Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mazhoranca ka nevojë t’i flasësh drejt

Shkruar nga: Arjan Vasjari  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Vasjari
Mazhoranca ka nevojë t’i flasësh drejt

Fushata elektorale e mazhorancës në Tiranë ka nevojë urgjente për një injeksion sinqeriteti dhe vetësigurie. Gjendet në kontekstin politik më të favorshëm që prej ardhjes së zotit Rama në krye të saj, më shumë se një dekadë më parë. Edhe Besnik Mustafaj, edhe Spartak Ngjela, edhe Sokol Olldashi ranë viktima, jo vetëm të parabolës në ngritje të Edi Ramës, por edhe të modelit provincial që Partia Demokratike i kishte imponuar metropolit që nga 1992. Sot, për njëmijë e një arsye zoti Rama është në “pikën e vdekjes së pistonit” dhe formati i korruptuar i zotit Kelmendi dhe formati pa vizion i zotit Brojka janë sfumuar nga modeli i korruptuar dhe pa vizion i zotit Rama. E megjithatë, mazhoranca nuk po sintonizohet dot në atë frekuencë superioriteti që rrethana ia ofron. Mëkat i madh!

Parmbrëmë, në dy studio të ndryshme televizive me të vetëndjerin politik të mazhorancës dhe sjelljen e saj me Edi Ramën u morën edhe një panel i kualifikuar komentatorësh pro mazhorancës. Druaj se, fryma e tyre rreth betejës së 8 Majit i ngjasonte frymës së shumicës. Jo se ishte domosdoshmërish e gabuar, por se mazhorancës i lipset diçka tjetër, diçka shtesë. Për shembull: kujdesi i tepruar për të nënvizuar orë e çast se “8 Maji nuk do të prodhojë pasoja politike”, në rastin më të mirë, lexohet si një pasiguri rreth asaj se ç’mund të sjellë data 8 Maj. Jo! Mazhoranca nuk ka nevojë për këtë frymë. Nuk ka pse të kompleksohet për një rezultat hipotetik që, së paku, lëviz në një aks probabiliteti identik. Për të mos thënë se nuk ekziston asnjë parametër i besueshëm logjik, politik, psikologjik dhe elektoral që mund t’i japë shanse Edi Ramës në Tiranë. Le të jetë 8 Maji një datë që të prodhojë pasoja politike për të gjithë! Kjo është fryma!

Argumenti i komentatorëve se Edi Rama nuk duhet të jetë në krye të Bashkisë, sepse kështu nuk do të vuajmë më konfliktin qeveri-bashki, të krijon përshtypjen se agonia e sotme e Tiranës na qenka pasojë e këtij konflikti. Qasja, së pari, nuk është korrekte politikisht. Sepse, i bie që Tirana të drejtohet vetëm nga individë që i përkasin mazhorancës së radhës, gjë që fyen konceptin demokratik të bashkëjetesës. Së dyti, nuk është reale. Konflikti mes qeverisë dhe Bashkisë së kryeqytetit nuk është ngritur asnjëherë më shumë se nervozizmi vulgar mes dy kryetarësh partie dhe nuk është konvertuar seriozisht në konflikt pushtetesh. Edi Rama mund ta urrejë Sali Berishën sa të dojë, por nuk mund të mohojë dot se ky i fundit i ka dhënë atij sa nuk ia kanë dhënë as Fatos Nano, as Pandeli Majko dhe as Ilir Meta. Paratë janë shifra, nuk janë opinione. Së treti, nuk është konflikti bashki-qeveri arsyeja përse Tiranën nuk duhet ta drejtojë Edi Rama, por sepse Edi Rama nuk justifikon dot degradimin këto gjashtë vjet të Tiranës, megjithë rritjen progresive të fondeve të qeverisë për të.

Komentatorët në fjalë na thanë se Lulzim Basha ka bilance në qeverisje dhe se, për këtë arsye, Tirana është një habitat politik ku ai ka të drejtë të hyjë. Kjo nuk është e mjaftueshme. Tirana është një strukturë ekonomiko-sociale shumë më komplekse dhe miradministrimi i saj nuk i ngjason asaj të një ministrie. Zoti Basha ka të drejtë të hyjë në bashkinë më të madhe të republikës me një kusht të madh: të shkatërrojë njëherë e mirë modelin politik të pushtetarit lokal, që e bazon suksesin te menaxhimi i parasë dhe jo i shërbimeve. Zoti Rama iu largua Tiranës jo vetëm përmes keqmenaxhimit të parasë, por edhe sepse nuk kuptoi dot kurrë kulturën e shërbimit që në një qytet, jo gjithmonë mund të jetë lukrativ. “Rrëmbim kompetencash” akuzonte për  unazën (sepse ishte investim dhe kishte para), për kopshtin botanik (se është sipërfaqe dhe prishen projekte ku ka para), për piramidën (sepse ishte ndërtim dhe kishte para). Por kur iu ofrua kompetenca për të administruar Ujësjellësin e Tiranës, refuzoi. Sepse etja e qytetit dhe etja për para nuk puqeshin. Aty nuk kishte para, kishte vetëm shërbim. A bëhet dot shërbëtor i qytetit zoti Basha?

Ka disa gjëra që shumicës i duhen thënë që tani, pa filtër, shkoqur. Kjo është mbi të gjitha një detyrë qytetare që na përket. Shumica ka të drejtë që t’i seleksionojë apo edhe t’i hedhë poshtë. Kjo është detyrë politike që i përket asaj. Ne na duhet të bëjmë mirë detyrën tonë.  

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama