Në gjak me shqiptarët

Shkruar nga: Arben Rrozhani  
Botuar më: 11 vite më parë

Arben Rrozhani
Në gjak me shqiptarët

Edmond Faber sapo ka dalë nga salla e kinemasë. “Viktima të tilla ne i kemi aty çdo ditë”. Edhe pse mjek prej shumë vitesh në Qendrën e Traumës në Spitalin Ushtarak të Tiranës, Faber duket i prekur emocionalisht. Në dy orë film nuk ka gjak, as viktimë që rënkon mes dhimbjeve, por fytyra e tij është e dhimbsur, siç janë edhe fjalët pasuese: “Këta janë në gjak në shqiptarët”. E ka fjalën për qeveritarët, ata që bojkotuan në unison premierën e filmit “Falja e gjakut”, filmit që rrëmbeu çmimin “Ariu i Argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit 2011, për skenarin më të mirë që mban firmat e Xhoshua Marston dhe Andamion Murataj.

Në gati dy orë rrëfim, regjisori Marston që thotë se lindi në Kaliforni dhe që s’ka lidhje gjaku me shqiptarët, tregon peshën e rëndë që ka gjakmarrja në shumë familje në Shqipëri, një botë e izoluar, mbushur me viktima, të mbijetuar që duhet të kalojnë jetët të ngujuar dhe pasojat e pariparueshme sociale dhe ekonomike, një botë që fshihet dhe injorohet totalisht nga institucionet shqiptare nga ato qendrore deri tek ato vendore, duke ia lënë zgjidhjen rregullave të përçudnuara të të ashtuquajturit Kanun.

Në rreth dy orë, shikuesi bëhet dëshmitar i dramës që duhet të jetojë një familje që futet në gjak për nder. Një dramë që synon të kandidojë për Oskar, sepse si Xhoshua Marston, bashkëskenarist e regjisor dhe producenti Pol Mezej, kanë arkivuar deri më sot një tufë me çmime dhe janë nominuar edhe për Oskar.

Befasia e parë e ekranizimit më të fundit për gjakmarrjen shqiptare është thjeshtësia. Një vendxhirim në fshatin Guri i Zi në Shkodër, duke mos sajuar asgjë, por duke e dhënë realitetin siç është. Një hasmëri e re që nis nga një vrasje për nder, pas një sherri për tokën e zënë padrejtësisht sipas ligjit kriminal 7501, ku shteti shkeli të drejtën e pronës së ligjshme, duke sajuar pronarë. Marston thotë se nuk ka qenë i interesuar të tregojë historinë e një gjakmarrjeje, siç kanë bërë më parë kolegët e tij shqiptarë, por të kapë të veçantën, të ofrojë për shikuesin historinë e izolimit. Në rreth 2 orë film shihet një familje që jeton e ngujuar, meshkujt që duhet të mos rrezikojnë duke dalë jashtë pragut dhe femrat e shtëpisë që duhet të sigurojnë mbijetesën e familjes. Duke u vrarë ëndrrat e moshës dhe dëshirat njerëzore.

Vasjan Lami si shumë profesionistë të kinemasë shqiptare shprehet i befasuar nga loja e aktorëve të rinj, madje duke vlerësuar ata më tepër se emrat e aktorëve të njohur nga Kosova, apo Maqedonia. Ata janë zbulime të audicioneve të shumta me mbi 2000 të rinj. Por që janë të padëshiruar të rriten në shkollën shqiptare të aktrimit. Siç është rasti i aktorit kryesor, 19-vjeçarit Tristan Halilaj, i cili si dhe aktorët e tjerë adoleshentë ndiqte shkollën e mesme në Shkodër, kur u përzgjodh sepse kishte aftësi të shkëlqyera dhe personalitet vibrant për të përcjellë emocione te shikuesi. Por kjo nuk mjaftoi që Halilaj të pranohej në degën e aktrimit në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe ai po ndjek studimet për aktrim në Tetovë.

Tema që zgjodhi regjisori me origjinë hebrenje ka qenë prej vitesh “pasaporta” e përgjakur e Shqipërisë së pas viteve ‘90. Në filma, dokumentarë, kronika televizive apo reportazhe mediash botërore gjakmarrja shqiptare, ka treguar para botës së qytetëruar një botë të errët dhe kriminale ku ligjin e bëjnë rregullat e Kanunit dhe zbythja e shtetit për të rivendosur ligjin në këto “enklava të gjakut” që shtrihen nëpër lagje qytetesh dhe fshatra nga Tirana në skajin më të largët verior. I ndërgjegjshëm ndaj trajtimit të kësaj teme kaq të ndjeshme, Marston nxiton të thotë se ky nuk është një film që synon t’i përshkruajë shqiptarët si barbarë apo të marrë, por të tregojë pasojat e ngujimit në familjet shqiptare. Aty ku ai zbuloi Shqipërinë e egër, e të braktisur nga shteti: një familje prej 15 vitesh në ngujim dhe katër djem nën moshën 14-vjeçare, pra që kishin lindur të ngujuar, një 13-vjeçar të dëshpëruar që rrëfen mes lotëve se sa i mungojnë shokët. Ata ndryshe nga heroi i filmit nuk kanë mundësi të marrin 24 orë leje që të arratisen për të mos u bërë viktima të gjakmarrjes. Ata vijojnë të jenë të burgosur brenda mureve nën indiferencën e strukturave shtetërore, të cilat ia  kanë lënë fatin e tyre në dorë rregullave të deformuara të Kanunit, viktima të të cilit bien vocërrakë dhe femra.

Mjeku Edmond Faber e vë gishtin te mungesa e shtetit, duke e krahasuar lulëzimin e sotëm të gjakmarrjes me shuarjen gati të plotë gjatë sistemit të kaluar. Shifrat i japin të drejtë mjekut që në duar ka edhe viktimat nga gjakmarrja. Nëse në periudhën 2004-2007 krimet për gjakmarrje, sipas statistikave zyrtare, patën rënie të ndjeshme, pas vitit 2009 ato u shtuan, madje duke i bërë edhe më makabre ekzekutimet. Siç ishte vrasja e pastorit 29-vjeçar Dritan Prroni në Shkodër, në 8 shtator 2010, edhe pse e drejta e pashkruar kanunore e konsideron krim të rëndë dhe dhunim të gjithë komunitetit vrasjen e një kleriku. Përballë këtij realiteti të trishtueshëm dhe njollë të errët për Shqipërinë institucionet u kanë lënë terren të lirë individëve të trimëruar nga mungesa e shtetit, duke mbjellë histori tronditëse që shikuesi mund t’i përjetojë artistikisht vetëm nëpër salla kinemash dhe ku qeveritarët nuk guxojnë të shkelin, sepse janë në gjak me shqiptarët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama