Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Imponimi i ekonomisë mbi politikën

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Malaj
Imponimi i ekonomisë mbi politikën

Viti 2011, jo vetëm që nuk e zgjidhi, por e ashpërsoi krizën politike në vend. Ndoshta mënyra e ashpër e konkurrimit politik mund të ketë ndikime jo pozitive në ekonomi, e cila është në një situatë në përkeqësim. Impakti më i rëndë i krizës politike është efekti psikologjik, duke ndikuar në rënien e konsumit dhe investimeve private. Rritja e të ardhurave nga rritja e çmimeve nuk është tregues i rritjes ekonomike, por i përkeqësimit të saj, sidomos i rritjes së varfërisë.

Nga ana tjetër, qeveria, për të zbutur sadopak këtë rënie të burimeve të rritjes ekonomike, do të tentojë politika populiste në krahun e shpenzimeve. Kjo është përvoja e vitit 2009, ku u hapën shumë projekte publike pa burime financiare, por që nuk u paguan, duke përkeqësuar deri në falimentim disa kompani private. Njëkohësisht, qeveria po angazhohet çdo ditë e më shumë në premtime populiste, të cilat në thelbin e tyre përfaqësojnë keqpërdorimin e taksave për përfitime elektorale.

Në fakt, leximi i mesazhit të ekonomisë ndaj politikës duhet të jetë shumë më i përgjegjshëm. Ekonomia po kërkon përgjegjshmëri përpara se ajo të përkeqësohet më shumë. Çdo vonesë e bën më të vështirë shërimin e shpejtë dhe me sa më pak dhimbje. Rasti i Greqisë, përkeqësimi i situatës në Spanjë dhe analiza e fundit e risqeve në rritje të ekonomisë në Hungari e Portugali, duhet të jenë të mjaftueshme për të dëgjuar dhe vlerësuar rënkimet e ekonomisë sonë.

Në shkurt 2011, qeveria (http://www.minfin.gov.al/) i deklaron Brukselit se do të vazhdojë të ketë një borxh të lartë publik. Për periudhën 2009-2012, çdo vit, borxhi publik do të jetë rreth 4 % e PBB më i lartë se parashikimet e mëparshme zyrtare. Për këto katër vite së bashku, qeveria do të krijojë një borxh publik shtesë rreth 16% të PBB-së. Në vitin 2012, qeveria parashikon se do ta tejkalojë borxhin publik nga 52.5 në 57.2. % të PBB-së. Viti 2013 do të jetë vit elektoral, rritet risku që borxhi të përkeqësohet akoma më shumë. Rritja e borxhit do të jetë një barrë e rëndë për t’u paguar jo vonë.
Në këtë analizë të risqeve në rritje duhet të mbajmë parasysh edhe faktin se gjatë periudhës së krizës 2008-2009, bazuar në një studim të LSE (http://eprints.lse.ac.uk/), Shqipëria është vendi që ka aplikuar nivelet më të larta të deficitit buxhetor, edhe pse kishte nivelin më të lartë të borxhit publik se vendet e tjera të rajonit.  Në vitin 2008, deficiti mesatar i vendeve të rajonit ishte 1.96% e GDP-së, deficiti i Shqipërisë 5.9%, ose 180% më i lartë. Në vitin 2009, deficiti i rajonit ishte 3.9% e GDP-së, deficiti i vendit tonë 6.4%, ose 64% më i lartë. Në vitin 2008, niveli mesatar i borxhit publik i vendeve të rajonit ishte 29.5 % e GDP-së, borxhi publik i Shqipërisë 53.6%, ose 81 % më i lartë. Në vitin 2009, niveli mestar i borxhit publik në rajon ishte 33.3% e GDP, në Shqipëri arriti  55.4%, ose 67 % më i lartë.

Një risk në rritje për shqiptarët është inflacioni. Instituti i Statistikës (http://www.instat.gov.al/), deklaron se në muajin shkurt është tejkaluar niveli i inflacionit. Të mos harrojmë që inflacioni mesatar fsheh rritjen e varfërisë për klasën e mesme dhe atë të varfër, sepse inflacioni për mallrat e përditshme të ushqimeve, të dritave, të karburanteve, të ilaçeve është akoma më i madh. Këtu duhet të mbajmë parasysh që vendi ka rreth 143 000 të papunë, përfitojnë pagesë papunësie vetëm 9500 veta. Pagesa e papunësisë është 6500 lek/muaj. Niveli i ndihmës ekonomike është vetëm 4090 lek/muaj, ndërsa ai pjesor vetëm 3300 lek/muaj. Inflacioni është një tatim indirekt që godet më rëndë shtresat më të varfra të shoqërisë, ndaj çdo rritje inflacioni i godet këto shtresa shumë më tepër se niveli mesatar i tij.

Familjet shqiptare po goditen edhe nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare. Banka Qendrore deklaron se vazhdon zhvlerësimi i monedhës kombëtare. Ndoshta në përqindje ky zhvlerësim duket i vogël, por rëndon shumë këdo që përpara dy-tre vitesh ka marrë kredinë në monedhë të huaj. Zhvlerësimi i lekut me euro për dy-tre vitet e fundit shkon deri në 15%, nga 122 lek/euro në 140 lek/euro. Çdo vit huamarrësit në monedhë të huaj për kredi konsumatore, kredi shtëpie apo biznesi, kanë pasiguri në rritje nga zhvleftësimi i monedhës kombëtare. Ata rëndohen jo thjesht nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, por nga rënia e fuqisë blerëse të pagave dhe të të ardhurave të tyre, sepse u duhet të japin një pjesë gjithnjë e më të madhe për të shlyer kreditë në monedhë të huaj, pra u mbetet një pjesë gjithnjë e më e vogël për të përballuar jetesën e tyre.

Ekonomia jonë akoma ndien vështirësi në kreditimin e saj. Përkeqësimi i kredive të këqija rrezikon të rritet. Kredimarrja ka rënë, ka banka që të japin edhe dhuratë n.q.s. kërkon kredi?!!

Ekonomia jonë nuk po përfiton as nga futja në qarkullim ekonomik të pasurive tona natyrore. Enti Rregullator i Energjisë (http://www.ere.gov.al/) deklaron se është realizuar vetëm 1.6% e koncesioneve në energjetikë. Shqetësimi është i njëjtë edhe për koncesionet në pasuritë minerare. Përzgjedhja e disa kompanive koncesionare është korruptiv deri në kapje e shtetit. Dështimi i reformave dhe investimeve në energji ka rritur ndjeshëm koston e energjisë në buxhetet familjare. Pa investimet e reja, pasiguria e krizës së ardhme të energjisë mbetet e lartë, edhe si krizë buxhetore për të subvencionuar importet e periudhave kritike të mungesës së energjisë.

Ekonomia jonë ka një sfidë jo të lehtë: uljen e deficitit tregtar. Instituti i Statistikës (http://www.instat.gov.al/) deklaron se deficiti tregtar në janar 2011 është ulur vetëm me 0.6%. Eksportet janë rritur me 50%, importet janë ulur, por sipas njoftimit zyrtar, deficiti tregtar i vendit është ulur vetëm 0.6%. Çdo ekonomist e kupton se raporti eksport-import është akoma shumë i lartë, kjo e ekspozon shumë ekonominë tonë ndaj krizave globale.

Një tregues jo i lehtë i sfidave të ekonomisë sonë është ambienti i biznesit, është liria ekonomike, është aftësia konkurruese, është mirëqeverisja e vendit. Janë një sërë indeksesh/skanera ndërkombëtarë që analizojnë ekonominë tonë, ekonominë rajonale dhe atë globale. Lira ekonomike në vitin 2011 është përkeqësuar në 9 nga 10 elementët e saj. http://www.heritage.org/Index/Country/Albania. Korrupsioni është përkeqësuar më shumë se çdo element tjetër. Liria për punësim është përkeqësuar, ndaj kemi rritje ekonomike, por nuk kemi punësim. Mungesa e lirisë së pronës vazhdojnë të pengojë ekonominë dhe të gërryejë buxhetin.
Kjo analizë nuk synon thjesht të qartësoj disa nga vështirësitë konkrete dhe risqet potenciale të ekonomisë sonë. Kriza politike e vitit 2011 mund ta përkeqësojnë situatën ekonomike, duke e bërë më të rëndë barrën e saj për të gjithë. Përgjegjshmëria ndaj sfidave ekonomike duhet të imponojmë objektivat dhe zhvillimet politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama