Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ekonomia dhe politika në vitin 2012

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Malaj
Ekonomia dhe politika në vitin 2012

Të gjithë shpresojmë që viti 2012 të jetë një vit me sa më pak kriza politike, me sa më pak dhimbje sociale, më pak papunësi, më pak varfëri. Ka disa faktorë që vitin 2012 e vlerësojnë të vështirë në ekonominë europiane. Ndaj, shumë politikanë europianë, në urimin e vitit të ri nuk ngurruan të kërkonin sakrificë nga popujt e tyre në emër të së ardhmes.

Mesazhet publike në prag të vitit të ri të Kancelares gjermane, të Presidentit francez, të Presidentit italian, do të duheshin të influenconin edhe qeveritarët tanë për të kuptuar se ta shikosh realitetin në sy është një ndjenjë e përgjegjësisë së lartë publike për të qartësuar popullin tënd në momente kritike. Janë momente kur qeveritë i kërkojnë mbështetje publikut për reformat e domosdoshme, të cilat shpesh kanë edhe dhimbje sociale.

Ndaj, hapi i parë për vitin 2012 është ndërgjegjësimi për të mbrojtur ekonominë tonë nga krizat politike, krizat sociale dhe dështimet në sfidat integruese.

Nëse gjatë vitit 2011 ekonomia jonë kishte si kosto shtesë edhe situatën e mbingarkuar politike, duhet të shpresojnë se pas zhvillimeve të fundit politike, viti 2012 të jetë një vit më i qetë.

Në vitin 2012, kur pritet që kriza ekonomike dhe pasojat e saj negative të jenë bërë akoma më prezente, mund të kemi rrezikun që ekonomia të ndikojë zhvillimet politike.

Situatat e vështira ekonomike janë momente që politika i keqpërdor deri në një pikë kritike. Agresiviteti rritet, bipartizanizmi sundon zhvillimet në parlament dhe në debatin publik. Opozitat kërkojnë deri zgjedhje të parakohshme, ndërsa maxhorancat rrisin agresivitetin mediatik në luftën publike ndaj opozitës.

Duke rritur qëndrimet bllokuese, zhvillimet politike jo vetëm që nuk i ndalojnë, por i rritin risqet e përkeqësimit të ekonomisë. Këtu mbahet parasysh kultura politike e tranzicionit, por edhe zhvillimet politike të vitit 2011.

Këtyre faktorëve u shtohet edhe momenti i zgjedhjes së Presidentit të vendit. Fillimi i parakohshëm i debateve publike, paralajmërimet se do të jetë një proces i vështirë, koha e shkurtër pas zgjedhjes së Presidentit për plotësimin e kritereve të përfitimit të statusit të vendit kandidat, janë faktorë jopozitivë në horizontin politik të vitit 2012.
Pavarësisht situatës rozë që paraqet qeveria, e vërteta është se viti 2012, edhe për ekonominë tonë do të jetë i vështirë. Dështimet ekonomike të vitit 2011 përfshijnë: rënien e rritjes ekonomike, mosmbledhjen e të ardhurave buxhetore me rreth 360 milionë dollarë, shkurtimi i shpenzimeve me rreth 440 milionë dollarë, arritja në pragun kritik të shkurtimeve në investimet në sektorët jetikë si arsim, shëndetësi, rritja joreale e pagave dhe pensioneve, heqja e pagesës solidare për pensionistët në fund të vitit, mospagesa për disa muaj e të paaftëve në disa rrethe të vendit, rritja e borxhit të qeverisë ndaj kompanive private që kanë realizuar investime publike, si dhe shkurtimin drastik të fondeve të mirëmbajtjes. Rritja e kredive të këqija në një nivel kufi rreth 19% e totalit, arritja e borxhit në nivelin 60% së bashku me faktorët e mësipërm, mjaftojnë për të kuptuar se hapësirat për manovra fiskale në vitin 2012 janë shumë të limituara. Kjo do të thotë se çdo situatë e vështirë ekonomike në 2012-n do të imponojë zgjidhje më të vështira. Që të mos përkeqësohet stabiliteti i financave publike, mund të kërkohen paketa shtrënguese mbi shpenzimet dhe rritje të të ardhurave.

Pikërisht këtu është pika e kthimit. Nëse kemi vlerësuar se deri tani zhvillimet politike në vend kanë pasur efektin e tyre jopozitiv mbi ekonominë, gjatë vitit 2012 mund të ndodhemi në momentin që përkeqësimet ekonomike të ndikojnë në zhvillimet politike në vend.

Në qoftë se politika do të zhvillohet me të njëjtin agresivitet si më parë, partitë politike jo vetëm që nuk do të arrijnë të bashkojnë kontributet për ndaljen e përkeqësimit të ekonomisë, por mund të ndikojnë akoma më shumë në përkeqësimin e saj.

Siç tregon eksperienca e Greqisë, Italisë, Spanjës, Portugalisë, Irlandës dhe e disa vendeve të tjera, ka një moment ku ekonomia e “mposht” politikën. Ka një moment kur politikanët kuptojnë se vazhdimi i grindjeve dhe i qëndrimeve strikte partiake prodhon vetëm humbës. Humbet qeveria që ka maxhorancën sepse ka dështuar plotësisht. Opozita nuk fiton për shkak të skepticizmit të votuesve për përgjegjshmërinë e saj gjatë situatës së krizës. Humbasin partitë e mëdha dhe marrin më shumë akses dhe influencë politike partitë e vogla dhe në disa raste partitë e ekstremeve. Mbi të gjitha, humbasin taksapaguesit, të cilët në çdo rast, edhe kur ndërrohen qeveritë, edhe kur zëvendësohen politikanët me qeveritarë teknokratë, janë ata dhe vetëm ata që do të paguajnë kostot e rënda të dështimeve politike.

Po rivërtetohet se ekonomia fiton mbi politikën, edhe pse politika, për të mbijetuar, mund ta keqpërdorë përkohësisht ekonominë. Krizat ekonomike janë momentet kritike të ballafaqimit midis ekonomisë dhe politikës, ku politikanët dorëzohen dhe pranojnë çdo kompromis. Ne duhet të mësojmë nga dështimet e të tjerëve. Nuk duhen pritur krizat ekonomike që politikanët të ndërgjegjësohen se parandalimi i tyre është opsioni më i mirë edhe për vetë ata.

Ky është opsioni më i mirë për të ndalur përkeqësimin social të vendit, për të ndalur rritjen e papunësisë, rritjen e pabarazisë, rritjen e varfërisë. Kjo krijon më shumë mundësi për çdo qeveri për të ndërmarrë reformat e domosdoshme. Parandalimi është opsioni më i mirë për politikën për të ruajtur vendin nga radikalizimi i saj, është opsioni më i mirë edhe për taksapaguesit, sepse ndalet barra e borxheve dhe zvogëlohet koha për t’u kthyer në normalitetit.

Një nga shprehjet e Presidentit Klinton, që mbetet edhe sot një referencë e vlefshme për politikëbërësit, është ajo që thekson rëndësinë e ekonomisë. “Është ekonomia, budalla”, do të theksonte Presidenti Klinton në vitin 1992. “Është akoma ekonomia, budalla”, përsëritet sot pas 20 vjetësh. Ky mesazh kërkon që politika të vihet në shërbim të sfidave të ekonomisë. Viti 2012 duhet të jetë viti ku politika nuk duhet t’i krijojë kosto shtesë gjendjes së brishtë të ekonomisë, duhet të jetë viti i përgjegjësisë për të minimizuar çdo risk të zhvillimeve ekonomike e politike mbi të ardhmen tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama