Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vullneti pozitiv për të ndryshuar

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Vullneti pozitiv për të ndryshuar

Situata e krizës që po kalon vendi ynë imponon reflektim dhe ndërgjegjësim të opinionit publik për të realizuar formësimin e perspektivave të merituara afatgjata europiane. Këtu zë fill bashkëbisedimi me opinionin publik për modernizimin e partive politike shqiptare. Së pari, vendi ynë ka avantazhe historike krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, ndaj duhet të hedhim hapa më të shpejtë e më të qëndrueshëm në procesin e integrimit.

Së dyti, kriza e tejzgjatur politike, jo vetëm nuk i maksimizon avantazhet, por po i dëmton ato. Rrezikohemi të mbetemi të fundit në procesin e integrimit. Së treti, të gjithë shqiptarët po paguajnë kosto jo të lehta nga kjo krize. Së katërti, modernizimi i partive politike është një nga parakushtet për modernizimin e vendit. E pesta, ideja e krijimit të një modeli pozitiv në funksionimin e partive politike.

Jo rastësisht u fol për partitë politike, për krijimin e një modeli që do të nxiste presionin publik për të modernizuar politikën. Deputeti PD-së, Marku, mund të mos e anashkalonte apo deformonte këtë moment thelbësor. Pushteti absolut i liderit, pushtete të palimituara dhe të tejzgjatura të një grupi të vogël të lidershipit të PD-së, mungesa e një sistemi meritokratik dominojnë funksionimin e PD-së.

Në qoftë se do t’i referohemi tranzicionit të ish-vendeve komuniste, do të jetë shumë e vështirë që edhe në Ballkan të gjejmë parti ku i njëjti person mban nën pushtetin e tij absolut për rreth 20 vjet një nga forcat politike më të mëdha të një vendi. Po të bëjmë një analizë retrospektive të të gjithë liderëve të së djathtës dhe së majtës në Europën Lindore, nuk do të gjejmë një shembull të tretë si ky i PD-së. Duhet hapje reale e partive, jo si rasti i KOP-it, ku mbijetuan politikisht vetëm ata që u përshtatën, ndërkaq, ata që e kritikuan nga brenda keqqeverisjen e PD-së apo mosfunksionimin e forumeve të saj, u penalizuan.

Për të respektuar studentët që kanë preferenca të ndryshme politike, përdora disa referenca pozitive nga e djathta europiane. Ish-kryeministri Aznar mbajti premtimin kur u bë Kryeministër i Spanjës për të mos e qeverisur vendin e tij për më shumë se dy mandate. Mesazhi i tij publik ishte se pushtetet e zgjatura të korruptojnë, duke premtuar se nuk donte të qëndronte gjatë në pushtet si Gonzales, ish-lideri i socialistëve spanjollë. Në qoftë se nuk do të ndodhte keqpërdorimi elektoral i një ngjarjeje tragjike me ditët e fundit të fushatës, e djathta ishte në prag të mandatit të tretë, por me një kryetar të ri partie dhe Kryeministër të ri.

Modernizmi i partive politike nuk është çështje thjesht e socialistëve apo e demokratëve. Asnjë forcë politike nuk fiton vetëm me votat e anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Socialistët duhet të vijnë në pushtet duke u bazuar tek avantazhet e tyre, të cilat duhet të fillojnë nga modernizimi i saj. Në vende me demokraci mikse, siç klasifikohet vendi ynë, mundësitë për të abuzuar me pushtetin janë të mëdha. Kur i njëjti person qëndron gjatë në qeverisjen e vendit, kostot e keqqeverisjes rriten, funksionimi i shtetit ligjor dobësohet, korrupsioni përhapet, kapja e shtetet me koncesionet e pasurive natyrore i zë frymën ekonomisë dhe dëmton rëndë rotacionet politike. Ky është një leksion i demokracive perëndimore.

Modeli politik amerikan që kufizon mandatin e Presidentit të vendit, nuk kufizon të drejtën e votuesve amerikanë të zgjedhin forcën politike që dëshirojnë. E drejta e votës është e pacenueshme. Ai model politik kufizon mbajtjen e më shumë se dy mandateve si President i SHBA-ve nga i njëjti individ. Një mesazh historik vjen nga presidenti Uashington (1789-1797), kur i kërkuan të vazhdonte një mandat të tretë si President i Amerikës. Ai deklaroi: “Nuk e munda një mbret për t’u bërë mbret”. Ajo që të inspiron më shumë është fakti se për rreth 144 vjet, kufizimi me dy mandate nuk ishte një rregull kushtetues, por u imponua si një kod moral në politikën amerikane.

Përkushtimi i njerëzve në politikë, sistemi i meritokracisë, ndarja e pushteteve, kufizimi i pushteteve individuale, harmonizimi i brezave në çdo forcë politike janë disa momente të rëndësishme modernizimi. Kryeministri Kameron, në fjalën e parë në Asamblenë vjetore të konservatorëve, filloi me mirënjohjen për të gjithë kryetarët e Partisë Konservatore dhe të gjithë kryeministrave konservatorë që kishin drejtuar vendin e tij. (David Cameron’s Conservative conference speech to the Conservative Party conference in Birmingham 2010).
Mesazhi më impresionues ishte falënderimi i veçantë për Herrin, 96-vjeçari që nuk e braktisi Partinë Konservatore në asnjë moment, në maxhorancë apo në opozitë. Ky përkushtim, 81 vjet aktiv si anëtar i Partisë Konservatore, 21 fushata elektorale, 96 vjeç në fushatën e 2010-s, është një rast/model konkret se angazhimet në parti nuk janë luftë brezash dhe xhaketash, por sinergji pozitive vlerash e përkushtimi. Rasti i Herrit është i mundur kur angazhimi nuk është i lidhur me një person apo një karrige të caktuar, por me përgjegjshmërinë qytetare, duke besuar se partia jote politike mund ta qeverisë më mirë vendin tënd.
Bashkëbisedimet midis politikanëve dhe studentëve, midis tyre dhe grupeve të interesit, mund të bëhen pjesë e kulturës sonë politike. Universitetet mund t’i motivojnë studentët me ambicie për t’u përfshirë në politikë. Politikanët duhet të ndiejnë detyrim për të ndarë me studentët eksperiencat e tyre, dështimet dhe sukseset, të diskutojnë për sfidat konkrete të partive politike dhe të vendit të tyre.

A mund të krijojmë edhe ne eksperienca të tilla, ku, mbi baza jo thjesht partiake, diskutohet me studentë, shoqërinë civile, grupet e interesit? Konferenca vjetore e laburistëve nuk është një aktivitet disaorësh thjesht mediatik, por një aktivitet disaditor, ku mblidhen bashkë politikanët, qarqet akademike, grupet e interesit dhe diskutojnë për çështjet më themelore të vendit të tyre. Në vendet e tjera, debatet midis konkurrentëve politikë parapëlqehen të bëhen në ambiente universitare. Në universitetet më të mira (http://ëëë.iop.harvard.edu) ka programe specifike dhe aktivitete të përhershme që ndiqen me shumë interes nga studentët. Aty ftohen politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues influentë të shoqërisë civile, të cilët synojnë të rrisin interesin e studentëve për suksesin, jo vetëm në politikë.

Takimet me studentë nuk janë për të nxitur një luftë, as brenda PS-së e as midis PS-së dhe PD-së, por një përpjekje për të rritur kontaktet e drejtpërdrejta me studentët, të rinjtë apo grupet e interesit, për të diskutuar me ta domosdoshmërinë dhe mënyrat e modernizimit të politikës.

Duhet nxitur besimin për të guxuar, për të diskutuar për sfidat e vendit tonë, ku hapja e politikës, rritja e interesit publik për politikën dhe modernizimi i partive politike nuk duhet të jenë çështje delikate të mbyllura.

Si qytetar unë besoj se të gjithë ne meritojmë më shumë liri politike dhe ekonomike. Si politikan,  nuk besoj se vendi duhet drejtuar me dorë të fortë dhe institucione të dobëta.

Kjo është situata në të cilën ndodhemi. Ruajtja me çdo kusht e situatës aktuale, plot kriza politike, është një peshë që vendin tonë do vijojë ta mbajë të kërrusur. Vullneti dhe angazhimi pozitiv i opinionit publik të ndryshuar, ky duhet të jetë prioriteti ynë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama