Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përfitimet nga zgjidhja e krizës së euros

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Përfitimet nga zgjidhja e krizës së euros

Në Samitin e Davosit dhe në takimin e 30 janarit, krerët europianë diskutuan për eurozonën dhe sfidat e ekonomisë globale. Pavarësisht analizave të ndryshme për shkaqet e krizës dhe opsioneve të ndryshme për daljen nga kriza e parandalimin e tyre, gjithnjë e më shumë po rritet bashkëpunimi për zgjidhjen e krizës së eurozonës.

Disa faktorë që kanë ndikuar pozitivisht janë:

Së pari – Euroja nuk është thjesht një monedhë e përbashkët. Debatet do të vazhdojnë gjatë nëse politikanët nuk “i dëgjuan” ekonomistët apo nëse disa ekonomistë me ndikim e dëshironin euron me çdo kusht për të thelluar integrimin europian dhe për t’i vënë politikanët përballë situatave kritike që jo gjatë mund të toleronin mosmarrjen e reformave të mëtejshme të thellimit të integrimit europian. Ndërsa vendet e eurozonës dorëzuan vullnetarisht sovranitetin mbi monedhën kombëtare dhe politikat monetare, ato vazhdojnë të hezitojnë të dorëzojnë sovranitetin për politikat fiskale. Ekonomistët kishin paralajmëruar se një monedhë e përbashkët nuk mund të ekzistojë gjatë nëse nuk i përket një shteti unik. Ndaj tani rekomandimi kryesor për daljen nga kriza është krijimi i “Ministrisë së Financave” të BE-së. Krizat i nxjerrin më mirë në pah kostot e dështimeve dhe mund t’i bëjnë më të “lehta” reformat fiskale në BE.

Së dyti – Të gjithë kanë përfituar nga zgjerimi i BE-së. Jo vetëm vendet e reja, por edhe ato themeluese të BE-së kanë përfituar nga zgjerimi i saj. Analizat e Bankës Qendrore Europiane sjellin argumente të qarta dhe shifra të plota për përfitimet reciproke. Përfitimet për 12 vendet nga ish-blloku komunist duken qartë në rritjen e të ardhurave për frymë, në rritjen e investimeve të huaja direkte dhe në rritjen e produktivitetit të ekonomisë. Disa vendeve të eurozonës po i përballojnë efektet e krizës jo duke u përqendruar te zhvleftësimi i monedhës kombëtare. Ato janë duke kryer reforma të tregut të punës, investime publike cilësore dhe po përmirësojnë ambientin e biznesit për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e vendeve të tyre. Në disa vende të BE-së (15) përfitimet nga anëtarësimi “u tretën”.

Së treti – Për zgjidhjen e krizës së eurozonës kërkohet bashkëpunim global. Nga kriza e saj preken të gjithë. Ndalja e thellimit të kësaj krize, stabilizimi dhe ringritja e eurozonës kanë efekte pozitive globale. Rritja e fuqisë ekonomike të BE-së nëpërmjet zgjerimit të saj ka rritur peshën në ekonominë globale. BE-ja përfaqëson sot një nga blloqet ekonomike më të mëdha në botë, duke pasur ndikim të konsiderueshëm në ekonominë globale. Kjo qartësohet nga ndërthurja e bashkëpunimit ekonomik me ekonomitë kryesore në botë. Le të shohim bashkëpunimin e BE-së me dy prej tyre. SHBA dhe BE, edhe pse përbëjnë rreth 11.8% të popullsisë në botë, prodhojnë sot rreth 53% të GDP-së, duke përfaqësuar ekonomitë më produktive në botë.

Bashkimi Europian ka sot një volum tregtar ditor vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rreth 3 miliardë dollarë. Në vitin 2010 BE eksportoi mallra në SHBA rreth 242 miliardë euro dhe importoi prej saj 169.5 miliardë. BE eksportoi shërbime në SHBA rreth 125 miliardë euro dhe importoi 131 miliardë. Ndërthurja e ekonomive qartësohet edhe tek investimet e huaja direkte. Ne 2009-n, BE investoi në ekonominë amerikane rreth 79 miliardë euro, ndërsa SHBA investuan rreth 97 miliardë euro. BE ka një stok investimesh në SHBA për rreth 1044 miliardë euro, ndërsa SHBA një stok investimesh në BE rreth 1134 miliardë euro. Ekspertët vlerësojnë se ky volum bashkëpunimi ekonomik krijon rreth 15 milionë vende pune, të ndara afërsisht në mënyrë të barabartë. Por SHBA dhe BE janë jo vetëm partnerë kryesorë në bashkëpunimin ekonomik, por edhe në sfidat globale. BE dhe SHBA japin sot 80% të ndihmës ndërkombëtare të destinuar për sfidat globale në vendet në zhvillim.

Po ashtu bashkëpunimi i BE-së me Kinën po rritet me shpejtësi, ai është i konsiderueshëm në shkëmbimet tregtare të mallrave dhe shërbimeve dhe në hapat e parë të investimeve të huaja direkte në ekonomitë respektive.

Në vitin 2010, BE eksportonte në Kinë rreth 113 miliardë euro dhe importonte rreth 285 miliardë, ose 2.5 herë më shumë. Investimet e huaja direkte janë vetëm rreth një miliard euro. Ky bashkëpunim dy dekada më parë ishte gati zero. Aktiviteti tregtar midis tyre është rreth një miliard euro në ditë. Ja pse SHBA dhe Kina preken jo pak nga kriza e euros, ndërsa zgjidhja e saj ul risqet mbi ekonomitë e tyre dhe mbi ekonominë globale.

Bashkimi Europian përfaqëson një model politik dhe ekonomik të suksesshëm. Ajo është modeli më i mirë i eliminimit të konflikteve dhe luftërave. BE ka arritje të konsiderueshme në përhapjen dhe konsolidimin e demokracisë në kontinentin e vjetër. BE ka aplikuar me sukses ekonominë sociale të tregut, duke arritur disa tregues socialë në nivel më të mirë se vendet e tjera të zhvilluara. Modeli ekonomik europian nxit novacionin, nxit suksesin e sektorit privat dhe promovon rritjen ekonomike. Ky debat krahasues ka përfshirë sot shumë analistë dhe ekspertë. (www.nytimes.com/2012/01/15/opinion/sunday/kristof-why-is-europe-a-dirty-word.htm)

Kriza aktuale ndoshta i ka ndikuar më shumë politikëbërësit europianë se thellimi i integrimit brenda BE-së dhe në ekonominë globale është zgjidhja e së ardhmes. Ndaj disa reforma të spostuara, të vonuara, të paplota do të duhet të ndërmerren pa vonesë, zgjidhja për sfidat e ardhshme të BE-së nuk do të jenë muret mbrojtëse (firewall) për të mos e përhapur krizën dhe as madhësia e fondeve në dispozicion të menaxhimit të krizës sapo ajo shfaqet në një nga vendet anëtare të saj. Këto mund të jenë instrumente të uljes së risqeve, instrumente të reduktimit të panikut mbi tregjet, të fitimit të kohës për të bërë reformat e plota. Tani është më e qartë se krizat globale imponojnë zgjidhje globale dhe në kontestin europian, përballë sfidave të së ardhmes neve na duhet më shumë dhe jo më pak Europë.

Shqipëria dhe përfitimet nga zgjidhja e krizës

Vendi ynë përfiton nga dalja sa më parë e eurozonës nga kriza. Kriza në Greqi dhe Itali ka sjellë efekte të ndjeshme në ekonominë tonë. Kemi rënie të konsiderueshme të ritmeve të rritjes ekonomike, nga një mesatare 5-7% për një periudhë mbi 10-vjeçare, në 1-3% në vitet e fundit.

Kriza e eurozonës ka krijuar pasiguri mbi investitorët dhe konsumatorët në ekonominë shqiptare, duke e vështirësuar ringritjen e saj. Tre vitet e fundit rritja ekonomike është në përkeqësim. Sistemi bankar shqiptar, kredidhënia dhe kostoja e saj ndikohen nga problemet e krijuara në bankat e huaja që janë në vendin tonë. Për shkak të krizës kanë rënë ndjeshëm investimet e huaja në ekonominë tonë. Kjo sjell vonesa ose ngrirje të përkohshme të tyre, çka dëmton ekonominë tonë. Pasiguritë për shkak të tejzgjatjes së krizës së eurozonës krijojnë pasiguri për kostot e financimit në ekonominë e vendit tonë, si për borxhin publik edhe për financimin e sektorit privat që ka peshë të konsiderueshme në hapjen e vendeve të punës.

Të bashkuara në efektet e tyre zinxhir, këto efekte negative konkretizohen në rritjen e papunësisë dhe varfërisë që janë sot sfidat sociale më të mprehta. Identifikimi i risqeve dhe pasojave është njëra anë, ndërmarrja e reformave është thelbi i daljes nga kriza. Reformat politike që forcojnë shtetin e së drejtës dhe reformat ekonomike për rritjen e produktivitetit dhe aftësisë konkurruese të ekonomisë sonë, detyrimisht duhet të jetë pjesë e strategjisë afatgjatë të zhvillimit të vendit, përparësitë e të cilit nuk duhet të cenohen nga qëndrimet partizane të partive politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama