Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një luks i botës së tretë

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një luks i botës së tretë

Pak më shumë se dy muaj më parë, kolegu Artan Lame botonte në faqet e revistës “Mapo” një shkrim kurioz, ku listoheshin një numër objektesh që i mungonin kryeqytetit. Ndodheshin në atë listë qendra historike e qytetit, thertorja e tij, stacioni i trenit, fusha e përpunimit të mbeturinave apo ujërave të zeza, teatri i qytetit, qendra e panaireve, për të mbaruar me tregjet e shumicës. Që të gjitha, objekte e institucione që Tirana e sotme, e rënë nën hipnozën e një zhvillimi të ethshëm e kaotik, nuk i disponon.

Zoti Lame dhe shumë të tjerë si ai, që janë investuar në kohë për peizazhin urban të kryeqytetit, sot po përballen me një situatë absurde, ku me një të ngritur të dorës së mazhorancës politike në Parlament (a nuk duhej një referendum qytetës, në vend të këtij votimi njëngjyrësh?), do të rrafshohet përtokë godina më luksoze e periudhës komuniste.

Është harxhuar shumë bojë dhe letër, disa muaj më parë, kur çështja e ndërtimit të Parlamentit të ri u hodh për herë të parë në publik. Mesa duket ajo lodhje e akumuluar asokohe, po bën që tani, kur ruspat morën lejen për të nisur shkatërrimin e Piramidës, kjo ngjarje tipike për shoqëritë postkomuniste të sapodala nga diktatura, të kalojë nën gjysmë-indiferencën e opinionit publik. Nuk kemi dalë ende nga tuneli i zgjedhjeve, mesa shihet e kemi me shumë bezdi të hyjmë në një tjetër sherr me sfond politik, si ky i ish-muzeut të Enver Hoxhës.

E megjithatë, ajo që ndodh këto orë me fatin e Piramidës, është një turp autentik. Një nga ato gjeste që kanë brenda injorancë, arrogancë dhe shpërfillje totale për qytetarin e thjeshtë, për paratë e tij, për mendimin e tij dhe për ekzistencën e tij në mjedisin ku jeton.

Projekti i Parlamentit të kujton një nga ato lukset groteske, që regjimet e botës së tretë u lejojnë vetes, edhe pse rrethohen nga varfëria ekstreme. Natyrisht, askush nuk po vdes për bukë në këtë vend, siç ndodh në Afrikë apo në Azi. Por është po kaq e vërtetë se të harxhosh mbi 100 milionë euro në një qytet që ka spitale mizerabël, shkolla që kërkojnë investime urgjente, një sistem rrugor ende për t’u përmirësuar, që ka lagje të tëra ku papunësia e delinkuenca mbretërojnë të pashqetësuara, ku mijëra njerëz rrojnë me minimumin e minimumit të duhur jetik, ndërsa çmimet rriten e polarizimi social thellohet – në një qytet të tillë ka njëmijë prioritete të tjera, përtej një godine luksoze parlamentare, e cila do të thithë si një fshesë me korrent thërrimet e buxhetit të shtetit. Ndërsa Lame e të tjerët do të kenë rastin të shohin sesi fondet që mund të ishin përdorur për të gjitha ato objekte që realisht i duhen një kryeqyteti, do të shkojnë për të ndërtuar godinën e atyre që shpesh na bëjnë që të marrim telekomandën e televizorit, e të arratisemi nëpër stacionet e huaja, për shkak të sherreve e mynxyrave që dalin nga goja e deputetëve tanë.

Ditët e fundit qeveria bëri shkurtime drastike në investime, për të ruajtur ekuilibrat e brishta financiare. E gjitha kjo u shoqërua, siç është normale, me një propagandë zyrtare, ku fjala “kursim” ishte më e reklamuara. Kalimi i ligjit të djeshëm për parlamentin e ri, bëri që e gjitha kjo zhurmë rreth shkurtimeve në buxhet të shkrijë si bora në diell.

Ngritja e Parlamentit të ri është jo vetëm një sfidë ndaj qytetit të Tiranës, por edhe ndaj kryebashkiakut të tij të ri. Zoti Basha po sheh sesi po e nis punën, duke parë t’i rrëzohet një nga dëshirat më të zhurmshme që lëshoi gjatë fushatës së tij të fundit: atë të mosprishjes së Piramidës. Nuk do të donim që kjo rrugë që mori fati i kësaj godine të ishte në të njëjtën kohë edhe preludi i një qeverisjeje lokale të nënshtruar totalisht ndaj qeverisjes qendrore. Kryetari i ri i bashkisë, Lulzim Basha, po vazhdon ta humbasë rastin, këto orë, që të thotë diçka për këtë ngjarje, për të cilën u prononcua publikisht vetëm pak javë më parë. Heshtja e tij nuk e shfajëson, përkundrazi, e ve në pozitë tejet të vështirë përballë zgjedhësve të tij, që ende s’e kanë harruar premtimin se ai do të jetë avokati i tyre, qoftë edhe përballë qeverisë. Më mirë vonë se kurrë, zoti Basha!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama