Boll me mballomat e Bollanos!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Boll me mballomat e Bollanos!

Me siguri që zbulimet e fundit shkencërisht historike dhe historikisht shkencore të zotit Bollano, sipas të cilave Himara, por jo vetëm ajo, na qenka tokë greke, do të hapin një epokë të re, edhe më të lavdishme, në politikën e jashtme greke. Në këtë kuadër zulmëmadh made in Bollano, një rrezik i madh i kanoset, ndër të tjera, edhe Marsejës, këtij porti francez të rëndësishëm në Mesdhe. “Përse kështu?” – do të pyesë me të drejtë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. Thjesht për një arsye historikisht të njohur nga të gjithë ata që kanë lexuar, në çdo fjalor enciklopedik të denjë për këtë emër – Larousse, Petit Robert 2, Bordas apo Encylopaedia Universalis –, se Marseja  është themeluar si qytet, me emrin Massalia, në vitin 600 para erës së re nga grekërit e ardhur prej një qyteti të Azisë së Vogël, të quajtur Phôkaia, që ndodhej në gjirin e Smirnës.

Falë zbulimeve të bujshme e të bollshme të zotit Bollano, falë gjithashtu edhe argumenteve të tij me arna, pra, me mballoma të pakundërshtueshme, për analogji, grekërve të sotëm u lindka e drejta e pamohueshme që të pretendojnë se Marseja është tokë greke, të cilën frëngjtë ua paskan marrë atyre pa të drejtë. Unë jam i mendimit që zoti Bollano duhet patjetër të vërë kandidaturën e tij madhështore për t’u bërë kryetar i Bashkisë së Marsejës. Mirëpo për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet të provojë po aq shkencërisht sa e provon për Himarën tonë  modeste, se marsejezasit e sotëm janë gjenetikisht pasardhësit e grekërve të lashtë. Por detyra helenikisht heroike e zotit Bollano është gjithashtu që të identifikojë e të inventarizojë në mbarë rruzullin tokësor të gjitha qytetet dhe fshatrat e themeluara nga grekërit e lashtë dhe të bëjë lobing në mënyrë që atje të nisë regjistrimi i pakicave kombëtare greke për të provuar se, praktikisht, mbarë planeti ynë është greminisht e grekërisht grek dhe vetëm grek!

Sigurisht, në kryerjen e këtij misioni të lartë, zoti Bollano punën duhet patjetër ta fillojë me zbulimin e prejardhjes greke të të gjithë heronjve të vendeve ku, dikur, para erës së re, grekërit kanë krijuar kolonitë e tyre. Ashtu siç pretendon se Gjergj Kastrioti ynë në fakt quhej Jorgji, pra, Jorgos, d.m.th. ishte grek e shkuar grekut, kurse i biri, Gjoni, quhej Jani, pra, Janis, d.m.th. ishte edhe ai grek e shkuar grekut. Kështu, meqenëse e nisa me Marsejën, atij do t’i duhet të këmbëngulë që Gaston Defferre-i, dikur kryebashkiak i Marsejës për shumë vite me radhë, në fakt, është pa pikë dyshimi e pa pikë droje me origjinë të pastër greke dhe se emri e mbiemri i tij i vërtetë kanë qenë Gastonaqis Deferis. Sigurisht, zoti Bollano nuk do ta ketë të lehtë me emrat dhe mbiemrat arabë, japonezë e kongolezë, por ai do të dijë ta gjejë më në fund një zgjidhje të përshtatshme (duke realizuar, për shembull, këto shndërrime: Faruk-Faruqis, Sogura-Soguridhis e Makumba-Makumbaqis).

Sidoqoftë, nëse i dalin vështirësi të paparashikuara në këtë drejtim, do t’i rekomandoja të frymëzohej nga libri i shkrimtarit të mirënjohur grek Ismailiqis Kadhareos me titull “Kronikë në gur”, ku flitet për një shqiptar nga Gjirokastra me emrin Jorgo Pula, i cili, kur fashistët italianë pushtuan Shqipërinë, e ktheu emrin në Giorgio Pollo; pak më vonë, kur plasi lufta italo-greke dhe grekërit pushtuan Gjirokastrën, ai e bëri Jorgos Pulos; më tej me ardhjen e nazistëve gjermanë, e shndërroi në Jurgen, madje kishte edhe një emër rezervë sikur japonezët, aleatë të gjermanëve, të pushtonin Gjirokastrën: Jogura! Jam më se i bindur që, sikur Himara të pushtohet një ditë nga forca të huaja, ta zëmë nga italianët ose nga serbët, zoti Bollano nuk do ta ndërrojë kurrsesi mbiemrin e tij në Boleanno apo në Boleviç, ndonëse në këto dy variante mbiemri i përshtaten tmerrësisht portretit të tij karakteristik, karizmatik e kardinal (të paktën siç ia kanë paraqitur fotografinë gazetat shqiptare këto ditët e fundit).

Duke i sajuar Himarës dhe jo vetëm asaj, por tërë Labërisë së Sipërme e më tej një kostum minoritar grek, veçse me mballoma qesharake, zoti Bollano më detyroi, siç mund ta ketë vënë re lexuesi im atdhedashës, të merresha me atë më gjatë sesa e meriton. Për këtë arsye, po i them vetes, të paktën sot për sot: Boll me mballomat e Bollanos!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama