Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Euforia e fitoreve politike dhe pesha e rëndë e reformave

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
Euforia e fitoreve politike dhe pesha e rëndë e reformave

Fitorja e Fransua Holandes në Francë po konsiderohet jo thjesht si fitore politike ndaj Sarkozisë, por edhe si një fitore mbi modelin e daljes nga kriza. Tani janë të qarta dy grupimet rreth këtij debati, ku janë përfshirë ekspertë të ekonomisë dhe politikanë që dallojnë nga platformat e tyre konkurruese.

Njëri grup kërkon ndërhyrje më të qartë dhe më të madhe të qeverive për të stimuluar rritjen e rritjes ekonomike, pra është kundër paketave shtrënguese. Grupi i dytë mbështet paketat shtrënguese, sepse i jep një rëndësi të madhe sjelljes së tregjeve ndaj borxheve dhe kërkon që qeveritë të reduktojnë borxhin sa më shpejt të jetë e mundur.

Debati bëhet i vështirë po të kemi parasysh se grupet duket janë kategorikë kundër njëri-tjetrin, vështirësia rritet po të mbajmë parasysh se paketat shtrënguese nuk kanë dhënë efektin e pritshëm brenda periudhave të shpresuara, Greqia ka rënie më të madhe ekonomike dhe në disa vende të BE-së papunësia është në nivel rreth 20%, ndërsa papunësia e të rinjve deri në 50%.

Kjo situatë e rëndë sociale mbetet e paqartë edhe për të ardhmen. Sipas FMN-së, rritja ekonomike për vendet e eurozonës edhe për vitin 2012 parashikohet të jetë anemike. Disa vende europiane rrezikohen të bien sërish në recesion. Debatet janë kush do të marrë prioritet për daljen nga kriza: stabiliteti i financave publike, apo rritja ekonomike? Si mund të arrihet një rritje ekonomike e fortë, e qëndrueshme dhe më mirë e balancuar, e cila mund të ndihmojë reduktimin e papunësisë dhe varfërisë, por edhe reduktimin e barrës së rëndë të borxheve?

Holande premtoi se do të rishikojë paktin e arritur midis 25 vendeve anëtare të BE-së dhe do të kërkojë një program dalje nga kriza të fokusuar te rritja ekonomike. Vetë paketa e tij parashikon një rritje me rreth 20 miliardë euro të shpenzimeve në ekonominë franceze. Nga ana tjetër, Franca ka një sektor të madh  publik, ka një borxh rreth 83% të GDP-së dhe përballet me detyrimin të fillojë sa më parë reduktimin e deficitit nga 3.9 në 3% të GDP-së.

Holande do të duhet të manovrojë së pari brenda Francës për një ekuilibër të ri midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike, çka do të jetë e vështirë pa qetësuar tregjet dhe mund të bëhet e pamundur pa shumicën parlamentare në zgjedhjet që vijnë pas një muaji.

Euforia e fitores së Nea Demokracisë u shua shpejt në Greqi. Fillimisht Samaras, si Kryeministër i ardhshëm, ka qenë hezitues për të nënshkruar detyrimet për vazhdimin e masave të imponuara nga FMN dhe BE. Samaras rezultoi fitues i pakurorëzuar në Parlament. Ai e dorëzoi menjëherë mandatin për të krijuar qeverinë e re. Votuesit grekë i dënuan dy partitë kryesore të konsideruara shkaktare të krizës. Mbështetja u rrit për partitë e tjera, duke bërë që për herë të parë të futen në Parlament parti ekstremiste dhe njëkohësisht po për herë të parë PASOK-u të bjerë në vend të tretë.

Cipros, po ashtu dështoi në mandatin për të formuar qeverinë e re. Ai ka paraqitur një sërë propozimesh antireformë me theks të qartë populist, zbatimi i të cilave jo vetëm e dëmton Greqinë, por i ndërpret asaj çdo bashkëpunim me FMN-në dhe BE-në, duke e bërë më kaotike e më të dhimbshme situatën sociale, si dhe më të paqartë e plot risqe të reja situatën politike.

Zgjedhjet e fundit politike në Greqi jo vetëm që nuk prodhuan fitues realë për të qeverisur vendin, por i shtuan akoma më shumë paqartësitë dhe problematikën e së ardhmes së saj brenda eurozonës. Çdo vonesë në krijimin e qeverisë dhe çdo hezitim i tejzgjatur mbi domosdoshmërinë dhe implementimin e reformave, do t’u kushtojë më rëndë grekëve.

Lagarde, shefja e FMN-së, në një fjalim të saj në Universitetin e Zyrihut, do të qartësonte se Greqia e ka humbur aftësinë e saj konkurruese, e ka të vështirë rritjen ekonomike, sepse nuk ka bërë reformat e duhura për tregun e punës, për liberalizimin dhe privatizimin e ekonomisë dhe nxitjen e konkurrencës etj.
Qeveritë greke kanë rritur pagën minimale më shumë se sa rritja e produktivitetit, duke dëmtuar rëndë aftësinë konkurruese. Lagarde qartëson se paga minimale sot në Greqi është 50% më e lartë se në Portugali dhe deri 5-7 herë më e lartë se në Rumani e Bullgari. Mungesa e reformave dhe politikat ekonomike populiste e kanë dëmtuar rritjen ekonomike të Greqisë, kanë përkeqësuar buxhetin dhe e kanë çuar vendin në prag falimentimi.
Grekët janë goditur rëndë nga politikat e shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave që janë në themel të paketës së ndihmës. Është e vërtetë që për këto paketa fiskale, në thelb shtrënguese, ka shumë debate për efektet e tyre në nxjerrjen e vendeve nga kriza. Ka debate që ato nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, që këto paketa kanë dëmtuar rikthimin te rritja ekonomike, pa të cilën nuk mund të ulet deficiti dhe borxhi. Ka debate që duhet nxitur kërkesa ekonomike, duhet injektuar më shumë kapital në ekonomi. Ka debate që Banka Qendrore Europiane duhet të ulte më shumë dhe më shpejt koston e financimit dhe të përmirësonte instrumentet e financimit të borxheve të qeverive që u jepnin frymëmarrje ekonomive të këtyre vendeve.

Të gjitha këto debate kanë rëndësinë e tyre, por pavarësisht nga një ekuilibër i ri midis paketave shtrënguese dhe politikave pro rritjes ekonomike, një gjë do të vërtetohet edhe në të ardhmen, pa ndërmarrë pa vonesë reformat strukturore të rritjes se aftësisë konkurruese të vendeve të tyre, pa vënë nën kontroll deficitin dhe borxhin, kriza në vendet e veçanta, kriza e eurozonës në veçanti dhe ajo e projektit të Europës së Bashkuar ne tërësi, do të vazhdojnë trendin përkeqësues.

Borxhet po rriten me shpejtësi, rritja ekonomike po rikthehet me shumë ngadalësi, papunësia është duke goditur rëndë pjesën më vitale të vendeve tona, në disa vende të BE-së papunësia për të rinjtë shkon deri edhe në 50%.

Sot po diskutohet për një paradigmë të re ekonomike, për një rritje ekonomike që hap vende pune duke  reduktuar varfërinë dhe pabarazinë.

Fitorja e Holandes në Francë, në një vend me peshë ndikuese në vendimmarrjen politike të BE-së, patjetër ka një rëndësi të veçantë, ka një rëndësi të veçantë për të krijuar një sinergji të re midis Gjermanisë dhe Francës për përgjegjësitë për të ardhmen e Europës së Bashkuar.

“Avantazhi” i Holandes (ka edhe disa vende të tjera të BE-së kritike për paketat shtrënguese), ndoshta do të përdoret pozitivisht për përafrimin e qëndrimeve që harmonizojnë më mirë stabilitetin e financave publike me mbështetjen e rritjes ekonomike.

Gjermania dhe Franca do të bashkëpunojnë në përgjegjësitë e ndaljes së përkeqësimit, duke reduktuar çdo risk të bllokimit të unifikimit të qëndrimeve për shkak të diferencave aktuale.

Në rast të kundërt, vonesat do të çorodisin tregjet,  vendet e dobëta të BE-së do të jenë “viktimat” e para të përkeqësimit të kostove të financimit të ekonomisë së tyre, muret mbrojtëse nga flakët e falimentimit do të jenë të dobëta, flakët e falimentimeve do të jenë më të mëdha dhe më tragjike se sa parashikohen.

Dështimi i plotë i Greqisë deri në daljen nga eurozona do të jetë dominoja e parë e një vargu dështimesh të njëpasnjëshme të disa vendeve të eurozonës. Pasiguritë dhe kostot e rënda të financimit në një skenar pesimist mund të përfshijnë jo shumë vonë edhe Spanjën, Portugalinë, Italinë apo vetë Francën. Kjo do të lëkundë dhe rrezikojë edhe dominonë e fundit në rreshtin e 27 vendeve të BE-së, edhe vetë Gjermania do të paguajë kostot e vonesave në unifikimin e qëndrimeve. Në këtë kontekst, për të ndaluar përhapjen e efektit domino ka interesa konkrete edhe vetë Gjermania, çka e bën të mundshëm një përafrim te politikat unike antikrizë midis Francës dhe  Gjermanisë, si dhe vendeve të tjera të BE-së. Për shkak të shkallës së lartë të ndërvarësisë ekonomike midis SHBA-ve dhe BE-së, po kërkohet një harmonizim i politikave antikrizë edhe midis BE-së dhe SHBA-ve. Shpresa për bashkëpunim është më e madhe se frika për një konflikt midis Gjermanisë dhe Francës. Disa premtime elektorale do të duhet të rishikohen në kushtet reale të përmasave dhe risqeve të krizës aktuale. Opsionet populiste në ekonomi nuk mbijetojnë gjatë. Euforia e fitoreve politike në disa vende europiane nuk e mbulon dot gjatë përgjegjësinë ndaj barrës së rëndë të borxheve, papunësisë dhe varfërisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama