Një qëndrim korrigjues

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 10 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një qëndrim korrigjues

Tre puçistë dhe një burrë shteti! Ky ka qenë bilanci i takimeve të djeshme të zëvendëssekretarit të Shtetit, Stajnberg, në Tiranë. Nga Topi te Berisha dhe në fund te dy Ramat (kreu i opozitës dhe i prokurorisë), zyrtari i lartë amerikan ka përshkuar në pak orë të gjithë harkun e krizës politike e institucionale të vendit. Një vizitë rrufè, e cila megjithatë ka mjaftuar për të vënë disa pika mbi “i”, në lidhje më qëndrimin amerikan për krizën shqiptare.

Nëse do të pyetej a pati ndonjë element të ri në këtë mision diplomatik, përgjigjja do të ishte, me shumë gjasë, “Po”. Gjuha e Stajnberg-ut nuk ishte gjuha e përdorur disa ditë më parë nga vartësi i tij Kauntrimen. Në vend të tonit të prerë të Kauntrimen-it, i cili shkaktoi shumë rrudhje buzësh majtas, kur kërkoi dënimin e organizatorëve të demonstratës dhe kur u përgjigj me një “jo” të prerë për zgjedhjet e parakohshme, Stajnberg dje ruajti një linjë më të butë dhe të baraslarguar nga palët. Ai e nisi deklaratën e tij të shtypit duke evokuar të vrarët e 21 Janarit. “Jemi shumë të trishtuar për humbjen e 4 jetëve në protestat e 21 Janarit”, u shpreh ai, duke shtuar se korniza kushtetuese i jep të drejtë Kryeprokurores të kryejë një hetim tërësor dhe gjithëpërfshirës. Në thelb, ky përcaktim përgjithësues, dukej i ndërtuar në një mënyrë të tillë që të evitonte efektin qoftë edhe iluziv të një rreshtimi me njërin ose tjetrin krah. Çka ka qenë rasti i paraardhësit të tij Kautrimen, ose qoftë edhe i diplomatëve kryesorë amerikanë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Nga ana tjetër, fakti që zyrtari i lartë amerikan nuk u shfaq në podiumin e zakonshëm të sallës së shtypit në Kryeministri, në krah të Berishës, ishte një shenjë tjetër se Stajnberg kishte ardhur në Tiranë për t’i takuar të gjithë, e jo për t’i bërë qejfin dikujt. Ashtu siç mund të shihet, edhe vizita në selinë e Prokurorisë së Përgjithshme, si një gjest i hapur përkrahjeje për Ina Ramën. Me këtë takim, Stajnberg u duk se tentoi t’i japë një karakter të pastër institucional misionit të tij diplomatik, në një ambient ku gjithçka shihet dhe lexohet vetëm politikisht, e jo institucionalisht. Stajnberg ishte dje një zë tejet i ekuilibruar, në një zinxhir sjelljesh të faktorit ndërkombëtar, ku ka munguar jo rrallë ekuilibri në muajt e fundit.

Sa i përket thelbit të vetë krizës, kërkesave dhe pozicioneve të palëve brenda saj, numri dy i Departamentit të Shtetit duket se ka nënvizuar ato që diheshin. Pra, që do të ketë zgjedhje më 8 Maj, që do të ketë kërkesë dhe vëzhgim për standardet dhe ndershmërinë e tyre dhe që klima prej far west-i që mbizotëron në jetën tonë politike, duhet të marrë fund. Ky kuadër hapash duket i panegociueshëm. Mbetet të shihet se cili do të jetë modaliteti konkret i përmbushjes së tij, në kushtet kur debati i nxehtë politik i ka hedhur në erë thuajse të gjitha urat e bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës. Ndërtimi i këtij dialogu brenda formatit kohor që na ndan nga zgjedhjet, mbetet e panjohura e madhe e ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve.

A ishte kjo vizitë një sinjal se amerikanët po marrin gradualisht kthesë, në raport me zhvillimet shqiptare dhe palët në lojë? Nëse nuk është një kthesë, më së paku është një reflektim ndaj mënyrës sesi po zhvillohen punët në këtë vend, ku qeveria vijon të akuzojë të gjithë pjesën tjetër të institucioneve për akte që do të bënin të qeshte edhe një fëmijë shkolle. Qëndrimi i djeshëm i Stajnberg-ut krijon padyshim një drejtpeshim të munguar gjatë javëve të fundit, duke shërbyer edhe si një piketë e re orientimi për zyrtarët që janë marrë e do të merren me Shqipërinë. Duke nisur nga përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së në Tiranë, të cilët kanë qenë në qendër të mjaft kritikave në javët e fundit, pikërisht në lidhje me pozicionimin ndaj krizës politike.

Me ardhjen e zëvendëssekretarit amerikan të shtetit në Tiranë, roli i SHBA-së për të zgjidhur krizën arrin pikun e tij. Është e vështirë që të shohim një ditë në Tiranë Hillari Klintonin, duke hyrë e dalë në zyrat e larta të këtij vendi, për t’i mbushur mendjen Berishës e Ramës. Uashingtoni foli, ka shumë mundësi, për herë të fundit, në nivel të lartë, para zgjedhjeve të 8 Majit. Ka shumë mundësi që stafeta e ndërmjetësimit t’i kalojë tashmë në dorë europianëve, përkatësisht misionit të Lajçak-ut dhe shefave të tij. Në fakt, qysh nga fillimet e kësaj krize, paradoksalisht qëndrimi i europianëve ka qenë më i gjallë, më i nuancuar e përfshirës, sesa ai i amerikanëve. Ardhja në Tiranë e Stajnberg-ut shënon apogjenë dhe njëkohësisht, ka shumë mundësi, edhe fundin e misioneve ndërmjetësuese amerikane, në kryeqytetin problematik të shqiptarëve. Fjala i kalon tani Brukselit!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama