Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dafina dhe ulliri

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Dafina dhe ulliri

Sigurisht, këto dy lloje drurësh, sado të ndryshëm të jenë, kanë një lidhje midis tyre: i përkasin që të dy bimësisë mesdhetare, përdoren që të dy, ndër të tjera, në kuzhinë e në mjekësi (i pari për gjethet dhe vajin, i dyti për kokrrat dhe vajin), ndërsa emrat e tyre, në disa shprehje të caktuara, si “fle (prehem) mbi dafina” dhe si “nuk e ha atë kokërr ulliri” ose “heq të zitë e ullirit”, kanë kuptim të figurshëm. Por çka më ka bërë përshtypje kohët e fundit lidhur me këto dy lloje drurësh, është i njëjti incident, i cili i ka pasur që të dy për protagonistë.

Kështu, tek kaloja një mëngjes herët para një kafeneje, që ende nuk ishte hapur, vura re një grua (nuk mund t’i them “zonjë”) që po merrte pa pikë droje disa gjethe dafine nga një saksi e madhe, ku i zoti i kafenesë kishte mbjellë disa fidanë. E përshëndeta dhe e pyeta nëse ishte ajo pronarja e lokalit apo punonte atje. “Jo, – m’u përgjigj krejt serbes, – më ra rruga këtej dhe po marr ca gjethe dafine”. “Atëherë, – ia ktheva aty për aty, – kjo që po bëni ju quhet vjedhje!”. Ajo shtangu, ngriti supet, qeshi me pahir dhe iku duke mërmëritur diçka që nuk e mora vesh. Atë çast mendova se kisha reaguar drejt duke e akuzuar për vjedhje, por, pas disa muajsh, pikërisht pardje, e kuptova që isha treguar tepër i ashpër me gruan në fjalë. Përse? Sepse kjo që i kishte ndodhur dafinës nuk është asgjë me atë që kishte për t’i ndodhur pak më vonë ullirit.

Ulliri për të cilin dua t’ju flas – një goxha pemë rreth katërqindvjeçare, me trung të trashë, të bukur, me degë e kurorë të harmonizuar këndshëm, një vepër arti e natyrës me vlerë të padiskutueshme muzeore – ndodhet në një ullishtë private, diku pranë Kryegjyshatës bektashiane. Një ditë të bukur, pronarëve të ullishtës, që banojnë gati në qendër të Tiranës, u telefonuan për t’i lajmëruar se dikush kishte filluar të gërmonte rreth e përqark ullirit në fjalë gjoja për të marrë ca humus. Veçse gërmimi kishte vazhduar me ditë të tëra duke u thelluar përherë e më shumë. Të vënë në dijeni për këtë thellim, pronarët, të alarmuar, kishin ardhur vetë, kishin mobilizuar të afërmit e tyre dhe, si përfundim, ndonëse “nevojtari për humus” kishte avulluar, e kuptuan se individi në fjalë (nuk mund ta quaj “zotëri”) ishte thjesht një hajdut që, me sa u arrit në përfundim, donte ta shkulte ullirin me gjithë rrënjë për t’ia shitur si dru dekorativ ndonjë bosi apo ndonjë pasunari të pasionuar pas vlerave estetike të drurëve të vjetër.

Nga krahasimi i këtyre dy incidenteve, m’u kujtua proverbi frëng “Qui vole un œuf, vole un bœuf” (që, në shqipe do ta përshtatja kështu: “Kush vjedh një vezë pule, vjedh një lopë me tule”, ose “Kush vjedh një gjilpërë, vjedh një rrobaqepësi të tërë”), por, gati në të njëjtën kohë, m’u kujtua edhe proverbi shqiptar: “Vidh si miu, jo si ariu”. Nga pikëpamja morale, proverbi frëng më ngjan më i sertë sesa ai shqiptar. Në fakt, gruaja që po vidhte gjethe dafine është një mi në krahasim me individin-ari që po tentonte të vidhte një ulli (jo kokërr, por pemë). Gjithsesi, shumëkush, me të drejtë mund të vërejë se rasti i dafinës dhe ai i ullirit nuk janë asgjë në krahasim me vjedhësit arinj apo, më saktë, elefantë – për të mos thënë dinozaurë – që gëlojnë sot në të tëra nivelet e shoqërisë shqiptare e që, mjerisht, nuk qenka fare e lehtë t’i zbulosh, denoncosh e dënosh siç e meritojnë plotësisht, gjë që e ngarkon me shumë përgjegjësi sistemin gjyqësor shqiptar, por jo vetëm atë.

Megjithatë, çka më bën përshtypje është se si vjedhja e dafinës, ashtu edhe ajo – e mbetur në tentativë – e ullirit, kanë ndodhur në mes të ditës, pra, krejt natyrshëm dhe faqe të gjithëve, gjë që dëshmon se vjedhësi fle brenda secilit prej nesh e se ai mund të zgjohet paturpësisht (si mi apo si ari, pak rëndësi ka) jo vetëm natën pa hënë, por edhe ditën me diell. Prandaj, me qëllim që as ti, i dashur lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, as unë e askush tjetër nga ne të mos e hajë atë kokërr ulliri, le të mos flemë mbi dafina në mënyrë që të mos heqim të zitë e ullirit për ta zbardhur ndërgjegjen tonë. Kjo vlen, sipas meje, edhe për dinozaurët e lartpërmendur, nëse ata ende e kanë njëfarë ndërgjegjeje, gjë për të cilën nuk jam hiç i sigurt.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama