Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bashkëpunimi me FMN, i detyrueshëm dhe i dobishëm

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 11 vite më parë

Arben Malaj
Bashkëpunimi me FMN, i detyrueshëm dhe i dobishëm

Pas përfundimit të zgjedhjeve, me të drejtë të gjithë do të fokusohen tek ekonomia. Votuesit do të presin të kenë më shumë mundësi punësimi, më shumë të ardhura reale, më pak papunësi dhe më pak varfëri në familjet e tyre.


Pas zgjedhjeve, sfida më e madhe dhe më konkrete e çdo qeverie do të jetë jo thjesht plotësimi i premtimeve elektorale, por sidomos plotësimi i pritshmërive të votuesve, të cilat, në rastin tonë konkret duhet pranuar se janë gjërat më jetike.


Është e vërtetë që situata ekonomike në vend do të jetë më e vështirë se ajo që lexohet në të dhënat zyrtare të qeverisë. Kam parasysh këtu përmasat e deficitit, borxhit publik, pagesave të vonuara ndaj biznesit, nivelin real të papunësisë dhe të varfërisë.


Kjo situate e përkeqësuar mund t’i shërbejë qeverisë së re për të qenë më realiste dhe më ambicioze në programin e saj, por nuk mund të shërbej për një kohë relativisht të gjate për të përligjur vazhdimin e të njëjtës gjendje, sidomos në raport me papunësinë, varfërinë dhe kostove e risqeve në rritje të borxheve të rritura, individuale, familjare, të kompanive publike e private dhe të borxhit publik.


Për ta përballuar këtë situatë të vështirë, qeveria e ardhshme do të ketë “paradhënie” mbështetjen publike dhe një vullnet pozitiv nga shumica e shqiptarëve dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Edhe mbështetjet e para financiare nuk do të vonohen, por një gjë është e sigurt, që, pas momentit të fillimit, çdo bashkëpunim i mëtejshëm, çdo mbështetje në rritje me projekte dhe fonde do të kushtëzohet nga rezultatet konkrete të qeverisë. Nga qartësia dhe vullneti i saj për të ndërmarrë reformat e duhura dhe për të qenë e suksesshme në ndërtimin e shtetit ligjor, në efikasitetin kundër korrupsionit dhe krimit. Qeveria e re do të vlerësohet për qëndrimin e saj ndaj institucioneve kushtetuese dhe ndaj administratës publike. Administrata publike pas zgjedhjeve, më shume se përpara zgjedhjeve, po vihet ne qendër të debatit politik midis maxhorancës dhe opozitës së re. Fatkeqësisht ajo po bëhet edhe kali i betejës midis kandidateve për kreun e ri të opozitës. Të cilët, në vend të fokusimit te vizioni dhe strategjitë e demokratizmit dhe modernizmit të partisë më të madhe opozitare, po konkurrojnë se si do të mbrojnë administratën publike dhe sa shpejt do ta rrëzojnë maxhorancën e re.


Në vendet europiane në krizë, opozitat janë bërë mbështetëse të reformave shëruese të ekonomisë më shumë se fanatike të ndarjeve ideologjike.


Opozita ka një mision të parë, të mbështesë sfidat kombëtare, të mbështesë reformat e domosdoshme kushtetuese, administrative, fiskale, të Gjyqësorit dhe administratës publike dhe pa asnjë paragjykim, edhe mbikëqyrjen profesionale të qeverisjes së vendit jo vetëm përballë qeverisë, por nëpërmjet kontrollit parlamentar edhe ndaj institucioneve të pavarura, që janë pjesë e Kushtetutës së vendit ose që janë institucione mbikëqyrëse dhe rregullatore që krijohen nga Parlamenti dhe që raportojnë përballë tij.


Opozita duhet të mbështesë përfitimin e statusit të vendit kandidat, pasi dhjetori është një mundësi reale, e cila vetëm mund të dëmtohet nga zhvillimet tona politike. 


Maxhoranca e re duhet ta ketë të qartë që shumica numerike, qoftë edhe më e madhe se 84, nuk është garancia për ta përfituar këtë status. Raportet maxhorancë–opozitë nuk janë raporte numerike, por statuse të përcaktuara qartë në demokracitë funksionale. Opozita jo thjesht duhet respektuar, por duhet ftuar publikisht dhe mbi dokumente konkrete të bëhet pjesë e reformave që e lehtësojnë mirëqeverisjen e vendit dhe përshpejtojnë përftimin e statusit të vendit kandidat.


Duke parë sfidat e vështira që ka vendi përpara, sot ka shumë diskutime dhe debate publike për domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e bashkëpunimit me FMN dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare.


Vizioni dhe strategjitë e qeverisë së re për t’u fokusuar te rritja e ekonomisë së vendit pa nënvleftësuar stabilitetin e financave publike, dhënia prioritet reformave që lehtësojnë, nxisin dhe mbështesin biznesin, që luftojnë korrupsionin dhe krimin, që përmirësojnë efikasitetin e administratës publike, nuk bien ndesh me misionin e FMN, BB dhe BE. Rruga se si do të përmbushen këto sfida, qëndrimi ndaj kapaciteteve administrative që do të përfshihen në implementimin e tyre, përgjegjshmëria në rritjen e transparencës publike në çdo vendim të qeverisë, janë pa dyshim elemente të rëndësishme të diskutimeve me këto institucione.


Niveli aktual i deficitit dhe borxhit publik kërkojnë domosdoshmërisht rritjen e të hyrave në ekonominë tonë dhe, në kushtet e një deficiti të lartë tregtar, sidomos të hyrave në valute. Me efekte më të qëndrueshme janë të ardhurat nga rritja e eksporteve, të ardhurat nga turizmi, të ardhurat nga rritjet e investimeve të huaja, pasi hyrjet nga dërgesat e emigranteve dhe hyrjet nga mbështetjet me grante dhe kredi të buta janë në rënie. Kjo duket qartë edhe në raportin midis borxhit të brendshëm dhe borxhit të huaj, në dinamiken e strukturës së tyre dhe sidomos në trendin e ndryshimit të financimeve të huaja nga grante dhe kredi të buta në financime me kushte tregtare.


Në kushtet kur duhet ndalur çdo përkeqësim i këtyre treguesve të rëndësishme të stabilitetit të financave publike, qeveria e re pa vonesë do të fillojë bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, ku një vend specifik dhe ndoshta më sensibël është ai me FMN.


Ekspertët në vendin tonë janë ndarë në grup me qëndrimet e tyre pro dhe kundër një programi të ri bashkëpunimi me FMN. Pra a do të duhet një program mbështetës përballë risqeve në rritje për burimet e financimit të ekonomisë sonë, në kushtet kur çdo shkurtim i mëtejshëm i shpenzime apo çdo rritje e mëtejshme e borxhit do të sjellin pasoja negative, vret burimet dhe cilësinë e rritjes ekonomike të vendit, apo do të vazhdojmë me ketë nivel bashkëpunimi thjesht nën artikullin IV të FMN-së, ku ata kanë detyrimin të skanojnë ekonominë dhe financat e vendit tonë, të identifikojnë pengesat apo problemet potenciale ndaj rritjes ekonomike apo përkeqësimin e stabilitetit të financave publike.


Në opsionin e parë patjetër që çdo mbështetje financiare bazuar në analizat e ekspertëve të tyre do të shoqërohet me disa kushte për reformat që përmirësojnë ritmet e rritjes ekonomike dhe në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme edhe stabilitetin e financave publike.


Ky bashkëpunim mbi një program konkret ka kostot afatshkurtra dhe përfitimet afatmesme e afatgjata. Pas krizës financiare FMN e ka rritur fokusin e saj te rritja ekonomike, ka rritur fleksibilitetin e saj në shtrirjen në kohë të implementimit të reformave të domosdoshme dhe ka zgjeruar numrin e instrumenteve financiare me të cilat asiston vende të ndryshme, në faza të ndryshme, të krizave të tyre.


Nga ky bashkëpunim efekti pozitiv është më i madh se kostot, ai është i drejtpërdrejtë kur bëhet fjalë për mbështetje emergjente dhe indirekte, por shumë i domosdoshëm në raport me efektet pozitive që krijon në vlerësimin e kredibilitetit të qeverisë dhe të vendit nga institucionet e tjera financiare,  në impaktin tek investitorët potencialë dhe tregjet ndërkombëtare të kapitaleve.
Por një element i rëndësishëm, i cili vlerësohet pak, është impakti pozitiv që bashkëpunimi me FMN sjell nga reformat në mirëqeverisjen e vendit dhe në veçanti ndaj mirëqeverisjes së financave publike. (IMF Strengthens Fiscal Transparency Code  http://www.imf.org/extwrnal/pubs/ft/survey).


Më konkretisht, kodi i transparencës fiskale që FMN u kërkon vendeve anëtare të saj (janë 183 vende) është një mundësi konkrete për të rritur përgjegjësinë e menaxhimit të financave publike.
Shumë nga diskutimet tona publike rreth mosnjohjes së gjendjes reale të treguesve ekonomikë dhe fiskalë të vendit, shumë nga shqetësimet e deformimit apo mashtrimit me treguesit fiskalë, shumë nga shqetësimet në fshehjen e borxheve duke mos përfshirë detyrimet ndaj kompanive private, shumë nga shqetësimet për ndryshimin e shpeshtë të legjislacionit fiskal, të mosharmonizimit të treguesve vjetorë me ata afatmesëm, të moskonsultimit me grupet e interesuara, janë në qendër të propozimeve përmirësuese të menaxhimit të financave tona publike.
Ndaj, bashkëpunimi me FMN nuk duhet parë si një mundësi për të marrë me kushte e përfituar me sa më pak kushte disa fonde.


Nuk është e vërtetë që FMN do t’i vendosë “thonjtë në grykë qeverisë së re” me kushte që do të cenojnë prioritetet e saj. Vetë dokumentet zyrtare të FMN-së për Shqipërinë, edhe kur flasin për një nivel shumë më të ulët të borxhit publik se ky aktual, parashikojnë një program gradual të uljes së tij. Por patjetër asnjë vend nuk mund t’i arrijë objektivat e tij të rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike pa qartësuar reformat konkrete dhe afatet e domosdoshme të implementimit të tyre.


Kur qëndrimeve hezituese ndaj bashkëpunimit me FMN janë edhe mesazhet konkrete të Lagarde në Rumani në fjalën e saj, (Eastwrn Europe and Romania—The Path to Prospwrity by Christine Lagarde in Bucharest http://www.imf.org/extwrnal/np/speeches/2013/071613.htm) ku qartësonte efektet pozitive të reformave integruese dhe prioritetet e qeverive ndaj sfidave përballë krizës aktuale, ku ndër të cilat theksonte:


Së pari – sigurimin e stabilitet të financave publike duke përmendur shembuj pozitivë të qeverive që përballuan kriza të rënda. Së dyti – këshillon se duhet të bëhet kujdes që në paketat për stabilitetin e financave publike të ndahet në mënyrë më të ndershme barra e tyre, ku në shkurtimet buxhetore të synohet forcimi i skemave sociale dhe mbrojtja e grupeve më të prekshme nga krizat. Së treti – të synohet një rritje ekonomike më e lartë, e cila kërkon eliminimin e barrierave të rritjes së produktivitetit dhe aftësisë konkurruese të vendeve tona, duke i bërë ato më dinamike dhe njëkohësisht në funksion të një rritjeje më të lartë ekonomike, të eliminohen barrierat që pengojnë suksesin e ekonomive tona në një Europë të integruar.


Bashkëpunimi me FMN, BB, BE dhe institucionet e tjera financiare duhet parë si mundësia më e mirë për të përmirësuar qeverisjen e vendit tonë. Çka do të kërkonte qartësimin dhe renditjen e prioriteteve të vendit, hapat konkretë dhe të monitorueshëm të tyre dhe në ritëm e efikasitet të mbledhjes dhe përdorimit të taksave, por edhe huave të huaja, pasi edhe ato janë taksa për t’u paguar në një periudhë të ardhme.


Çdo thjeshtim i bashkëpunimit me këto institucione thjesht në analizën “sa pak ne japin dhe sa na kushtëzojnë”,  mund të krijojë vonesa dhe pengesa në plotësimin e pritshmërive të votuesve për më shumë punë dhe më shumë të ardhura reale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama