Berisha-Meta, një hile e vogël

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 10 vite më parë

Skënder Minxhozi
Berisha-Meta, një hile e vogël

Fushata elektorale po shfaq dy prirje kontradiktore në këto ditë të para të saj: nga njëra anë, palët po mundohen ende të evitojnë përplasjen e madhe, me Berishën dhe Bashën që po fushatojnë me tone të ulura dhe pa nervin tradicional, ndërsa Rama përpiqet të mos e tradhtojë veten, duke u ekspozuar më shumë se ç’duhet. Nga ana tjetër, papritmas kanë nisur incidentet me armë, që kanë përfshirë kandidatët dhe zyrtarët lokalë, e që në një mënyrë a një tjetër po i japin garës një element që në fakt s’e ka ende: frikën për dhunë! Kjo monedhë me dy anë po le një shenjë kontradiktore mbi një fushatë, ku sherri për listat dhe në përgjithësi për transparencën është e vetmja siguri që mund të ofrojnë sezone të tilla për votuesit.

Megjithatë, në sfond të këtyre zhvillimeve kontradiktore, duket se një hile e vogël po luhet, me protagonistë krerët e aleancës qeveritare. Nëse vëren me kujdes atë që ka ndodhur deri tani, do të shikosh se, nëse Berisha dhe kandidati i tij Basha kanë moderuar dukshëm tonet, duke vendosur (të paktën deri tani) të flasin gjuhën e të moderuarve, Ilir Meta është pozicionuar hapur në llogoren më të parë të zjarrit kundër socialistëve. Lufta e flamujve nëpër Tiranë dhe betejat e deputetëve opozitarë në dyert e minibashkive lsi-ste, janë vetëm ana e dukshme e këtij konflikti të vjetër dhe të ri mes dy partive që dikur ndanin të njëjtën pjesë të spektrit politik.

Deri në këtë moment të fushatës, kemi parë një ish-ministër të Brendshëm që thotë se Edi Rama ka bërë edhe gjëra të mira, se nuk ka asgjë kundër tij etj. etj. Kemi parë gjithashtu një Berishë që e ka “harruar” në shtëpi librin e sharjeve e fyerjeve personale, 20 përqindshin dhe “bëmat familjare” të Edi Ramës, duke u fokusuar te premtimet dhe tek elementet konkrete të programit zgjedhor. Një sjellje që duket qartë se është e orientuar dhe jo e natyrshme. Ndërkohë, si për të vërtetuar se e gjitha kjo është shumë e bukur për të qenë e vërtetë, po shohim një kryetar të LSI-së i cili, pasi shpalli objektivin kryesor të partisë së tij, “largimin e tiranit nga Bashkia e Tiranës”, nuk po humbet asnjë rast pa sulmuar me tone të ashpra kundërshtarin e tij Edi Rama. Një qëndrim krejt i ndryshëm nga ai i Kryeministrit, i cili duket se ka ndërruar krejtësisht kostumin, duke na kujtuar verën e vitit 2005, kur sërish kishte në krah Lulzim Bashën, “yllin” e ri politik të KOP-it.

Në këto kushte, përplasja Rama-Meta duket se ka rimarrë formë si në ditët e vjetra. Në pozita krejt të tjera, fushata elektorale e vitit 2009 pati sërish një përplasje të fortë mes PS-së dhe LSI-së, kryesisht në lidhje me sistemin zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese që ai kërkonte. Edhe atëherë, Rama dhe Meta u grindën jo pak me njëri-tjetrin, ndërsa Berisha e gjeti shumë komode që të gjithë përgjegjësinë t’ia faturonte PS-së, paçka se ato ndryshime kushtetuese i sollën atij më shumë stabilitet si Kryeministër, duke dobësuar edhe Presidentin.

Është e paqartë nëse sot, në kushtet kur LSI-ja duket mjaft më e dobët se dy vjet më parë, një sherr i tillë politik do të prodhojë ndonjë efekt të lexueshëm. E qartë është që Ilir Meta shihet tashmë nga e majta si një aleat dhe si një “klon” politik i Berishës (çka dy vjet më parë vetëm nënkuptohej, por nuk thuhej hapur). E qartë është gjithashtu që me anë të kësaj përplasjeje publike me PS-në, LSI-ja po përpiqet të rifaktorizojë veten, duke u munduar të shitet në sytë e të djathtës si segmenti i viktimizuar i mazhorancës në sulmin kundër opozitës.

“Partia e posterave”, siç e quajti dje Rama, do të përpiqet edhe kësaj radhe t’i vendosë një stërkëmbës kreut të bashkisë dhe të opozitës. Madje, duket se e konsideron këtë si misionin kryesor të fushatës së 8 Majit. A po nis një përballje e gjatë mes dy partive dikur aleate, deri ditën e zgjedhjeve, e cila do të tentojë t’i bllokojë sa të mundet duart Ramës, duke e ngacmuar, goditur nga jashtë dhe duke i devijuar shënjestrën e fushatës? Dhe duke synuar kësisoj të krijojë një efekt hutimi brenda opozitës, me qëllimin që t’i krijojë Berishës dhe Bashës qetësinë relative për të kryer një fushatë ku nuk do të dëgjohet toni polemik i tyre, por sherri i “dy të majtëve” që grinden?! Kjo mbetet për t’u parë. E sigurt deri tani është se Meta po kërkon të bjerë në sy. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë, sesa të nisë një sherr me ish-partinë e tij. Duke i hapur paralelisht me dredhi rrugën Kryeministrit, për të luajtur në këto zgjedhje rolin e pazakontë të “djalit të mirë”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama