Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Speleologji

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Speleologji

Kështu quhet shkenca që merret me eksplorimin dhe studimin e zgavrave të nëntokës (shpella, guva, gërmaja, ujëra nëntokësore etj.). Ma do mendja se,  meqenëse Shqipëria, si vend malor për tri të katërtat e saj, është e pasur me shpella, patjetër që edhe tek ne ka speleologë, madje të talentuar e me përvojë. Me siguri, gjithashtu që këta speleologë e kanë kataloguar edhe shpellën e Pëllumbasit, jo larg fshatit Bërzhitë të rrethit të Tiranës. Këtë shpellë, këto dy të shtunat e fundit, pata rastin ta vizitoja dy herë radhazi, me udhërrëfyes mikun im Taulant Hakani, dhe mësova që të rralla i paska shoqet ajo në Europë për llojin e vet. Ndodhet vetëm rreth 50 minuta më këmbë larg qendrës së fshatit Pëllumbas, diku lart në mal, dhe për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që kryesia e komunës është përpjekur t’u krijojë kushte alpinistëve ose thjesht udhëtarëve kureshtarë, që ngjitja, me shkallë vështirësie 1 deri në 2 (nga 4 që janë gjithsej), të mos paraqesë për ata asnjë rrezikshmëri: shtegu është mbathur me gurë dhe pajisur vende-vende me parmakë e stola për t’u çlodhur pikërisht në ato segmente ku pamja e luginës së Erzenit është e bukur, madje edhe mahnitëse.

Besoj se, para miliona vjetësh, kur klima u ftoh së tepërmi në Tokë, të parët e njeriut të sotëm duhet të jenë strehuar pikërisht në shpella të këtij tipi dhe, në këtë mënyrë, mbijetuan që në jetë të vinim edhe ne, modernët e shekullit XX; prandaj, mendoj se duhet t’u jemi mirënjohës këtyre shpellave dhe ta konkretizojmë mirënjohjen tonë jo vetëm duke i mirëmbajtur ato, por edhe duke i vizituar herë pas here e duke medituar, qoftë edhe vetëm për disa çaste, në gjirin e tyre. Për këtë qëllim, para dy javësh, tek u takova rastësisht në hyrje të shpellës së Pëllumbasit me miqtë e kolegët e mi Ardian Klosi e Gëzim Qendro, u propozova atyre si me shaka (por a nuk është shakaja gjysma e së vërtetës?) të krijonim klubin ose shoqatën e “shpellarëve”, në kuptimin “miq e dashamirës të shpellave”.

Në këtë kuptim, “shpellari” nuk mund të jetë kurrsesi thjesht banor shpellash; ai nuk mund të jetë kurrsesi as speleolog e as speleonaut, ai nuk i viziton shpellat për qëllime studimore (si i pari) apo eksperimentuese (si i dyti), por thjesht për të komunikuar, nëpërmjet meditimit e me anë rrymash të vjetra sa vetë njerëzimi, me lashtësinë e tyre, me energjinë e tokës, sepse, në fund të fundit, të gjithë ne, modernët, jemi bij të kësaj toke e në gjirin e saj kemi për të përfunduar – me ose pa lavdi, pak rëndësi ka – ditën që do të japim frymën e fundin.

Natyrisht, anëtarë të shoqatës së “shpellarëve” mund të bëhen të gjithë, por me një kusht: të jenë në gjendje të ngjiten në këmbë deri te shpella, kusht ky në dukje i lehtë për t’u plotësuar. Them “në dukje”, sepse, sipas mendimit tim, ekziston një kategori individësh që, me gjithë dëshirën e mirë, nuk mund assesi ta plotësojnë atë: bëhet sidomos fjalë për ata që i përkasin armatës së barkalaqëve, barkalecëve, barkanjosëve, barkderrëve, barkaliqëve, barkdosëve, barkmëdhenjve, barkfryrëve, barkshorëve, barkkacekëve, barkbuajve, barkcalikëve, barkledhëve, barkucëve, barkvozëve, barkdalëve, barkoshëve, zhabalokëve, mullacëve, mullëmëdhenjve, cullanëve, trashaluqëve, bullafiqëve, bufalaqëve, bullarëve, bushiqëve, buzhelëve etj., etj.

Në këtë kategori individësh detyrimisht të përjashtuar – po e theksoj, për paaftësi apo pamundësi fizike për t’u ngjitur në këmbë deri te shpella e Pëllumbasit –, bëjnë pjesë krejt natyrshëm edhe politikanët me mbipeshë monumentale, pavarësisht se cilit krah të spektrit politik i përkasin, pavarësisht gjithashtu se mund të kenë në dispozicion helikopterë, deltaplanë, parashuta. Sidoqoftë, përjashtimi i tyre mund të anulohet nëse ata, falë një regjimi apo kure të rreptë dobësimi, arrijnë të rigjejnë peshën e tyre normale; por, përveç kësaj, atyre do t’u nevojitet të stërviten disa kohë, nën drejtimin e mikut tim Taulant, për ngjitje-zbritje rrëpirash malore, para se t’i nënshtrohen një testi përfundimtar përballë një jurie të përbërë nga miqtë e mi të vjetër Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti, që të tre ish-alpinistë të sprovuar dhe ish-depërtues shpellash të të gjitha përmasave.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama