përzgjedhur për t’u financuar. Në këtë proces jo të lehtë duhet të respektohen disa parime dhe hapa konkretë.


1. Zbatimi rigoroz i ligjeve. Çdo verifikim i detyrimeve të prapambetura duhet të fillojë nga identifikimi si janë zbatuar nga të gjithë personat përgjegjës kërkesat e ligjit organik të buxhetit dhe të akteve nënligjore të tij. Aktualisht, sidomos lidhur me angazhimet shumëvjeçare, që krijuan edhe borxhin e prapambetur.


2. Pas evidentimit të totalit të detyrimeve dhe verifikimit të bazës së tyre ligjore, duhet të qartësohet se cilat nga investimet e papaguara mund të përfshihen në investimet e vitit 2014, cila pjesë e tyre kërkon huamarrje të re, veç atij të një buxheti vjetor.


3. Huamarrja e re duhet të financohet me instrumente borxhi që angazhojnë burime të brendshme, dhe jo vetëm ato të huaja. Kjo kërkon një analizë afatmesme, dhe jo thjesht gjendjen aktuale me “likuiditete të bollshme”.


3. Borxhi për huamarrjen e prapambetur duhet të synohet të bëhet me instrumente borxhi afatgjatë, duke lehtësuar buxhetin për disa vite nga kostot e rënda të pjesës së borxhit që duhet të paguhet. Duhet fituar kohë për të mos e rritur koston e borxhit (interesat dhe principialin) në vitet e para të qeverisjes. 


Të mos nënvleftësojmë riskun e kostos së borxhit meqë kostoja e borxhit aktualisht është në nivelet më të ulëta të interesave. Në kushtet e një borxhi publik të tejrritur, kostoja e tij në të ardhmen mund të bëhet e rëndë për të financuar më mirë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen sociale.


Rritja e shpejtë dhe e lartë e borxhit publik mund të vështirësojë objektivat e detyrueshme për të mbështetur  më qartë, më mirë dhe me një përgjegjësi e këndvështrim afatgjatë rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama