Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza, likuiditeti dhe parapagimi

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
Kriza, likuiditeti dhe parapagimi

Të gjitha debatet e fokusuara sot për daljen nga kriza ekonomike dhe për reduktimin e impakteve të saj negative në ekonomi kërkojnë një rritje të kërkesës së përgjithshme në ekonomi rritje të shitjeve në mënyrë që të mos ndërpritet prodhimi, pasi kjo do të sjellë rënie të rritjes ekonomike, rritje të papunësisë dhe varfërisë. Rënia e rritjes ekonomike sjell më pak të ardhura në buxhet dhe imponon më shumë fonde për të prekurit nga kriza, çka do të rrisë deficitin, borxhin dhe koston e tyre.

Pikërisht rritja e shitjeve kërkon që në ekonomi të ketë likuiditete, të cilat në parim vijnë nga rritja e ofertës monetare në ekonomi. Banka Qendrore po tenton të ulë koston e parasë, bankat tregtare duhet të rrisin kredinë dhe qeveria po ashtu duhet të zbatojë politika fiskale që mbështesin rritjen e ekonomisë. Rritja e kredisë duhet të synojë më qartë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat krijojnë më shumë vende pune.

Në politikat fiskale të qeverisë, në krahun e të ardhurave buxhetore, merr rëndësi ulja e taksave për vende si Shqipëria, ku taksat formalisht janë të ulëta dhe kur këshillat e drejtpërdrejta të FMN-së janë për një rishikim në rritje të tyre, të paktën në këtë moment është prioritar miradministrimi fiskal, sidomos ndalimi i grumbullimit abuziv të taksave.

Kërkohet heqja e aplikimit të referencave administrative mbi nivelin e pagave dhe sigurimeve shoqërore, mbi tatimin e fitimit dhe çmimet e referencave në dogana. Kërkohet rimbursim në kohë i TVSH-së dhe detyrimeve të tjera fiskale të parapaguara më tepër se detyrimet reale. Te riskedulohen në afate më të gjata detyrimet e prapambetura të taksave dhe kredive. Këto masa do të lehtësojnë krizën e likuiditeteve, që ka goditur rëndë biznesin dhe që pengon rritjen ekonomike.

Në kushtet kur ekonomia jonë ka një rënie të theksuar të rritjes ekonomike, sipas FMN-së dhe BB-së, nga 0.5-1.5% të GDP-së, në kushtet kur qeveria po pranon se buxheti i vitit 2012 ishte jo realist siç edhe opozita, e qartësoi në debatin parlamentar se nuk duhet nënvleftësuar studimi i kujdesshëm për masat që lehtësojnë likuiditetet e biznesit privat në funksion të rritjes ekonomike.

Në këtë kontekst, parapagimi i taksave është në krah të kundërt me atë për të cilën ka nevojë ekonomia. Parapagimi, moskreditimi në kohë i detyrimeve të parapaguara tepër, mosfinancimi i shpenzimeve dhe investimeve të kryera nga biznesi privat ndaj enteve buxhetore dhe jo buxhetore, zinxhiri i pagesave të vonuara midis tyre dhe kompanive private, ndërsa tentojnë “të lehtësojnë” qeverinë në financimin e ekonomisë, sjellin efekte të kundërta, pasi:

Së pari, përkeqësojnë dhe reduktojnë likuiditetet e biznesit privat për të investuar në ekonomi, duke vështirësuar rritjen ekonomike.

Së dyti, i krijojnë vështirësi dhe kosto të rënda financimi biznesit privat, duke e bërë atë më të varur nga kredia e shtrenjtë ose skema financimi huamarrëse jashtë tregut bankar, të cilat në çdo rast kanë një kosto të rëndë. Kostoja e huamarrjes së biznesit privat nga bankat është deri në dy herë më e lartë se kostoja e huamarrjes së qeverisë për financimin e deficitit dhe borxhit. Nëse bonot e thesarit kanë interesa rreth 7.3%, biznesi merr kredi në lekë nga 11-13%, që, së bashku me disa kosto të tjera bankare është akoma më e lartë. Pra, kostoja e borxhit që qeveria redukton nga aplikimi i parapagimit, është serish më e ulët se kostoja që paguan biznesi për të financuar mungesën e likuiditeteve të tij.

Se treti, qeveria edhe pse tenton të ulë e fshehë koston e financimit të buxhetit, me parapagimin e detyrimeve fiskale rrit koston totale të financimit në ekonomi, duke e rënduar situatën e përgjithshme ekonomike.

Kjo ndodh pasi, në opsionin kur:

a) nuk vendoset parapagimi, por rishikohet afati i të gjitha pagesave në buxhetet vendore dhe qendrore dhe parapagimet minimizohen në maksimum
b) kreditohen në kohë pagesat e tepërta të detyrimeve fiskale nga biznesi privat
c) eliminohet caktimi arbitrar i pagave, sigurimeve shoqërore, i taksave dhe tatimeve
d) shlyhen në kohë pagesat ndaj biznesit nga buxheti dhe,
e) ndërpritet zinxhiri i mospagesave të enteve buxhetore dhe jo buxhetore ndaj kompanive private, biznesi do të ketë më shumë likuiditete, do të varet më pak nga kreditimi i shtrenjtë, ekonomia do të rritet me ritme më të larta, bankat do të kenë më pak kredi të këqija, kredimarrësit do të ndiejnë uljen e interesave të kredisë dhe do të ketë më shumë likuiditete dhe më shumë stimuj për të investuar.

Qeveria edhe me ligjin e fundit për parapagimin duket se po zgjedh rrugën e parë, atë të kalimit të krizës drejt biznesit privat, kjo do të jetë rruga që e thellon krizën dhe jo strategjia që na shpëton nga kriza.

Është koha për të rilexuar dhe zbatuar më mirë parimet themelore të taksimit të Adam Smithit. Parimi i tretë i Smithit qartëson se çdo taksë duhet të vendoset në kohën dhe mënyrën që është më e përshtatshme për paguesin e saj, duke synuar lehtësimin e taksapaguesit në pagimin e taksave. (http://mfiles.pl/en/index.php/Tax_principles_by_Adam_Smith)

Jo vetëm që ligji i parapagimit të taksave nuk duhet miratuar, por duhet rishikuar i gjithë sistemi i pagesave të taksave, tatimeve, tarifave të shërbimit për një shtrirje më të mirë në kohë dhe me sa më pak elemente parapaguese.

Qeveria, bashkë me Bankën Qendrore, duhet të harmonizojnë politikat fiskale me ato monetare, që kostoja e parasë në ekonomi të ulet, që kriza e likuiditeteve e biznesit privat të mos rritet, që biznesi të ketë më shumë stimul dhe mbështetje për të investuar më shumë në ekonomi.

Qeveria duhet të studiojë programe lehtësuese për kreditë e këqija të kredimarrësve privatë dhe të kompanive të biznesit.

Këto masa, bashkë me disa reforma të rëndësishme strukturore, do të mund të reduktojnë thellimin e krizës, do të mund t’u kthehemi rritjeve të larta ekonomike, do të ketë rritje ekonomike me më shumë punësim dhe më pak varfëri.

Çdo strategji tjetër qoftë edhe e përkohshme, mund të sjellë pasoja të rënda dhe afatgjata.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama