Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Udheheqesi i parafundit komunist

Shkruar nga: Arben Rrozhani  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Rrozhani
Udheheqesi i parafundit komunist

Një komentues blogu mbrëmë, ndërsa jepte vlerësimin e tij për figurën e ish-presidentit të ndjerë, Ramiz Alia, shtronte një pyetje; ceremonia mortore e udhëheqësit të dikurshëm do të jetë shtetërore, apo private? Një pyetje e thjeshtë që në fakt e ka marrë përgjigjen prej vitit 1992, kur në pushtet erdhi po ai që ka pushtetin sot, për të thënë se, edhe nëse sot pshtetit ka ndërmend të bëjë ndonjë ceremoni shtetërore, kjo nuk duhet pranuar nga familjarët, sepse politika e vrau Ramiz Alinë gati dy dekada më parë. Dhe edhe pse nuk e meriton, sepse ish-pasuesi i Enver Hoxhës, me brishtësinë dhe mosqenien dorë e fortë për të mbajtur vendin, u la peshqesh shqiptarëve një bandë të çorganizuar politikanësh që nga shkolla politike nga vinin janë brymosur me mendësinë komuniste të totalitarizmit.

Pasuesi i Enver Hoxhës mbeti në mendjet e shqiptarëve si udhëheqësi që donte të bënte ndryshime kozmetike ndaj një kufome që ishte në kalbëzim. Teoritë e udhëheqjes komuniste që ai drejtonte për liberalizimin qesharak të një ekonomie të centralizuar deri në palcë nuk mund ta shpëtonin vendin më të izoluar të ish-Lindjes komuniste. Deri te i ashquajtur pluralizëm mendimi, por jo partiak, duke sajuar organizatat e masave, që ishin  vegla të PPSH-së si qendra të mendimit tjetër përveç atij të partisë.

Ata që kanë qenë brenda asaj godine të stërmadhe, ku rraseshin të izoluar nga populli i skamur byroistët e ngjeshur me të mirat që jepte qenia bllokmen, kujtojnë se roli dhe pozicioni i Alisë në ato vite ishte i atij akrobatit që duhet të ecë mbi telin e tendosur. Njëri prej tyre jep një dëshmi se si Ramiz Alia edhe nëse do të donte të bënte ndonjë reformë kishte përballë enveristë që të vetmin synim kishin mbajtjen e atyre privilegjeve që u kishte siguruar partia-shtet, megjithëse mizerja ishte shtrirë këmbëkryq në popull. Kur në 1989 disa liberalë i kërkuan mbështetje Alisë që një kompani perëndimore të futej në sektorin e degraduar të naftës, byroistët konservatorë që të vetmen brymosje kishin mendësinë e një vendi të ndarë nga bota, ishin gati të çonin drejt burgut edhe vetë sekretarin e parë të PPSH-së, i cili më këto idera, sipas tyre, po tradhëtonte idealet, mësimet dhe amanetet e Enver Hoxhës dhe po fuste në ekonominë e vendit imperializmin perëndimor.

Përballë këtij blloku që nuk çahej për të futur sado pak liberalizëm, qoftë edhe si serum të ekonominë dhe jetën sociale të vendit dhe përballë revoltës së një populli që ishte privuar edhe nga buka e gojës, Alia zgjodhi të lëshonte gjithçka. Duke shpërndarë përgjegjësinë për vendin në duart e atyre që kishin dalë nga ajo shkollë politike që kishte synuar të ngrinte lidershipi më konservator në Partinë e Punës. Shumë mendje janë pajtuar me idenë se një udhëheqës joaventurier, njohës i shtetit, ekonomisë dhe marrëdhënieve me jashtë si Ramiz Alia do të kishte dhuruar Shqipërisë dhe shqiptarëve një tranzicion të butë dhe pa dramën që ende nuk ka përfunduar edhe pas dy dekadash dhe që solli një dëm të pallogaritshëm ekonomik, njerëzor, social dhe përdhosje imazhi për vendin. Sepse ndryshe nga shumë vende të tjera të ish-bllokut komunist, liderët e ardhshëm me mendësinë totalitare komuniste, e shkatërruan nga themelet pasurinë e përbashkët, djersën dhe popullit, në emër të antikomunizmit dhe “dekomunistizimit” të Shqipërisë dhe synojnë të shkatërrojnë edhe njerëzit duke i bërë skllevër të monizmit si dikur.

Si shumë shqiptarë, edhe vetë Alia e provoi mbi kurriz se çdo të thoshte të ishe në duart e atij grupi të ri bllokmenësh, që erdhën në pushtet në emër të demokracisë dhe pluripartizmit. Një vit para se të ndahej nga jeta, partia në pushtet, ajo që e kishte futur në burg me akuzën për genocid, bashkë me ish-byroistë të tjerë, tha se do të rihapte dosjen e masakrës së Tivarit, duke ngritur edhe një komision qesharak parlamentar që do të hetonte krimet serbo-malazeze ndaj nacionalistëve të Kosovës, duke nxjerrë si urdhërues, Ramiz Alinë, asokohe, një komisar i ri që ndodhej bashkë me partizanët shqiptarë në tokat e Bosnjes.

Dhe janë po ata njerëz të cilët Alia i kishte dërguar si emisarë që në fillimet e lëvizjes studentore gati 21 vite më parë në qytetin ‘Studenti” dhe që mbetën atje për të rrëmbyer dhe mbajtur peng historinë dhe të ardhmen e plularizmit dhe të vendit. Shumë gjëra do të kishin ndodhur ndryshe në të mirë të vendit, sidomos afrimit të tij drejt standarteve të një shtetit demokratik, nëse bashkë me fundin e karrierës politike të Ramiz Alisë, do të kishte marrë fund edhe drejtimi parti-shtet i vendit, mendësi që e kemi mbi kokë prej vitit 1992. Dhe që Shqipëria të ndodhet sërish në fund të vitit 2011 në udhëkryq, siç thotë edhe ambasadori i SHBA-së, po ashtu si 20 vite më parë, kur nga skena u largua udhëheqësi i parafundit komunist.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama