Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse mbetëm në tranzicion?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse mbetëm në tranzicion?

Ndërsa vendi po shkon drejt skenarëve të paparashikuar të konfliktit politik, pyetjet më normale që mund të bëhen janë: Çfarë është ajo që po ndodh? Pse po ndodh dhe a kishte mundësi të shmangej? Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se rezultati i numërimit të votave për kryetar bashkie të Tiranës duhet të animohej, ndërsa diferenca është aq e vogël. Por, pikërisht pse kjo diferencë është aq e vogël, procesi i qartësimit ligjor të fitores duhet të ishte më shembullori për Shqipërinë, që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian. Nuk duhet të kishte asnjë dyshim se vendimi përfundimtar do të ishte fryt presionesh apo anshmërie politike të institucioneve që do të shqyrtonin ankimimin, por ama të paktën kjo gjë nuk do të duhej të dukej kaq qartë sa ç’po ndodh sot.

Në proces palët do të duhej të fusnin në rivlerësim apo rinumërim, jo vetëm votat e hedhura gabimisht, por dhe votat e pavlefshme që janë në një numër të jashtëzakonshëm për Tiranën, diku tek 6500. Në vend të amortizimit të konfliktit brenda institucioneve të pavarura me besueshmëri gjithmonë në rritje, pamja që po shohim sot në Shqipëri, kur KQZ pretendon të numërojë të ashtuquajturat vota të hedhura gabimisht, është shfaqja e forcës së pushtetit përballë opozitës. Jemi brenda një konflikti pa arbitër ose më saktë ku arbitri është në krah të pushtetit. Pse arbitri është në krah të pushtetit? Ligji që ofron zgjidhjen e një konflikti gjithmonë ka dy interpretime të kundërta që i përkasin dy palëve që përplasen, por ambasadori amerikan, një personalitet i cili nuk dyshohet se ka simpati ndaj opozitës, i dha plotësisht të drejtë opozitës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të veprojë me të gjithë atributet e KZAZ-ve, por vetëm me ato që i njeh ligji, d.m.th mbledhjen e tabelave të përgatitura nga KZAZ-të e njësive bashkiake të Tiranës.

 KQZ thjesht duhet të shpallte rezultatin që rezultoi nga numërimi, dhe pastaj të kishim procesin ankimor në dy shkallët e ankimimit. Duke zbatuar urdhrin politik të qeverisë, KQZ po vepron në shkelje të plotë të disa neneve të Kodit Zgjedhor. Po miraton një akt normativ me shumicën e pushtetit – 4 anëtarë kundër 3 të opozitës. Po fut në numërim vota të diskutueshme për nga integriteti i tyre. Po nxjerr në dritë kutira me shumë gjasë të trafikuara në procesin zgjedhor. Po merr vendime që duhet t’i merrte instanca më e ulët, në shkelje të ligjit, njëlloj sikur Gjykata e Apelit të vepronte si Gjykatë Fakti. Po hap pa asnjë mëdyshje kutitë me kërkesën e qeverisë, një kërkesë që i mori Shqipërisë dy vjet kohë të përparimit të saj drejt BE-së, për shkak të refuzimit të një kërkese të ngjashme të opozitës. Etj, etj.

Kjo që po ndodh në Tiranë sot, kur demonstruesit e opozitës kanë rrethuar KQZ-në, apo ndërmarrin protesta në gjithë Shqipërinë, është e frymëzuar nga arroganca e qeverisë, e cila nuk është kujdesur për formën me të cilën kërkon ta arrijë fitoren në Tiranë. Nuk është kujdesur ta ruajë dinjitetin e kreut të KQZ, i cili po përdoret qartësisht si instrument i verbër pushteti. Madje kreu i KQZ-së nuk po kujdeset as vetë për dinjitetin e tij, ndërsa me një gjuhë të padenjë, me një egërsi të çuditshme po fyen kolegët e vet me të cilët punon në baza të përditshme. Kjo qeveri madje nuk kujdeset aq për gjykimet e ndërkombëtarëve, as për me gjasë raportet kritike të tyre, as për anulimin e vizitave, as për ftesën për statusin e kandidatit në BE, kur bëhet fjalë për marrjen e Tiranës.

Reagimi i opozitës përballë kësaj arrogance, kësaj force të pushtetit, ndërkaq është një reagim politik i çoroditur, i një pale që ngjan e frustruar përballë pafuqisë së saj. Ky është një frustrim përballë asaj që opozita e quan pamundësi për të siguruar të drejtën e vet me instrumente legalë, diçka që u vu re në 21 janar. Sigurish,t brenda këtij reagimi është dhe frustrimi personal i kreut aktual të opozitës, njëherësh kryetar aktual i Bashkisë së Tiranës, i cili, ndërsa fitoi gjithë bashkitë kryesore të vendit, e vuri në diskutim mandatin e vet në një rezultat kaq të ngushtë.

 Me gjithë arsyetueshmërinë e këtij reagimi, duket tërësisht i pajustifikuar rrethimi i KQZ-së. Cili është kuptimi i këtij rrethimi? Cili është kuptimi i kërkesës për të hyrë e marrë pjesë në mbledhjen e KQZ-së nga ana e deputetëve apo më keq akoma e simpatizantëve? Që t’i japë të drejtë qeverisë të pretendojë se opozita kërkon të sulmojë KQZ-në, të shkatërrojë dokumentet zgjedhorë? Që të trondisë ndërgjegjen europiane me idenë e sulmit mbi institucionet e pavarura? Rrugët e reagimeve të forta e të vendosura në kufijtë e ligjit ekzistojnë, dhe nuk është nevoja të zgjidhen rrugë si kjo që opozita ka zgjedhur me rrethimin e KQZ-së.

Kjo që po ndodh është dëshmi e trishtueshme e pafuqisë së shoqërisë sonë, më saktë e klasës sonë politike për të prodhuar institucione të pavarura. Një dëshmi si ajo që po shohim në KQZ madje tregon se kemi përkeqësim të nivelit të pavarësisë së tyre, domethënë ecje mbrapa të institucioneve tona. Kur gjendemi përballë një dështimi të tillë, atëherë ne afirmojmë botërisht se jemi në tranzicion. Edhe reagimi i institucioneve ndërkombëtare ndaj asaj që po ndodh në Shqipëri është afirmim i tranzicionit tonë të zgjatur dhe unik. Madje dhe fillimi i reagimit të mediave ndërkombëtare përfshi CNN-n, është dëshmi e këtij tranzicioni.

A mund të shmangnim këtë që ndodhi? Sigurisht nëse të dy palët nuk do të zhbënin atë që ishte arritja më e madhe e Kushtetutës së vitit 1998: fillimi i funksionimit të institucioneve të pavarura si Presidenca, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit, KQZ-së etj, etj. Ky funksionim do të ishte një proces dhe nuk do të ndodhte në një ditë. Por me siguri ky pavarësim i tyre do të ecte krahas emancipimit shoqëror të të gjithë shqiptarëve dhe nuk do të kishte kthim prapa siç po shohim sot. Ndryshimet kushtetuese të 2007-s e ndalën këtë proces të afirmimit të institucioneve të pavarura, domethënë të arbitrave dhe ja ku u gjetëm përballë konfrontimeve që zënë fill nga 2009. A do të kishim përplasje? Sigurisht do të kishim. Edhe rezultati i përplasjes zgjedhore presidenciale në vitin 2000 në SHBA-në u vendos për pak vota, që i ngjajnë rezultatit të Tiranës. Por kur folën institucionet e pavarura, të gjithë heshtën. Edhe duke vënë interesin kombëtar mbi interesin personal.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama