Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duhet nisur nga reforma territoriale

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Duhet nisur nga reforma territoriale

Ditët e fundit, palët politike kanë filluar të takohen me ndërmjetësim në lidhje me të ashtuquajturën reformë zgjedhore të radhës. Por, rreziku që kjo reformë, si dhe të tjerat, të prodhojë zgjedhje të kontestuara, është real për dy arsye. Partia Socialiste nuk po na dëshmon se e sheh reformën zgjedhore  të lidhur me reformën tërësore institucionale të vendit, d.m.th. reformën kushtetuese. Zgjedhjet e fundit dëftuan se diçka nuk funksionon në mekanizmat garantues të votës. Këto mekanizma, me sistemin aktual zgjedhor, janë pjesë e Gjyqësorit, i cili gjendet praktikisht nën thundrën e pushtetit ekzekutiv, siç tregon dhe dështimi i proceseve më të rëndësishme në vend. Pra, reforma zgjedhore duhet të jetë pjesë e një reforme sistemike që duhet të prekë sërish arkitekturën institucionale ose kushtetuese të vendit. Dhe arsyeja e dytë është se Partia Socialiste nuk po e sheh reformën zgjedhore në një kuadër me atë çka është subjekt i këtij shkrimi – reforma territoriale në vend, apo, siç quhet ndryshe, reforma administrative. Janë një sërë arsyesh të tjera, më specifike, pse kjo reformë është parakusht i çdo reforme zgjedhore, dhe pse ajo së bashku me reformën zgjedhore janë pjesë thelbësore e çdo reforme modernizuese në vend.

Shqipëria vazhdon të mbetet me ndarjen territoriale që pati në fillim të tranzicionit, dhe akoma më herët, nga koha e komunizmit. 309 komunat e sotme janë ndërtuar sipas territorit të kooperativave të komunizmit. Me zhvendosjen e madhe të popullsisë drejt qyteteve apo jashtë vendit, këto komuna kanë mbetur me popullsi krejt të vogël. Nëse më parë mungesa e komunikacionit rrugor e justifikonte mbajtjen e një administrate të vogël lokale në shërbim të popullsisë, sot ajo është totalisht e pajustifikuar. Shqipëria, madje, është më mbrapa se Kosova, e cila ka numër njësish territoriale disa herë më të vogël sesa ne. Në njësi kaq të vogla territoriale nuk është e mundur të zhvillohen politika urbanizuese, zhvilluese etj., etj. Por, mbi të gjitha, ajo ushtri “gjoja administratorësh lokalë”, është ushtria e manipulimit të zgjedhjeve. Ja përse.

Sipas ligjit, çdo njësi e pushtetit lokal, pavarësisht numrit të popullsisë në juridiksionin e vet, duhet të ketë një numër minimal të punësuarish dhe fondesh në dispozicion. Janë pikërisht këto dy elemente që i vendosin të zgjedhurit lokalë nën ndikimin tërësor të pushtetit qendror, madje jo vetëm të zgjedhurit e njësive të vogla, por dhe ata të njësive të mëdha, siç po tregohet këto ditë nga zgjedhjet e organeve lokale në disa qendra të mëdha urbane, të fituara prej socialistëve. Kjo nuk është një dukuri e re, por një dukuri e konsoliduar në thuajse të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në vend. Praktika e instaluar, sipas së cilës ai që fiton zgjedhjet qendrore, fiton dhe lokalet, ngjan se është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij riorientimi të fshehtë të të gjithë të zgjedhurve lokalë kah pushteti qendror. E gjithë kjo hipotezë ilustrohet më së miri me një histori që tregojnë nga një udhëtim i Nanos, asokohe Kryeministër, në Voskopojë. Duke pasur përballë kryetarin e komunës, Nano i drejtohet të zgjedhurit nga radhët e PD-së: “Pse nuk vjen nesër në qeveri të të jap një fuoristradë dhe të kalosh me PS-në?”.

Historia e mësipërme është elokuente për të shpjeguar ndikimin e qeverisë tek të zgjedhurit lokalë nëpërmjet fondeve të pakontrollueshme, për rroga, projekte të vogla si ujësjellës, rrugë të vogla etj., ndihma sociale etj., etj. Për më shumë, qeveria e sotme është ndoshta qeveria e cila më shumë se të tjerat ka dedikuar fonde të mëdha në drejtim të fshatit. Në kushtet kur ndarja ideologjike midis së majtës dhe së djathtës është krejt e parëndësishme, pse duhet që një i zgjedhur lokal i së majtës të dëgjojë urdhrat që vijnë nga qendra e partisë së vet? E pse, për të mbajtur qëndrime bojkotuese ndaj atij pushteti që i jep mundësinë të zhvatë fonde dedikuar për shpenzime virtuale? E njëjta gjë ndodhte dhe kur në pushtetin qendror ishte e majta.

Dhe cili do të ishte një skenar i mundshëm manipulimi prej të zgjedhurve vendorë? Këta njerëz janë figurat kryesore në fshatrat, pjesë e komunës, për shkak të pushtetit të tyre financiar. Ata mund të shpërndajnë lehtësisht favoret e vjetra, por dhe favore ad hoc në rast zgjedhjesh te komisionerët apo te krerët e familjeve më të mëdha. Ata janë garantët e mbajtjes aktive të listave të fryra të votuesve ku bëjnë pjesë dhe emigrantët, të cilët, siç tregoi rasti i Ruzhdies, kishin votuar megjithëse nuk kishin hyrë fare në territorin e vendit. Listat e fryra janë bazë e pushtetit të tyre, janë përcaktuese për fondet që ata marrin në periudha normale dhe në periudha zgjedhjesh. Dhe, siç e kemi identifikuar më parë, problemi i listave të fryra, përfshirja e emigrantëve në to dhe votimi për emigrantët nga familjarët e tyre apo nga manipulues të tjerë, është thembra e Akilit të manipulimit të votës në vend.

Ekzistenca e listave zgjedhore të fryra, si pasojë e mbajtjes së një regjistri të fryrë të gjendjes civile, kryesisht në zonat rurale, është në themel të një manipulimi tjetër që përcakton numrin e deputetëve të çdo qarku. Më saktësisht, kjo ndarje përcakton të ashtuquajturin numër tek apo çift të tyre, i cili i ka sjellë humbje deputetësh së majtës, apo që relativizon forcën e së majtës në Jug, duke shtuar artificialisht numrin e deputetëve të së djathtës.

Për të gjithë këto arsye, dashi duhet të kapet prej brirësh. Dhe brirët gjenden te ndarja territoriale ekzistuese. Ajo është penguese e modernizimit të vendit, i cili nuk ndërtohet mbi realitete të copëtuara territoriale që i leverdisin një klase politike të prapambetur si e jona. Urgjentisht reforma duhet të nisë nga zvogëlimi i numrit të njësive vendore, të cilat do të bëjnë që shqiptarët të ndihen më afër njëri-tjetrit. Do të kenë më shumë rrugë, më pak administratorë që tundin zinxhirin në kohë normale dhe komandojnë ushtrinë e manipuluesve të votës në kohë zgjedhjesh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama